Tashmë të gjithë individët, të cilët do të punojnë në sektorin e punës sociale, do të licencohen për ushtrimin e veprimtarisë së tyre nëpërmjet Urdhrit të Punonjësve Socialë. Ndërkaq, Urdhri do të ketë edhe fuqinë administrative për të tërhequr licencën për të ushtruar profesionin e punonjësit social qoftë në sektorin publik ashtu edhe në atë privat. “Urdhri nëpërmjet organeve të tij jep dhe heq të drejtën e ushtrimit individual të profesionit të punonjësit social nëpërmjet dhënies dhe revokimit të licencës profesionale”, – thuhet në pikën 3, të nenit 6 të projektligjit “Për Urdhrin e Punonjësve Socialë në Republikën e Shqipërisë”.
Përbërja
Ky Urdhër do të jetë i depolitizuar dhe do të ketë një Bord drejtues të përbërë nga 9 anëtarë, të cilët do të zgjidhen nga Asambleja e Urdhrit, ku do të bëjnë pjesë të gjithë individët, të cilët ushtrojnë veprimtarinë profesionale në punën sociale. Anëtarësimi në këtë Urdhër, është kusht për individët, të cilët duan të punojnë në sektorin e punës sociale. “Asnjë individ nuk mund të ushtrojë profesionin e punonjësit social në sistemin publik apo privat në Republikën e Shqipërisë pa qenë anëtar i Urdhrit”, – thuhet në pikën 1, të nenit 8 të projektligjit. Gjithashtu, pjesë përbërëse e Urdhrit do të jetë edhe Komisioni i Shqyrtimit Disiplinor Profesional, i cili do të ketë fuqinë e marrjes së masave ndëshkuese administrative për punonjësit socialë.
Ndëshkimet
Gjithsej janë 6 masa ndëshkimore, të cilat mund t’i administrojë Komisioni i Shqyrtimit Disiplinor Profesional për punonjësit e punës sociale (i cili detyrimisht është anëtar i Urdhrit), pasi të jenë shqyrtuar faktet dhe të jetë vërtetuar me fakte se anëtari i hetuar ka kryer shkelje të etikës, të Kodit të Etikës dhe Deontologjisë Profesionale (i cili miratohet nga Asambleja e Urdhrit) ose ka bërë gabime teknike. Këto 6 masa janë:
1. Vërejtje me shkrim;
2. Vërejtje me paralajmërim;
3. Gjobë nga 5 mijë deri në 50 mijë lekë;
4. Pezullim nga e drejta e zgjedhjes në organet drejtuese të Urdhrit të Punonjësve Socialë deri në 3 vjet;
5. Revokimin e licencës individuale profesionale dhe përjashtimin nga Urdhri për një periudhë deri në 3 (tre) vjet;
6. Propozim për shkarkim nga organet drejtuese. Nga ana tjetër, Komisioni i Shqyrtimit Disiplinor, ka të drejtë t’u caktojë të ndëshkuarve edhe kryerjen e një rikualifikimi ose të studimeve plotësuese të përcaktuara me rregullore, përpos 6 masave ndëshkimore të lartpërmendura.
Komisioni
Komisioni i Shqyrtimit Disiplinor Profesional verifikon dhe shqyrton ankesat dhe informacionet apo sinjalizimet e ardhura nga institucione të ndryshme, palë interesi, nga anëtarë të Urdhrit, si dhe nga vetë Bordi për shkelje të Kodit të Etikës dhe Deontologjisë Profesionale si dhe për gabime profesionale nga anëtarët e Urdhrit. Komisioni përbëhet nga 15 anëtarë, prej të cilëve minimalisht 3 janë juristë dhe të tjerët profesionistë të Urdhrit. Në gjykim marrin pjesë 3 anëtarë profesionistë dhe një jurist. Përzgjedhja e tyre bëhet, rast mbas rasti, me short, sipas rregullores së komisionit disiplinor. Përzgjedhja e Komisionit të Gjykimit Disiplinor Profesional bëhet çdo katër vjet me njoftim publik, sipas statutit të Urdhrit.
Si do të funksionojë Asambleja e Urdhërit
Asambleja e Urdhrit të Punonjësve Sociale është organi më i lartë i përfaqësimit dhe vendimmarrës i Urdhrit dhe përbëhet nga tërësia e anëtarëve të Urdhrit, të cilët janë të gjithë punonjësit e punës sociale të sektorit publik dhe privat. Kjo Asamble emëron dhe shkarkon përfaqësuesit e Bordit të Urdhrit, kryetarin dhe zëvendëskryetarin e Bordit të Urdhrit, me votim të fshehtë nga anëtarësia e saj. Ajo drejtohet nga kryetari i Asamblesë së Urdhrit që zgjidhet me votë të fshehtë nga anëtarësia e asamblesë. Mandati dhe funksionet e kryetarit të Asamblesë së Urdhrit rregullohen në statutin e Urdhrit. Si rregull, Asambleja mblidhet 1 herë në vit dhe mund të mblidhet në raste të veçanta nga 2 anëtarë të Bordit të Urdhrit ose 1/5 e të gjithë anëtarësisë së Asamblesë së Urdhrit. Zgjedhjet për Bordin bëhen për çdo 3 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm 1 herë. Procedurat e vendimmarrjes dhe funksionimit të Asamblesë së Urdhrit rregullohen në statutin e Urdhrit.
Kompetencat
Në nenin 12, të projektligjit për “Për Urdhrin e Punonjësve Socialë në Republikën e Shqipërisë”, shpjegohet edhe kompetencat e Asamblesë së Urdhrit, të cilat janë si më poshtë:
1. miratimi i statutit të Urdhrit;
2. miratimi Kodit të Etikës dhe Deontologjisë Profesionale;
3. miratimi i rregullores për gjykimin disiplinor profesional;
4. miratimi i rregullores për regjistrimin, anëtarësimin dhe licencimin, si dhe regjistrimi në regjistrat e posaçëm në Urdhër;
5. miratimi i rregullores për organizimin e praktikës profesionale;
6. shqyrtimi dhe miratimi i projektbuxhetit të Urdhrit, si dhe shqyrtimi i buxhetit faktik të tij;
7. analiza e veprimtarisë vjetore të organeve të Urdhrit;
8. shqyrtimi i raportit të auditit të jashtëm, në intervale 3-vjeçare.
Mungesa e kualifikimeve, si do të veprohet
Me të hyrë në fuqi ky projektligj të gjithë ata individë të cilët ushtrojnë veprimtarinë e punonjësit social apo shërbime të tjera të kësaj fushe, edhe pse mund të kenë mungesa në kualifikimin e tyre (siç kërkohet nga ky projektligj dhe aktet e tij nënligjore që do të miratohen pasi të ketë hyrë në fuqi), ata do të mund të ushtrojnë profesionin e tyre për një afat të caktuar. Ndërkaq, ata do të jenë të detyruar të ndjekin kurse kualifikimi dhe rikualifikimi, në mënyrë që të përditësojnë aftësitë e tyre profesionale konform standardeve ligjore. Nga ana tjetër, këta individë, të cilët do t’u duhet të kryejnë trajnime, duhet të regjistrohen përkohësisht në një regjistër të posaçëm të Urdhrit të punonjësit Social deri në përmbushjen e kritereve të nevojshme të anëtarësimit. Në të kundërt ata nuk do të mundin të ushtrojnë profesionin në sektorin e punës sociale.
Si do të përkufizohen termat sipas legjislacionit
Risia në përpilimin e legjislacioneve gjatë qeverisjes së majtë, është vendosja e saktë e përkufizimeve në mënyrë që të shmangen keqkuptimet ligjore. Për projektligjin “për urdhrin e punonjësve socialë në republikën e Shqipërisë”, termat e rëndësishme përkufizohen si mëposhtë:
“Punë sociale”, veprimtaria profesionale e bazuar te praktika si dhe një disiplinë akademike që promovon ndryshimin, zhvillimin dhe kohezionin social, si dhe fuqizimin dhe pavarësimin e njerëzve.
“Punonjës social”, një profesion i rregulluar që ushtrohet në fushën e punës sociale, në nivel makro, mezo dhe mikro, në shërbim të individëve, familjeve, grupeve, komuniteteve, institucioneve të nivelit qendror e vendor në sistemin publik dhe privat.
“Profil i administratorit shoqëror”, një profil i punës sociale që parashikon një formim dhe kualifikim profesional të veçantë.
Përbërja dhe zgjedhja e Bordit të Urdhrit
Bordi i Urdhrit është organi ekzekutiv i Urdhrit, i cili përbëhet nga 9 anëtarë, të cilët janë: kryetari; zëvendëskryetari; një përfaqësues nga ministria përgjegjëse për çështjet sociale; një përfaqësues me rotacion nga ministritë e përcaktuara në legjislacion; një përfaqësues nga bota akademike e shkencave të punës sociale; një përfaqësues nga shoqatat e klientëve/përfitues të shërbimeve; dhe 3 punonjës socialë, përfaqësues të Asamblesë së Urdhrit.
Në momentin e zgjedhjes, anëtarët e Bordit, kryetari dhe zëvendëskryetari duhet të jenë jo më shumë se 65 vjeç. Kriteret dhe procedurat për zgjedhjen e anëtarëve të Bordit miratohen nga Asambleja e Urdhrit, si pjesë e statutit të Urdhrit. Vendimet e Bordit janë të vlefshme kur në mbledhjet e bordit janë të pranishëm dhe votojnë mbi 2/3 e anëtarëve.
/Shekulli
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.