Terminali lindor i Portit të Durrësit i është dorëzuar shoqërisë koncesionare EMS Albanian Port Operator sh.p.k. ( bijë e kompanisë logjistike gjermane EMS Shipping & Trading GmbH) e cila është nënshkruar në muajin maj dhe do të ketë afat 35 vjet, në përputhje me VKM-në nr. 493 date 01.08.2012, “Për përcaktimin e Autoritetit Kontraktor, “Për dhënien me konçesion të menaxhimit, operimit dhe mirëmbajtjes së Terminalit Lindor në Portin e Durrësit dhe miratimin e bonusit në procedurën përzgjedhëse konkurruese që i jepet shoqërisë “EMS Shipping and Trading GmbH” si dhe Master Planit të Zhvillimit të Portit të Durrësit. Manfred Muller, drejtori menaxhues i “EMS APO” u shpreh se “ne jemi duke nisuir një erë të re jo vetëm për Portin e Durrësit, por edhe për grupin EMS-Fehn-Group. Me investimin tonë në këtë terminal ne treguam përkushtimin. Është një nga investimet më të rëndësishme të realizuara në portet e Adriatikut që do të shërbëjë për zhvillimin e mëtjeshëm ekonomik të rajonit të Ballkanit” tha Muller. Autoriteti Portual Durrës që nga 15 korriku 2013 nuk do të jetë më operator në ofrimin e shërbimeve të ngarkim-shkarkimit, pasi të gjitha burimet e terminalit (burime njerëzore, infrastrukturë dhe superstrukturë) do të transferohen te shoqëria koncesionare “EMS APO”, e cila në vijim ka të drejtë t’i menaxhojë ato dhe të lidhë kontrata shërbimi sipas kushteve dhe tarifave të publikuara. Territori aktual i Terminalit Lindor të Portit te Durrësi në vijim do të trajtohet sipas perspektivës së zhvillimit të projektit koncesionar. Shoqëria do t’i paguajë Ministrisë së Transportit pagesën prej 2% të xhiros vjetore. Po ashtu ajo do të paguajë për Autoritetin Portual pagesën në masën 11 % të gjitha tarifave të aplikuara, si dhe pagesën pagesën e tarifës së qerasë në masën 544 lek/m2 për zonën koncesionare. “Shqipëria është e pasur në metale dhe minerale për të cilat ka kërkesë të lartë. Nëse porti merr pajisjet adekuate unë jam i sigurt se eksportet do të rriten ndjeshëm”, tha z. Muller.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.