Gjiknuri sqaron si do funksionojë bursa e energjisë

12/02/2018 5:40 PM 0 komente

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri prezantoi sot në Komisionin për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 43/2015 “Për sektorin e energjisë elektrike””.

Në fjalën e tij para deputetëve në komision, ministri Gjiknuri u shpreh se ndërhyrjet në ligj bëjnë të mundur avancimin e një projekti që tashmë ka nisur, që lidhet me krijimin e  tregut të energjisë elektrike të liberalizuar, proces  të cilin Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë e konsideroi si të vështirë e që do të marrë kohë.

“Sot Shqipëria ka një treg të vogël të liberalizuar. Pra, rreth 10% e energjisë tregtohet lirshëm. Ne po bëjmë hapat tonë të mëtejshëm duke bërë investimet e nevojshme në mënyrë që të shtohet numri i klientëve dhe praktikisht edhe me ligjin në fuqi duhet të jetë një pjesë e klientëve në 35 kilovolt që duhet të dalin në tregun e liberalizuar.

Një pjesë e tyre kanë pasur vështirësi dhe këtë duhet ta themi, sepse nuk gjejnë furnizues apo e kanë të vështirë të bëjnë këtë kapërcim të menjëhershëm nga një treg i rregulluar në tregun e liberalizuar dhe për këtë janë edhe dispozitat përkatëse ligjore, ku ndërmjet të tjerave ka patur edhe një  propozim për t’i sanksionuar disa elementë tranzitorë edhe në projektligjin në fjalë, por që edhe kjo i shërben asaj që do të quhet krijimi i tregut. Sepse që të funksionojë bursa duhet të kemi një liberalizim të mëtejshëm të tregut të energjisë”, – deklaroi ministri.

Gjiknuri u shpreh se qëllimi i këtij projektligji është të autorizojë Këshillin e Ministrave të ndërmarrë disa hapa për ta konkretizuar krijimin e këtij entiteti që do të quhet bursa.

“Do të jetë një kompani e cila do të bashkëpunojë edhe me kompani private që ka eksperiencë në fushën e menaxhimit të tregjeve të energjisë elektrike dhe sot në Europë nuk ka më shumë se sa dy kompani.

Prandaj qëllimi është që të gjitha këto asete në Shqipëri që sa vijnë e shtohen nga pikëpamja e prodhimit dhe gjenerimit të energjisë elektrike dhe nesër në një treg të liberalizuar, gjithë shtesa e energjisë, të hidhet në këtë platformë dhe ky do të jetë si ai tregu i shumicës ku çdo përdorues energjie do të shkojë dhe do të marrë mallin aty. Pra kjo do të jetë bursa qoftë e ditës qoftë në avancë për marrjen e energjisë elektrike”, – u shpreh Gjiknuri.

Më tej, ministri bëri me dije se autorizohet Operatori i Sistemit të Transmetimit, për të pasur të drejtën të bëjë partnership me një shoqëri sipas rregullave të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave për të krijuar këtë entitet të veçantë, ku shteti do të ketë rol deciziv për ta mbikëqyrur.

OST si zotërues i gjithë rrjetit të transmetimit do të trajtojë jo vetëm flukset e energjisë të cilat prodhohen në Republikën e Shqipërisë, por edhe ato që do të vijnë nga importi apo që nesër do të eksportohen.

Në përfundim, Gjiknuri u shpreh se në projektligj janë reflektuar edhe rekomandimet e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë. Ai theksoi se çdo procedurë për formimin e një partneriteti do të bëhet transparente, do të jetë pjesë e rregullave që do të përcaktojë Këshilli i Ministrave, ndërsa shtoi se do të shqyrtohen edhe amendimet e mundshme që mund të paraqiten nga ana e deputetëve përfshi edhe problemin e periudhës tranzitore për përdoruesit e energjisë të cilët do të furnizohen tashmë në një treg të liberalizuar.

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz