Huaja për ekonominë ka shënuar rritje për të dytin muaj radhazi në shtator, duke e marrë veten, pas një rënieje të vazhdueshme gjatë këtij viti.
Sipas statistikave të publikuara sot nga Banka e Shqipërisë, stoku i huasë së dhënë për bizneset, individët dhe kompanitë publike arriti në 535 miliardë lekë, me një zgjerim prej 0.35% në raport me muajin e mëparshëm.
Rritja ka ardhur nga kredia për korporatat jofinanciare (bizneset), si në lekë ashtu dhe në valutë. Stoku i huasë për bizneset u rrit me 0.38% në shtator në raport me muajin e mëparshëm, duke arritur në 322 miliardë lekë, ose 60% e stokut të kredisë që është dhënë në ekonomi,
Huaja për individët ka vijuar të rritet në monedhën vendase, ndërsa në euro është në rënie. Stoku total i huasë që kanë marrë individët për qëllime blerje shtëpie, ose për konsum ishte 183 miliardë lekë, ose 34% e totalit. Pjesa e mbetur prej 6% është dhënë për kompanitë publike dhe ato financiare.
Pavarësisht rritjes dy muajt e fundit, kreditimi i ekonomisë ka qenë mjaft i dobët këtë vit. Në raport me dhjetorin 2017, stoku i huasë në total pësoi rënie me 2.8%. Efektin më të madh e dha ristrukturimi i huasë së KESH, por edhe huaja për bizneset ishte në rënie me minus 7 miliardë lekë, ose 2.2%.
Në shtator 2018, huaja në valutë zinte 49.6% të totalit. Pas rënies së vazhdueshme të huasë në valutë, kryesisht euro, në linjë me strategjinë dhe orientimet e Bankës së Shqipërisë për deeuroizimin e ekonomisë, kredia në valutë është rritur sërish muajt e fundit (shih grafikun).
Banka e Shqipërisë në vrojtimin e fundit të aktivitetit të kredisë konkludonte nga pyetësorët me bankat se standardet e huasë për bizneset pritet të jenë të shtrënguara për dy arsye. Vetë bankat janë skeptike për mjedisin makroekonomik dhe nga ana tjetër, kërkesa e bizneseve për hua mbetet e ulët.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.