Sipërmarrësit shqiptarë kërkojnë bashkëpunim në ndërtimin e HEC-eve, ndërsa gjermanët duan rregulla më të qarta loje
Ata që kanë pretenduar investime të huaja cilësore në vendin tonë e kanë pyetur veten përse kapitali privat gjerman është kaq i ulët, krahasuar me shumë vende të tjera investitore te ne, por edhe më i ulët se investimet gjermane në Serbi apo edhe në Maqedoni. Dyshimet e ekspertëve kanë nxjerrë shpesh në pah ato pengesa tonat, apo dhënien e mundësive më lehtësisht për sipërmarrës të vendeve të tjera. Por, në një konferencë të zhvilluar javën e kaluar, e cila mblodhi rreth 300 përfaqësues biznesi gjermanë e sipërmarrës të tjerë nga rajoni, mesazhi ishte i qartë: “Nuk ju njohim aq sa duhet”.
Në këto 20 vitet e fundit, mund të thuhet pa frikë që financimet e qeverisë gjermane në projektet e zhvillimit në Shqipëri kanë qenë ndër më të mëdhatë. Por, sipërmarrësit gjermanë ende nuk e njohin mirë tregun shqiptar dhe atë që ofron porta hyrëse në Ballkan. Hanno Stocker, drejtor i Shoqatës për Europën Lindore e Qendrore, tha në konferencën ku merrnin pjesë përfaqësues të biznesit shqiptar dhe sipërmarrje nga rajoni i Ballkanit, se “Shqipëria mbetet ende një treg i panjohur për Gjermaninë”. Sipas tij, si Shqipëria edhe vendet e tjera të Europës Juglindore duhet të përmirësojnë imazhin e tyre në tregun gjerman, pasi kjo ia vlen në terma afatgjatë.
Prania e Kryeministrit Sali Berisha, shërbeu si një garanci më tepër për bizneset gjermane. Z.Berisha i siguroi ata se, “po bëjmë përpjekje maksimale për të ulur barrën burokratike për biznesin” dhe i ftoi ata të investojnë në Shqipëri, “pasi ky vend ka kapacitete të mëdha”. Projektet e energjisë dhe burimet e pasura natyrore ishin “kartat” më të vlefshme që shefi i qeverisë nxori në tryezë.
Mbështetje konkrete për investitorët ka ofruar Shoqata Gjermane e Industrisë e Tregtisë, e cila zhvilloi këtë konferencë. Sipas presidentes së kësaj shoqate, Andrea Gebbeken, marrëdhëniet aktuale të dy vendeve në fushën ekonomike janë të mira, por “ka shumë potencial për t’i zgjeruar këto marrëdhënie më tej dhe ne ofrojmë gjithë mbështetjen e nevojshme”. Sipas saj, është thelbësore që të punohet që Gjermania të bëhet një partner më i rëndësishëm tregtar dhe për investime për Shqipërinë.
Ambasadorja e Republikës Federale Gjermane, znj. Carola Müller-Holtkemper, vlerësoi se klima e investimeve në Shqipëri është pozitive, duke theksuar se, “sipas një anketimi, rreth 80% e kompanive gjermane do të rizgjidhnin Shqipërinë për investimet e tyre”. Por, nga ana tjetër, ajo përmendi vështirësitë me të cilat këto kompani përballen çdo ditë, ndër të tjera edhe me temën e përhershme të rimbursimit të TVSh-së.
Sipas përfaqësuesve të biznesit gjerman e shqiptar, ekonomia shqiptare deri tani ka qenë shumë e varur nga transfertat monetare nga jashtë, shërbimet dhe konsumi. Sipas tyre, tani duhet të zhvillohet patjetër industria prodhuese. Në panelet e veçanta të zhvilluara për energjinë, mjedisin e eksportet kërkesa e hapur ishte se, “një kuadër i qartë ligjor, veçanërisht për energjitë e rinovueshme, siguria për investimet dhe transparenca janë thelbësore për të hyrë në tregun shqiptar”.
Kompanitë gjermane të pranishme vinin kryesisht nga sektori i energjive të rinovueshme, ujësjellës-kanalizime, menaxhimit të mbetjeve, por edhe institucione financiare si “Deutsche Bank” apo DEG (“Deutsche Entwicklungsgesellschaft”).
Sipërmarrësit gjermanë: Një kuadër i qartë ligjor, veçanërisht për energjitë e rinovueshme, siguria për investimet dhe transparenca janë thelbësore për të hyrë në tregun shqiptar.
Koncesionet, duan bashkëpunim
Me “dyer të hapura” i kanë pritur investitorët gjermanë përfaqësuesit e biznesit shqiptar. Sipas Ilir Zhillës, kryetar i Unionit të Dhomave të Tregtisë, kompanitë gjermane duhet ta shohim tregun shqiptar me një këndvështrim më të gjerë. Legjislacioni ekonomik i përafruar i vendeve të rajonit të Ballkanit do të mundësonte shfrytëzimin e rajonit si një treg i përbashkët.
Sipas z. Zhilla, “Shqipëria mund të shërbejë si një vend ku kompanitë gjermane mund të prodhojnë dhe më tej të tregtojnë produktet e tyre në rajon”.
Duke parë përparësitë që u janë dhënë konvencioneve për ndërtimin e HEC-eve, por njëkohësisht edhe kushtet jo shumë të mira për sipërmarrësit vendas, një “ofertë” e mirë për gjermanët vjen edhe nga koncesionet. Sipas drejtuesit të Bashkimit të Dhomave, “kompanitë shqiptare kanë marrë koncesione në fushën e energjisë dhe kanë nevojë për partneritet, si në asistencën teknike të ndërtimit të HEC-eve, edhe në mbështetjen financiare.
Matet “pulsi” i sipërmarrësve gjermanë këtu, para ardhjes të të rinjve
Në një anketë që është zhvilluar me sipërmarrësit gjermanë në Shqipëri vetëm pak kohë më parë, rezulton se biznesi gjerman e vlerëson tregun shqiptar si një vend interesant për të bërë biznes. Por, ata kërkojnë kushte më të mira ekonomike e politike.
Sipas Shoqatës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë (DIHA), e cila e zhvilloi anketën për të tretin vit radhazi, kompanitë janë optimiste për punësimin, investimet dhe xhiron që bëjnë në Shqipëri. Mbi gjysma e kompanive të pyetura kanë deklaruar se xhirot e tyre janë rritur në vitin 2011 dhe presin ecuri pozitive edhe gjatë këtij viti. “Kompanitë janë relativisht të kënaqura me kostot e punës dhe punonjësit e tyre”, thuhet në rezultatet e anketimit që përfshiu 26 biznese gjermane, pavarësisht se asnjë prej tyre nuk e vlerëson situatën ekonomike në vend për vitin 2012 si pozitive. Por, 64% e të anketuarve e shohin situatën si të kënaqshme, ndërsa 36% e tyre e cilësojnë situatën aktuale ekonomike negative. Megjithatë, 54% e kompanive të pyetura besojnë se të ardhurat e tyre do të rriten. Më pak optimistë ishin sipërmarrësit e anketuar vitin e kaluar.
Edhe për investimet e sipërmarrjeve të huaja, 2012-a ka qenë i mbarë, sipërmarrjet gjermane nuk janë kursyer në investime. 48% e kompanive të pyetura përgjigjen që këto shpenzime janë rritur në vitin 2011, ndërsa vetëm 16% e tyre i kanë ulur shpenzimet. Pritshmërisë pozitive për këtë vit shihen edhe te mundësitë e punësimit. Pothuajse gjysma e kompanive parashikon rritje të numrit të të punësuarve për vitin 2012.
Por, ndërsa nisma private ka qenë pozitive, klima e biznesit në tërësi, sipas tyre, haset ende në shumë pengesa.
Sipërmarrësit gjermanë u vënë “notë negative” faktorëve ekonomikë, ligjorë dhe administrativë në Shqipëri. Sipas anketës gati 90% e kompanive të pyetura janë shumë të pakënaqura dhe të pakënaqura me luftën ndaj korrupsionit e kriminalitetit në
Shqipëri. Sipas presidentes së DIHA-s, znj. Andrea Gebbeken, “lufta ndaj korrupsionit bashkë me përmirësimin e sigurisë ligjore cilësohet si detyra më e rëndësishme dhe më urgjente për qeverinë shqiptare. Ky është një kusht i domosdoshëm për të përmirësuar faktorët ekonomikë në terma afatgjatë. Përmirësime të tjera që kërkohen nga kompanitë kanë të bëjnë me investimet në infrastrukturë dhe arsimin profesional”.
Investimet gjermane, vetëm 3.1% e totalit
Qeveria shqiptare i ka vlerësuar vazhdimisht kompanitë gjermane për seriozitetin e tyre, por realiteti i investimeve është ndryshe. Pavarësisht interesit të shprehur nga kompani gjermane për projekte të mëdha, ardhja e fluksit të investimeve nga tregu më i fuqishëm në Europë në këto kohë ka qenë tejet e kufizuar. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë (BSH) në vitin 2010, vlera totale e investimeve private gjermane në Shqipëri arriti në 84.245 milionë euro. Për këtë vit, projektet e investimeve nga Gjermania ishin vetëm 8 milionë euro, të cilat vlerësohet të kenë qenë kryesisht rezultat i shtimit të investimeve nga kompanitë ekzistuese dhe jo investime të reja. Po të shohim shifrat, ritmet e rritjes së investimeve nga Gjermania janë më të ngadalta krahasuar me ritmet që shënuan investimet e huaja private në total. Sipas të dhënave të BSH-së, në vitin 2010, stoku i investime në total u rrit mbi 18%, ndërsa stoku i investimeve gjermane,pak më shumë se 10%.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.