Gjiknuri në Rrugën e Kombit: Tarifë më e reduktuar për transportin publik, po verifkojmë mjetet e targuara në Kukës

14/04/2018 10:50 AM 0 komente

Rruga e Kombit, investimi më i madh infrastrukturor në vend është ende një kantier i hapur dhe sipas Ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës dublimi i urave të mbetura të papërfunduara dhe elementët e sigurisë rrugore do të mbyllen brenda këtij viti. Gjiknuri shoqëruar nga drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar Afrim Qendro inspektuan në Kukës kantierin e hapur në një prej urave të cilat po dublohen. Ministri ka prekur edhe çështjen e tarifës që do t’i paguhet koncesionarit për kalimin në rrugë.

“Jemi duke negociuar me koncesionarin por njëkohësisht duke u konsultuar edhe me popullatën për të gjetur një zgjidhje për një tarifë të reduktuar për banorët e këtyre zonave, sidomos për transportin publik dhe qytetarët që e përdorim më shpesh rrugën Kukës-Tiranë. Nga ana tjetër, dua të them që kemi filluar edhe me evidentimin e të gjitha mjeteve që janë të targuara në Kukës. Jemi duke bërë krahasimet me banorët që janë pjesë e këtij komuniteti dhe që i zotërojnë këto mjete, në mënyrë që të trajtohet ajo fashë e njerëzve që preken nga ky koncesion dhe që jetojnë në Qarkun e Kukësit. Është një proces i filluar mirë dhe besoj brenda një periudhe shumë të shkurtër, përpara se të fillojë dhe njëherë funksionimi i pagesave të Toll-it, ne do të kemi një zgjidhje. Besoj do jetë shumë e pranueshme por njëkohësisht nuk cënon edhe efektivitetin e kontratës, nuk cënon mbarëvajtjen e kontratës për mirëmenaxhimin e kësaj rruge”, nënvizoi Gjiknuri

Punimet në Kukës-Morinë

Drejtori i ARRSH Afrim Qendro sqaroi se tanimë janë programuar fondet dhe do të garantohet përmbyllja e dy kontratave të zvarritura prej vitesh e që kanë të bëjnë me përfundimin e 7 urave. Sipas tij, mos kryerja e investimit në kohë dhe defektet që e kanë shoqëruar në fazën e zbatimit, kanë shkaktuar tashmë mosrakordim të trupit të rrugës me urat dhe veprat e artit janë në disnivel. Për këtë shkak, ARRSH ka filluar procedurat për plotësim rakordim masash mbrojtëse dhe siguri rrugore në viaduktet e aksit Kukës- Morinë.

Ndërhyrja zgjidh problemin e ndërtimit të rrugëve lidhëse të fshatit Pobreg me qëllim hyrje-daljen e mjeteve të kësaj zone në aksin Kukës-Morinë. Gjithashtu, për rritjen e sigurisë rrugore dhe qarkullimin e këmbësorëve në fshatrat e komunitetit anës segmentit Kukës-Morinë, parashikohet vendosja e tre mbikalimeve.

Ministri Gjiknuri tha se ky segment i autostradës u la i papërfunduar për shumë vite duke u kthyer në një burim aksidentesh.

“Le të themi që brenda këtij viti, këtë pjesë të autostradës, pra nga Kukësi deri në kufi ta kemi plotësisht të përfunduar. Kjo është edhe për të dhënë një mesazh që qeveria shqiptare i ka kushtuar vëmendje shumë këtij aksi kaq të rëndësishëm rrugor. Një aks që ka marrë shumë para të shqiptarëve por fatkeqësisht nuk ka përfunduar. Ne duam që ta përfundojmë ashtu sikurse duam edhe ta mirëmbajmë këtë aset. Gjithë kjo iniciativë që u ndërmor edhe në lidhje me koncesionimin e kësaj rruge ka patur për qëllim mbarëvajtjen e kësaj infrastrukture, sinjalistikën e nevojshme, përforcimet e nevojshme që kjo autostradë, pra ky aset, të menaxhohet siç duhet, ndryshe ky aset me kaq vlerë, pak nga pak me vitet do të humbiste”, u shpreh Gjiknuri.

 

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz