“Futbolli është një lojë e thjeshtë; 22 njerëz rendin pas një topi për 90 minuta, dhe në fund fiton Gjermania”: me këtë fjali të famshme, Gary Lineker, sulmues anglez i viteve ’80-’90, arriti të identifikojë në perfeksion futbollin gjerman, si për të kaluarën e tij, edhe për vitet që vijuan.
Duke filluar nga viti 2006, vit i zhgënjimit të madh për gjysmëfinalen e humbur në Botërorin e shtëpisë kundër Italisë, diçka ndryshoi dhe Federata e futbollit gjerman me punë, përkushtim dhe program të qartë, arriti të krijoi një skuadër thuajse të përkryer. Triumfi në Botërorin 2014, me fitoren e paharrueshme 7-1 në gjysmëfinale me Brazilin vendas dhe më pas 1-0 në finale ndaj Argjentinës ishte vetëm fillimi. Më pas erdhi humbja në gjysmëfinalet e Euro 2016 ndaj vendit organizator, Francës, për të arritur te dopieta fantastike e këtij viti. Kombëtarja U21 fitoi titullin europian në Poloni, duke mposhtur favoritët spanjollë në finalen e Krakovës. Dhe sikur të mos mjaftonte një tjetër skuadër thuajse 21 vjeçarësh fitoi mbrëmë për herë të parë Kupën e Konfederatave, ose siç quhet ndryshe Botërorin e vogël, duke mundur Kilin 1-0 në finale.
Merita e kësaj Gjermanie, në ndryshim nga Spanja që mbështetet te cilësia dhe teknika e organikës së saj, është numri i madh i lojtarëve dhe shpirti i grupit. Shumë futbollistë, ndoshta jo aq të mirë teknikisht sa kolegët iberikë, por gjithsesi që përbëjnë një grup me mentalitet fitues, që del mbi konceptin e individëve. Nëse futbolli shndërrohet në industri ose në biznes, atëherë Gjermania bëhet e pathyeshme.
Trajneri Joachim Low la pushim thuajse pjesën më të madhe të titullarëve dhe emrave të rëndësishëm të Die Manschaft, duke përzgjedhur futbollistë të rinj (shumë pak prej tyre me përvojë) që t’ju jepte atyre mundësinë të tregonin veten, pse jo për të fituar një vend në Botërorin e vitit të ardhshëm.
Nga ana tjetër veç Kupës së Konfederatave, zhvillohej dhe Europiani U21. Trajneri i U21, Stefan Kuntz u detyrua të hiqte dorë nga disa futbollistë të rëndësishëm, të cilët preferuan të përfaqësonin Kombëtaren e madhe në Botërorin e vogël, të zhvilluar në Rusi. Gjithsesi ai ia doli të fitonte Kampionatin Europian duke mundur Republikën Çeke, Danimarkën, Anglinë dhe duke befasuar në finale ndaj Spanjës favorite. Dy ditë më pas ishte Low, ai që kompletoi kryeveprën. Me një skuadër të mbushur me lojtarë të rinj, ai arriti të fitonte një trofe të rëndësishëm duke parë edhe kundërshtarët, si Meksika, Portugalia apo Kili.
Kupa e Botës po afron dhe Gjermania kandidohet si favoritja kryesore për të mbrojtur titullin e fituar në Brazil. Puna më e vështirë do t’i takojë trajnerit Low, të cilit do t’i duhet të përzgjedhë 23 futbollistët më të mirë, diçka mjaft e vështirë duke parë numrin e madh të tyre.
Puna 20-vjeçare ka dhënë frytet e veta dhe sot mund të rendisim pesë kombëtare të ndryshme gjermane, gati për të konkurruar me më të mirët.
Më poshtë, 5 formacionet e mundshme me rreshtimin 4-2-3-1:
Neuer; Kimmich, Hummels, Boateng, Hector; Kroos, Khedira; Muller, Ozil, Reus; Gomez
Ter Stegen; Schmelzer, Mustafi, Rudiger, Henrichs; Weigl, Gundogan; Draxler, Gotze, Sanè; Werner
Trapp; Plattenhardt, Sule, Howedes, Toljan; Emre Can, Dahoud; Gnabry, Goretzka, Brandt; Stindl
Leno; Halstenburg, Tah, Ginter, Weiser; Demme, Rudy; Volland, Meyer, Schurrle; Wagner
Pollersbeck; Gerhardt, Kempf, Stark, Passlack; Arnold, Demirbay; Amiri, Havertz, Philipp; Selke