Kompania gjermane që ishte bërë aksionari i kompanisë së prodhimeve farmaceutike Profarma në vitin 2008 ka shitur gjysmën e aksioneve te kompania shqiptare ALDOSCH (dikur në pronësi të deputetit të PS-së Tom Doshi), të cilës ia kishte blerë pothuajse 100% të kuotave rreth 6 vjet më parë.
Transaksioni ka ndodhur në maj të këtij viti, ndërsa pala shqiptare rezulton të ketë marrë menaxhimin që në tetor 2013, kur si administratore është emëruar Xhovana Doshi (e shoqja e deputetti socialist Tom Doshit).
Të gjitha lëvizjet bëhen të ditura në ekstraktin historik të kompanisë, publikuar nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit.
Historiku i aksioneve
Në vitin 2008, kompania gjermane “Dermapharm AG” bleu 80% të aksioneve të “Prodhime Farmaceutike-Profarma”, nga shoqëria tregtare “ALDOSCH” për rreth 3.5 milionë euro.
ALDOSCH nga ana e saj kishte blerë në vitin 2000 kompaninë në atë kohë shtetërore “Prodhime Farmaceutike”, ndërkohë që në datë 16.11.2000, Këshillit Mbikqyrës i shoqërise kishte vendosur zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm z. Tom Doshi.
Ndërsa në vitin 2009, “Dermapharm AG” e rriti përqindjën e kapitalit në 98,76%, dhe pjesa tjetër nga punonjësit, ndërsa ALDOSCH u largua tërësisht.
Në 2010 emiri i “ALDOSCH” del sërish në lojë, pasi blen një kuotë minimale prej 0,03%.
Në datën 04.11.2013, është vendosur miratimi i shitjes se 48,369% të aksioneve nga shoqëria Dermapharm AG në favor të shoqërisë ALDOSCH sh.p.k. ndryshe nga transaksioni fillestar, në këtë rast nuk bëhet e ditur vlera që ka paguar ALDOSCH për blerjen e gati gjysmës së aksioneve.
Aktualisht, sipas QKR, Dermapharm AG zotëron 50.39% të aksioneve dhe “ALDOSCH” 47,84%, ndërsa pjesën tjetër e kanë punonjësit, apo ish punonjësit. Mësohet se ndonëse kanë ende gjysmën e aksioneve, gjermanët kanë hequr dorë nga menaxhimi i kompanisë.
Profarma
Sipas faqes së saj zyrtare, Profarma është e vetmja kompani farmaceutike e cila flet shqip prej 62 vjetësh. Në vitin 1948 në mjediset e spitalit të Tiranës u ngrit një laborator farmaceutik, i cili do të fillonte prodhimin e barnave shqiptare, duke u nisur nga preparati më elementar Uji i Distiluar. Ky laborator më vonë u kthye në një Ndërmarje të Prodhimeve Farmaceutike me emrin e shkurtuar PROFARMA. Preparatet e para të prodhuara nga kjo ndërmarje kanë qenë ekstrakte bimore në formë të lëngët (fluide) ose të thatë (siccum), të cilat do të shërbenin nëpër farmacitë e Shqipërisë për përgatitjen në çast (ex tempora) të disa pregatitjeve galenike, si shurupe, suposte, tretësira etj. Nga viti në vit edhe aktiviteti dhe cilësia e produkteve të saj ka ardhur në rritje. Një ngjarje e veçantë dhe tejet e rëndësishme shënohet për Profarmën në vitin 2008. Në këtë vit kompania gjermane DERMAPHARM Group bleu shoqërinë PROFARMA sh.a. Investimi i Dermapfarm Group synon ngritjen e një fabrike të re dhe bashkëkohore për prodhimin e preparateve farmaceutike. Fabrika e re, e cila shtrihet në një sipërfaqe prej 27.000 metra katrore, e projektuar nga investitorët gjermanë do të plotësojë norma ndërkombëtare të prodhimit (GMP –së), me një teknologji bashkëkohore evropiane, me personel të kualifikuar dhe me një gamë të gjerë produktesh farmaceutike.