Gjiknuri-Çela inspektojnë punimet, 6 milionë euro investim në nënstacionin e Selitës

11/01/2017 1:54 PM 0 komente

Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri shoqëruar nga administratori i OSHEE-së z.Adrian Çela inspektuan sot investimet që po kryhen për zgjerimin e nënstacionit elektrik të Selitës. Vlera e investimit të parashikuar për këtë nënstacion arrin në 6 milion Euro. Parashikohet dyfishimi i kapacitetit nga 30 në 65 MW ndërsa fuqizohen me 50% edhe fiderat përkatës.

Me këtë nënstacion lidhen 23 fidra çka nënkupton se investimi ndikon në përmirësimin e cilësisë së funrizimit me energji për një numër të konsiderueshëm konsumatorësh përgjatë zonës së Unazës së Madhe, rrugës Teodor Keko, ish-Fushës së Aviacionit, Pallatet Hauai, Laprakë etj.

Vendosja e 6 fiderave të rinj do të mund të krijojnë unazën për të menaxhuar më mirë ngarkesat, sidomos në zona problematike si Misto Mame dhe Yzberishti.

Ministri Gjiknuri deklaroi se konsumi i rritur për shkak të uljes së fortë të temperaturave shërbeu edhe si një test për të parë vlerën e investimeve të kryera nga kompania deri më tani.

“Ndërprerjet kanë qenë shumë më të pakta ndërsa koha e riparimit të tyre më e shpejtë çka tregon se sistemi ka qenë në gadishmëri të plotë dhe investimet kanë dhënë efektin e tyre. Siguroj shqiptarët se pavarësisht se do kemi probleme me motin në ditët në vijim, OSHEE do të jetë në gadishmëri për tër riparuar defektet në kohë shumë të shkurtër dhe kjo po konfirmohet jo vetëm nga të zgjedhurit vendor por dhe qytetarët që e bëjnë vet diferencën”, u shpreh Gjiknuri duke sqaruar se pavarësisht të metave që ka ende sistemi nuk duhet harruar se deri para tre vitesh sektori po “vdiste” nga “tumori” që e kishte përfshirë.

Administratori i Operatorit të Shpërndarjes z.Adrian Çela tha se në këtë nënstacion nuk ishte kryer investim që në vitin 1956. “Parashikojmë të rinovojmë deri në fund të vitit gjithë nëstacionin e Selitës. Janë dhe 6 fidera të rinj të cilët 3 kanë hyrë në funksion që para festave vitit të ri. Në sajë të fuqizimit të nstacionit të Selitës dhe këtyre fiderave të rinj arritëm të menaxhojmë situatën tejet të ngarkuar për festat dhe motin e ftohtë të këtyre ditëve. Radha e nëstacionit të Selitës erdhi pasi përfunduam spostimin dhe fuqizimin e nstacionit të Qendrës që filloi në Nëntor e përfundoi në mes të Dhjetorit. Kemi parashikuar që brenda vitit të kryhen punimet për 4 nënstacione të reja për qytetin e Tiranës. Fuqizimin e atyre ekzistuese, pra nëstacionit të autotraktorave, fillimin e punimeve për nëstacionin e Kombinatit që është projekt i BB, nëstacionin e Kasharit, atë të Valiasit dhe nënstacionin e ri të Qendrës”, theksoi Çela.

Sipas tij, gjithë këto investime janë të bëra me të ardhurat e kompanisë dhe për vitet 2015-2016 janë investuar rreth 20 milion euro për Tiranën, si në zonat periferike dhe në qendër të qytetit.

“Janë rreth 12 mln euro në proces përsëri për Tiranën, janë ndërtuar 170 kabina të reja të sistemit 20 kv dhe janë rinovuar 120 të tjera. Dhe vetëm për këtë vit parashikojmë rinovimin e 250 kabinave që janë të amortizuara si dhe ndërtimin e 8 fiderave të rinj”, nënvizoi Çela.

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz