Investimet e huaja ranë në 2017-n. Efektin kryesor e dha TAP. Cilat janë shtetet që investuan më shumë dhe si renditen ato në vite. Sektorët që po tërheqin investime
Investimet e huaja ranë me 35 milionë euro në vitin 2017 (3.7%), duke arritur në 908 milionë euro. Banka e Shqipërisë ka publikuar dhe të dhënat e detajuara sipas shteteve dhe aktivitetit ekonomik, që japin një tendencë të sektorëve dhe shteteve që kanë ulur dhe kanë rritur investimet në Shqipëri në vitin 2017. Zvicra, Turqia, Gjermania, Organizata Ndërkombëtare, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Holanda, Serbia, Maqedonia rezultojnë të kenë ulur investimet në Shqipëri, ndërsa Franca, Austria, Greqia, Italia, Kosova i kanë rritur.
Sipas sektorëve, rënia më e madhe është shënuar në energji, industrinë përpunuese dhe tregtinë me pakicë, ndërsa janë në rritje investimet në industrinë nxjerrëse, aktivitete financiare dhe të sigurimit, Aktivitete profesionale, shkencore dhe teknike, Aktivitete të pasurive të paluajtshme.
Investitori më i madh në vitin 2017 ishte Zvicra për të dytin vit radhazi, me 330 milionë euro. Ky shtet ka shënuar dhe rënien më të lartë me 24% (-103 milionë euro), duke ndikuar në tkurrjen totale të investimeve të huaja në vend. Zvicra është vendi nga raportohen investimet e gazsjellësit TAP, që është investimi më i madh në Shqipëri, me një total prej 1.5 miliardë eurosh i shtrirë në disa vite.
Ky projekt pritet të përfundojë në 2019-n, duke lënë “zbuluar” investimet e huaja nëse nuk do të arrihen të gjenden burime të tjera, një paralajmërim i hershëm ky i institucioneve ndërkombëtare. Nga të dhënat rezulton se TAP ka sjellë 36% të totalit të investimeve në 2017-n, duke i bërë flukset hyrëse tepër të varura nga ky gazsjellës, që në momentin që do të përfundojë, nuk do të ketë ndonjë vlerë të shtuar për Shqipërinë, pasi vendi nuk ka infrastrukturën e nevojshme për përdorimin e gazit.
Në të njëjtën linjë, edhe investimet në “Energjia elektrike, gazi dhe furnizimi me ujë” ranë me 30%, apo 169 milionë euro më pak në krahasim me një vit më parë, duke zbritur në 396 milionë euro. Pavarësisht rënies, ai vijon të jetë për të dytin vit radhazi sektori që sjell më shumë Investime të Huaja Direkte në Shqipëri, me 43% të totalit.
Rënia e investimeve në energji është kompensuar nga Industria nxjerrëse, Aktivitete financiare dhe të sigurimit, Aktivitete profesionale, shkencore dhe teknike, Aktivitete të pasurive të paluajtshme.
Shteti i dytë që solli më shumë investime në Shqipëri është Holanda, me 112 milionë euro (rënie 6.7), në të cilin regjistrohen flukset e Statkraft, që po ndërton hidrocentralet mbi lumin Devoll, edhe ky një investim që po shkon drejt fundit.
Të dy këto investime (TAP dhe Devoll) zunë më shumë se gjysmën e totalit në 2017-n. Në vend të tretë është Franca, me 84 milionë euro (katërfishim me bazë vjetore), edhe ky i lidhur me punimet për TAP, pasi Spiecapag, nënkontraktori i TAP, është me origjinë franceze.
Austria dhe Italia investuan përkatësisht 64 dhe 53 milionë euro në 2017-n, të ndjekura nga Italia me 45 milionë euro dhe Greqia 30 milionë euro. Nga Kosova kanë ardhur 8 milionë euro investime, ndërsa shtetet e tjera kanë vlera të papërfillshme.
Ecuria në 2017-n
Investimet e Huaja Direkte kanë shënuar tendencë të lehtë rënëse në vitin 2017, sipas statistikave të fundit të publikuara nga Banka e Shqipërisë. Stoku i investimeve të huaja arriti në 908 milionë euro, me një tkurrje të lehtë prej 3.7% në krahasim me vitin e mëparshëm.
Në tremujorin e katërt, investimet e huaja ranë në 232 milionë euro, nga 300 milionë euro që kishin arritur në tremujorin e mëparshëm, ndërsa në tremujorin e parë dhe të dytë kishin qenë më të ulëta, përkatësisht në 175 dhe 201 milionë euro.
Në tremujorin e katërt, transaksionet në formën e zgjerimit të kapitalit shënuan 227 milionë euro dhe ishin kryesisht të përqendruara në sektorin e hidrokarbureve (në masën 33%), në sektorin e energjetikës (me rreth 25%) dhe atë të ndërmjetësimit financiar (në masën 13%). Ndërkohë, marrëdhëniet e borxhit mes kompanive të lidhura derivuan një fluks prej 6 milionë eurosh.
Në vitin 2016, investimet e huaja kanë shënuar nivelin historik maksimal prej 943 milionë eurosh, si rrjedhojë e projekteve të mëdha të energjisë, sidomos gazsjellësit TAP, i cili ka kryer investime prej 400-500 milionë eurosh në dy vitet e fundit.
Greqia kryeson për stokun
Ndonëse prej disa vitesh është në krizë, shteti fqinjë helen vijon të jetë investitori historik më i madh në Shqipëri. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë për stokun e Investimeve të Huaja Direkte, në vend të parë është Greqia, kompanitë e së cilës kanë investuar në Shqipëri, kryesisht në telekomunikacione dhe banka. Dy operatorët më të mëdhenj të telefonisë celulare, Vodafone dhe Telekom Albania janë me kapital grek. Bankat kanë qenë një tjetër sektor i preferuar, por që tashmë po tërhiqen gradualisht nga Shqipëria.
Deri në vitin 2009, pesha e bankave me kapital grek në totalin e aktiveve të sistemit ishte rreth 24%, sipas të dhënave zyrtare, ndërsa sot ka zbritur në rreth 14%, teksa pas krizës greke të borxheve, ato filluan tërheqjen dhe reduktimin e aktivitetit. Credit Agricole ishte e para që u largua nga Shqipëria disa vjet më parë, ndërsa së fundmi u shit dhe banka Kombëtare e Greqisë tek Banka Amerikane e Investimeve. Në shitje është edhe Tirana Bank dhe e vetmja që reziston është Banka Alpha.
Në vend të dytë, për herë të parë në 2017-n, ka kaluar Zvicra, me një stok investimesh prej 888 milionë eurosh. Më shumë sesa interes i kompanive zvicerane, kjo rritje është meritë e gazsjellësit TAP, që është i regjistruar si seli qendrore në këtë shtet, por që në fakt përbëhet nga një konglomerat kompanish nga shumë vende të Europës.
Si investitor i tretë ka kaluar Kanadaja (prej shumë vitesh i dyti), me 883 milionë euro. Efektin e ka dhënë Bankers Petroleum, e cila ndonëse tashmë është shitur te kinezët e Geo Gade, konsiderohet me kapital kanadez.
Në vend të katërt është Holanda, me 846 milionë euro, përmes kompanisë, që po ndërton hidrocentralet mbi lumin e Devollit. Ndonëse tashmë, HEC i Devollit po ndërtohet nga norvegjezët e Statkraft, Banka e Shqipërisë e pohon se investitori direkt i Statkraft është holandez.
Italia, ndonëse është partneri kryesor tregtar i Shqipërisë dhe ka numrin më të madh të bizneseve të huaja renditet e pesta për nga stoku i investimeve, me 652 milionë euro. Nga Italia kanë munguar investimet e mëdha në vite dhe sipërmarrjet që kanë hyrë janë përgjithësisht të vogla. Ambasadori italian në Shqipëri, Alberto Cutillo, në një intervistë të mëparshme për “Monitor”, ka pohuar se arsyet lidhen me përvojat e kaluara jo të mira, për shkak të fenomeneve të korrupsionit, problemeve në lidhje me pronësinë e tokës dhe perceptimit të gjerë të një sistemi joefikas gjyqësor dhe jo garantues për sigurinë juridike dhe marrëdhënieve kontraktuale ndërmjet palëve.
Sektorët më tërheqës për investime në vite
Për herë të parë në vitin 2017, stoku i investimeve në sektorin e Energjia elektrike, gazi, avulli ka kaluar në vend të parë, me 1.5 miliardë euro, duke ia kaluar “Informacioni dhe komunikacioni”, që historikisht ka qenë sektori që ka tërhequr më shumë investime në Shqipëri dhe ka një stok prej gati 1.2 miliardë eurosh.
Ndryshimi lidhet me investimet e mëdha për gazsjellësin TAP dy vitet e fundit, ndërkohë që kompanitë e telekomunikacioneve janë në fazë maturimi dhe nuk e kanë rritur stokun e investimeve së fundmi.
Në vend të tretë janë aktivitetet financiare dhe të sigurimeve, si rrjedhojë e investimeve të bankave me kapital perëndimor që kanë hyrë që pas vitit 2000 në Shqipëri. Bankat kanë investuar në Shqipëri gati 1 miliard euro, që pas viteve 1990. Por, një pjesë e tyre tashmë është sërish drejt tërheqjes.
Më pas renditen Industria nxjerrëse, me një stok prej 875 milionë eurosh, e ndjekur nga industria përpunuese me 624 milionë euro.
Ç’do të ndodhë me investimet në të ardhmen?
Në periudhën 2015-2016, investimet e huaja shënuan rritje të djeshme, të ndikuara nga punimet për ndërtimin e projektit TAP dhe HEC-in e Devollit.
Por, shqetësimi lidhet me faktin që këto dy projekte janë afatshkurtra në kohë dhe kërkohet diversifikim në afatin e mesëm. FMN uli së fundmi me 0.4 pikë përqindjeje pritshmërinë për rritjen ekonomike të vendit gjatë vitit të ardhshëm, pikërisht për këtë arsye.
Banka Botërore, FMNN dhe Komisioni Europian kanë tërhequr vazhdimisht nevojën e diversifikimit të investimeve të huaja dhe burimeve të rritjes së Shqipërisë.
Sipas tyre, përfundimi i projekteve të mëdha dhe një rënie e çmimeve të lëndëve të para mund të përbëjë rrezik për rritjen, nëse nuk tërhiqen investime të qëndrueshme në aktivitete me vlerë të shtuar më të lartë do ta integronte ekonominë më mirë në zinxhirët e furnizimit global, për të rritur produktivitetin dhe për të krijuar më shumë vende pune dhe më të mira në të gjithë ekonominë.
Vitin e ardhëm priten investime të huaja më të ulëta dhe kjo ka qenë një nga arsyet që FMN parashikon që rritja do të ngadalësohet nga 3.7% këtë vit nga 3.9% që është pritshmëria për vitin 2017. Shefja e Misionit të FMN-së, Anita Tuladhar, pohoi se arsyeja kryesore e pritshmërisë më të ulët lidhet pikërisht me faktin që investimet e mëdha të energjisë po shkojnë drejt fundit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.