Kancelaria gjermane Angela Merkel në prag të Konferecës së donatorëve për refugjatët në Siri që mbahet në Londër, ka njoftuar se Gjermania do të ofrojë 2.3 miliardë euro për viktimat e luftës së atjeshme qytetare.
Merkel citohet të ketë thënë nga mediat gjermane se qeveria Federale është e bindur se fluksi i madh i refugjatëve mund të evitohet vetëm nëse ne i luftojmë në vendin e zhvillimit, shkaqet për largimet nga vendi.
Gjatë konferencës së përmendur të donatorëve, Britania e Madhe së bashku me Norvegjinë janë zotuar gjithashtu për një donacion që deri në vitin 2020 do të arrijë në 2.6 miliardë euro.
Nga ana tjetër shtetet arabe të Magrebit (Afrika Veriore) si Algjeria, Maroku dhe Tunizia, vijojnë të rezistojnë të pranojnë refugjatët nga vendet e tyre, të cilët i dëbon Gjermania dhe si kusht për ta bërë pranimin e bashkatdhetarëve të tyre kërkojnë kompensim material në shuma disamilionëshe. Qëllimi është që me këto para vendet e përmendura kërkojnë të financojnë projekte të ndryshme të tregut të punës ose dhe të trajnimeve profesionale në vend.
Për momentin në regjion ndodhen zyrtarë nga Ministria e Brendshme dhe ajo për zhvillim, për të negociuar kushtet të cilat vendet e përmendura kërkojnë që të plotësojë Gjermania.