Flet Përfaqësuesi i shoqatës “Pronësi me drejtësi” Myrshit Vorpsi
Një vendim i fundit i qeverisë që ngriti një Task Forcë për verifikimin e pronave në bregdet dhe një tjetër për pezullimin e procesit të marrjes së aktit të pronësisë në 12 bashki, kryesisht bregdetare, duket në pamje të parë se nuk i prek ish-pronarët.
Por përfaqësuesi i shoqatës “Pronësi me drejtësi” MyrshitVorpsi, në një intervistë për “Monitor”, sqaroi se ky kontingjent po goditet sërish. Ai sqaroi se fillimisht, të prekur janë ata që kanë fituar të drejtën e tyre për pronat në brezin e “ndaluar” nëpër gjykata, por që tani nuk do t’ju regjistrohet nga institucionet.
Së dyti, grupi i atyre që dosja ende ju fle në arkivat e Agjencisë së Trajtimit të Pronave. Janë të paktën 10 mijë dosje të pashqyrtuara, ku ish-pronarët që mund të pretendojnë pronësinë në tokat e tyre në bregdet, e kanë të humbur këtë betejë pa e nisur ende mirë.
Qeveria ka ndërmarrë dy vendime së fundmi, që lidhen me krijimin e një Task Force që po verifikon të gjithë pronat në bregdet dhe njëkohësisht ka pezulluar edhe një proces që lidhet me ish-ndërmarrjet bujqësore. Si e shihni këtë nismë mbi pronësinë?
Vendimi i Këshillit të Ministrave për krijimin e Task Forcës ka si qëllim evidentimin e pasurive të paluajtshme shtetërore në bregdetin shqiptar, me qëllim investimet në turizmin bregdetar. Kjo njësi do të regjistrojë në një regjistër të veçantë pasuritë e paluajtshme shtetërore që ndodhen në rrezen 1.5 kilometra nga dhe që mund të përdoren për investime potenciale në turizmin bregdetar, me të gjitha të dhënat e tyre.
Ky vendim i Këshillit të Ministrave duket se ka dalë në zbatim të ligjit 9315 “Për turizmin”, një ligj i cili për hir të së vërtetës është ankimuar nga ana e shoqatës “Pronësi me drejtësi”, në tetor të vitit të kaluar në Gjykatën Kushtetuese për ato nene të cilat cenojnë të drejtat pasurore të pronarëve të origjinës, të cilët janë pajisur me vendime administrative ose gjyqësore përfundimtare dhe që nuk janë regjistruar në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Kjo është pak a shumë situata ku jemi sot me këtë VKM.
A mund të na jepni ndonjë detaj më shumë për arsyet që e keni çuar ligjin në Kushtetuese dhe ku qëndron lidhja që ka ky ligj “Për turizmin” me ish-pronarët?
Ligji “Për turizmin” nuk parashikon vetëm zonat në fashën bregdetare, por ndërtimin e strukturave akomoduese në të gjithë territorin. Pa dashur të paragjykojmë ligjin, ka një arsye të thjeshtë pse e kemi ankimuar atë. Ky ligj, ashtu si ligji për investimet strategjike nga ligjvënësi, janë vlerësuar me interes publik.
Në momentin që këto ligje janë cilësuar si të tillë do të thotë që për të gjitha pasuritë që do të trajtojnë nesër apo pasnesër, e lidhur sidomos me ndërtimin e fshatrave turistikë dhe strukturave akomoduese në pasuritë pronë private që përfshihen brenda fashës, do të bëhen shpronësime nën ombrellën e “interes publik”.
Pra ligjvënësi është treguar shumë i kujdesshëm në qëllimin e tij, për të përcaktuar ligjin e turizmit si interes publik, pasi me këtë lëvizje ka hapur gamën e veprimit për shpronësimin në këtë kategori. Qëllimi është i pastër: në një fashë 1.5 kilometra nga bregu, qeveria kërkon të pastrojë në funksion të ligjit për turizmin gjithë pasuritë shtetërore, përfshi këtu jo vetëm tokat bujqësore por edhe pyjet, kullotat, livadhet dhe bregun e detit.
Zona ranore është si masë e parë, si masë e dytë është ajo që u takon titujve të pronësisë të ligjshëm, që janë brenda kësaj fashe nga bregu i detit. Po flas për toka që kanë qenë objekt i ligjit 7501, ashtu siç mund të kenë qenë dhe objekt i komisioneve të kthimit dhe kompensimit të pronave për pronarët e origjinës.
Nëpërmjet klasifikimit si interes publik kuptohet që, nëse do të bien në zona me përparësi turizmin, do të shpronësohen në favor të shtetit në bazë të ligjit dhe ky i fundit do të bëhet me çmimet që parashikon zëri kadastral i këtyre pronave. Pra, në pjesën më të madhe tokë bujqësore, pyje, kullotë me një çmim që nuk e kalon 300-400 lekë për metër katror. Këto prona investitori do t’i marrë nga shteti shqiptar sipas ligjit për turizmin, për një periudhë 99-vjeçare dhe madje mund t’i jepet në kuadër të nismës “Shqipëria 1 euro”.
Sidoqoftë, në raport me pritshmëritë e pronarëve shqiptarë ekziston potencialisht mundësia e shtetëzimit të pronave të kthyera apo e mosregjistrimit pranë Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të atyre pronave që, me vendim gjykate apo vendim tjetër, u janë njohur pronarëve shqiptarë, por ata nuk janë pajisur me certifikatë pronësie. Këto prona nuk u regjistrohen
Agjencia e Trajtimit të Pronave ka ende me mijëra dosje të pashqyrtuara. Çfarë risku ka vendimi i qeverisë për këtë grup?
Po, brenda fashës 1.5 kilometra është edhe pjesa tjetër për pronat për të cilat Agjencia e Trajtimit të Pronës nuk është shprehur me vendim. Kjo agjenci ka deklaruar se janë të paktën edhe 10 mijë dosje të pashqyrtuara që parashikojnë kërkesa të pronarëve shqiptarë të bëra dhe depozituara duke nisur nga viti 2008.
Sipas informacionit zyrtar të ATP, në këto 10 mijë dosje, kërkesat e pronarëve shqiptarë janë që t’ju kthehen apo kompensohen një sipërfaqe toke pyll, kullotë, livadh gati 145 mijë hektarë pa përfshirë këtu edhe 4700 hektarë tokë truall. Për të gjitha këto kërkesa të depozituara, për të cilat nuk është marrë vendim, por që prona e tyre mund të jetë në ato që sot po konsiderohen si me përparësi turizmin apo investimet strategjike, nuk do të ketë kthim nga ana e ATP-së, sepse ligji për trajtimin e pronës 133/2015, në nenin 20 të tij, ka parashikuar dhe thënë qartë që nëse pronat e pretenduara të pronarëve shqiptarë bien brenda fushës së veprimit të 16 ligjeve, ku përfshihen edhe ligji “Për turizmin” apo ai për investimet strategjike, prona e pronarëve shqiptarë nuk ju kthehet apo kompensohet. Pra në gjithë pozicionet, pronarët shqiptarë të origjinës, sipas ligjit të turizmit dhe VKM-së për Task Forcën, janë të zeruar. Ato nuk përfitojnë dot asgjë.
A mund të përbëjë kjo një arsye për t’ju drejtuar sërish Strasburgut?
Shoqata “Pronësi me drejtësi” e ka kundërshtuar qoftë ligjin për trajtimin e pronës 133, qoftë dhe ligjin “Për turizmin” pranë Gjykatën Kushtetuese. Në këtë kuadër, për aq kohë sa jemi brenda këtyre ankimeve duhet t’ju informoj se tashmë Gjykata Kushtetuese nuk është më instancë e fundit në të cilën drejtohen ankesat ose kërkesat e pronarëve shqiptarë, pasi sistemit gjyqësor shqiptar i është bashkangjitur dhe Gjykata e Strasburgut.
Çdo ankimim i yni i dërguar në Gjykatën Kushtetuese, në një kopje i drejtohet edhe Strasburgut. Ne presim që, për të regjistruar këtë fakt që brenda muajit qershor, Gjykata e Strasburgut të dalë me një vendim sa i takon rastit të 89 çështjeve të përmbledhura pranë kësaj gjykate në rastin Cale dhe të tjerë kundër Shqipërisë. Janë kërkesa të pronarëve shqiptarë, të dërguara në Gjykatën e Strasburgut dhe që kanë të bëjnë me kompensime të parealizuara nga shteti shqiptar për vendimin e Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.
Në dijeninë tonë, në pjesën më të madhe të këtyre çështjeve në përkthimin e Avokatit të Shtetit, ka qenë që qeveria shqiptare i ka kërkuar Gjykatës së Strasburgut që tokat e këtyre pronarëve shqiptarë për kompensim të vlerësoheshin për efekt të kompensimit si toka bujqësore. Kjo do të çonte drejt zeros të gjitha pritshmëritë e pronarëve shqiptarë.
Po në këtë kuadër dua t’ju them se ky pretendim i qeverisë shqiptare, që ka të bëjë me thelbin e nenit 6/1 Për Trajtimin e Pronës, është rrëzuar me pesë vendime të mëparshme nga Gjykata e Strasburgut, në harkun e viteve nëntor 2015 dhe mars-prill 2016. Ne shpresojmë që, edhe në rastin e këtyre 89 çështjeve, Gjykata e Strasburgut të mbajë të njëjtin qëndrim, sepse 5 vendimet që përmenda janë precedent që ilustron natyrën e vendimmarrjes së ardhshme.
Mjafton edhe një vendim i vetëm që do të shpallë Gjykata e Strasburgut pas qershorit të këtij viti, që t’i krijojë mundësinë shoqatës të ridrejtohet dhe një herë në Kushtetuese ku do të kërkojë shfuqizimin e nenit 6/1 për trajtimin e pronës, i cili është edhe thelbi i ligjit 133/15. Me rrëzimin e këtij neni, Gjykata Kushtetuese do të jetë detyruar ta shfuqizojë, sepse vlerësohet si një gjykatë që është nga niveli nën Strasburgun. Me shfuqizimin e këtij neni, ligji automatikisht është i rrëzuar.
Ka pasur së fundmi lajme mbi abuzimet që janë bërë me tokat në bregdet, ku rasti i Lezhës ishte edhe më i bujshmi, si e shihni këtë situatë?
Vendimi për Task Forcën dhe arrestimet në Lezhë kanë ndodhur në të njëjtën kohë. Gjithsesi, korrupsioni dhe skema e mashtrimit apo falsifikimit të pronësisë është rrjedhojë e Ligjit 7501 dhe zbatimit të tij gjatë kësaj periudhë 25-vjeçare. Keni parasysh, Ligji 7501 ka qenë një kalë troje në betejat elektorale të të dyja partive, ashtu si dhe ligji për legalizimet më vonë.
Është bërë si një kalë beteje në fillimet e saj nga PD kur ishte në pushtet dhe më pas nga qeveria e PS sot. Pra përfundimisht ata njerëz aty në Lezhë nuk kanë kryer as më shumë dhe as më pak të njëjtin akt që është kryer në gjithë Shqipërinë. Ka qenë ligjvënësi vetë që ka hapur rrugën për këtë skemë të mashtrimit dhe kjo është bërë me ligj.
Shihni ligjin 9948 të 2008 “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”. Ky ligj i 2008-s, që është në fuqi sot e kësaj dite, ka parashikuar që, pranë çdo prefekture në gjithë vendin të krijoheshin Komisione Vendore të Verifikimit të Titujve të Pronësisë dhe qëllimi i punës së tyre ishte që të kontrollonte si janë ndarë titujt e pronësisë. Ato AMTP-të e famshme.
Ato komisione funksionojnë sot e kësaj dite. Rastet që ka ndërhyrë prokuroria për verifikim do të mjaftonin minimalisht që gjithë këto komisione të shkriheshin, sepse kanë qenë objekt i punës së tyre të verifikonin këtë që ka ndodhur.
Por kur ju thashë që ka qenë ligjvënësi që është kujdesur për këtë pjesë, mjafton të shini nenin 9 të ligjit. Që ka parashikuar që kur mbajtësi i parë i titullit të pronësisë mbi tokën bujqësore në kundërshtim me ligjin, nuk e posedon më tokën në mënyrë të plotë ose të pjesshme, si pasojë e një transaksioni apo shpronësimi për interes publik, detyrohet që për sipërfaqen e tokës së shitur, të përftuar në kundërshtim me ligjin, të kryejë pagesën e kësaj toke dhe vlera e së cilës caktohet sipas hartës së tokës.
Pra në vend që ligjvënësi të kishte thënë që toka e përftuar në kundërshtim me ligjin i kthehet shtetit, siç ka ndodhur në raste të tjera, përkundrazi këtë skemë e ka ligjëruar në këtë nen. Në gjykimin tonë, e keqja nuk është te njerëzit, por te ligji.
Po me kompensimin fizik të ish-pronarëve çfarë po ndodh sot?
Është groteske ajo që po ndodh me këtë pjesë. Qeveria shqiptare ka përcaktuar një fond toke bujqësore pyll kullotë për kompensimin fizik të pronarëve shqiptarë, kompensim i cili me vendimin e fundit të qeverisë shqiptare nr.766 të 2017, është mënyra kryesore. Ky fond toke, sipas vendimit përkatës të qeverisë shqiptare, përfshin një sipërfaqe toke 23 369 hektarë të shpërndara në 23 400 parcela toke, nga këto parcela 77 për qind e tyre janë parcela që kanë një madhësi 0.5-0.7 hektarë.
Kjo është për fondin e tokës. Pjesa tjetër e groteskut, për të mos thënë dashakeqësi, është fakti se ku janë këto toka për kompensimin e pronarëve. Këto toka, po sipas vendimit të qeverisë, janë të shpërndara në 661 fshatra, të 4 qarqeve të vendit Berat, Elbasan, Gjirokastër dhe Korçë, janë toka në kooperativat më malore dhe të humbura. ATP, në zbatim të ligjit, do t’i kompensojë pronarët shqiptarë me këto 23 mijë parcela të shpërndara në fshatra që, ndoshta një pjesë mirë e popullit, nuk ua ka dëgjuar emrin të kompensohen atje.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.