Nën drejtimin e Zv.Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z. Niko Peleshi, dhe përfaqësueses së Ministrisë Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, znj. Angela Eckert, u përcaktua vijimësia e projekteve të mbështetjes gjermane të miratuara në vitin 2012.
Në kuadër të angazhimit tradicional të Gjermanisë në sektorët e energjisë, zhvillimit të qëndrueshëm të ekonomisë, furnizimit me ujë si dhe trajtimit të mbetjeve dhe ujërave të ndotur mendohet që në të ardhmen të konsolidohet në mënyrë të veçantë bashkëpunimi në sektorin e menaxhimit të mbetjeve. Pala shqiptare siguroi, se do të jepte mbështetjen e plotë për ndërtimin e linjës së tensionit të lartë Shqipëri-Kosovë.
Pala gjermane shprehu vlerësimin e saj për iniciativën e qeverisë së re shqiptare për të ecur e vendosur në rrugën e luftës kundër korrupsionit dhe zgjidhjes së problemeve mjedisore.
Gjermania e mbështet gjerësisht Shqipërinë prej vitit 1988. Kështu projekte të bashkëpunimit për zhvillim mes Gjermanisë dhe Shqipërisë kanë bërë të mundur garantimin e furnizimit të qindra mijëra njerëzve me ujë të pijshëm të pastër dhe energji elektrike. Krahas kësaj shumëkund është përmirësuar sistemi i trajtimit të mbetjeve dhe ujërave të ndotura – përmendim këtu Pogradecin, Korçën, Shkodrën, Elbasanin Beratin apo Gjirokastrën.
Veç të tjerash projektet gjermano-shqiptare mbështesin gjerësisht shkollat e formimit profesional si dhe sipërmarrjet e vogla e të mesme, para së gjithash në rajonet rurale, duke nxitur kështu përmes masave në infrastrukturë dhe mbrojtje të mjedisit zhvillimin e potencialit turistik të vendit. Bashkëpunimi gjermano-shqiptar për zhvillim ndikon ndër të tjera edhe në aftësimin e Shqipërisë për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.