Gjuetia për inxhinierë

10/06/2018 4:26 PM 0 komente

Universiteti Politeknik i Tiranës thith çdo vit maturantët më të mirë të vendit. Studentët e tij janë target-grupi më i kërkuar nga rekrutuesit dhe për këtë arsye, UPT zhvilloi panairin e parë të punës. Pjesa më e madhe e studentëve që dalin nga bankat e këtij universiteti lakmojnë tregun europian.
Sfidat për UPT, më i vjetri në vend, janë të shumta, nga ambientet e kufizuara deri te largimi i stafit akademik në universitetet europiane. Me gjithë këto vështirësi po mundohet që të mbajë lart standardin…

 

Nga Ledina Loga

 

Ditmar Halla është një inxhinier mekanik i sapodiplomuar në Universitetin Politeknik të Tiranës. Po bëhen thuajse 10 muaj që ai është i punësuar pranë kompanisë gjermane Forschner, që prodhon prej 2015-s pjesë për Mercedes Benz dhe Philips në Shqipëri. Fillimisht nisi të punojë si praktikant përkundrejt pagesës dhe më vonë do të lidhte një kontratë definitive punësimi. Sot, Ditmari është përzgjedhur nga kompania si rekrutues në Panairin e Punës.

Ata kërkojnë inxhinierë të të gjitha profileve. Aktualisht kompania, e cila ka zyra në Vaqarr dhe Durrës, punëson rreth 400 persona, megjithatë është në kërkim të vazhdueshëm për të rekrutuar staf. Rekrutuesit e kompanisë “po gjuajnë” për studentë, në pozicionin e operatorit në prodhim, të cilët kanë dëshirë të bëjnë praktikën pranë kompanisë në muajt e verës, me mundësi punësimi, njësoj si Ditmari.
Universiteti Politeknik i Tiranës organizoi, javën e kaluar, për herë të parë një panair pune, në mjediset e veta, me anë të të cilit synonte të afronte studentët me kërkesat e tregut. Thirrjes për pjesëmarrje në panair nga 139 kompani iu përgjigjën vetëm 29. Megjithatë, interesi nga kompanitë pjesëmarrëse ishte i lartë, po ashtu edhe nga studentët.

Edhe pse panairi u organizua në sezonin e provimeve, shumë studentë morën pjesë në të, për t’u njohur me kërkesat e tregut për profilin e tyre.
Për rektorin e Universitetit Politeknik të Tiranës, Andrea Maliqari, arma e tyre e fortë është cilësia shumë e mirë e studentëve, duke qenë se çdo vit thithin maturantët me rezultatet më të larta. Nisur nga partneriteti i vazhdueshëm që kanë me kompanitë, më të kërkuarit janë studentët e Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit. Çdo vit, UPT nxjerr studentë me diplomë në inxhinieri informatike, elektronike dhe telekomunikacioni. “Kërkesa për këto profile është e lartë”, – tha profesor Maliqari.

Kërkesë më të madhe pas studentëve të teknologjisë së informacionit ka për inxhinierët e ndërtimit. Nuk mungon kërkesa as për profile të veçanta, si inxhinieria elektrike dhe mekanike, të cilat vijnë kryesisht nga industritë prodhuese në vend.

 

 

Të rinjtë nuk largohen jashtë Tiranës

Duket e çuditshme që të pyesësh një student të inxhinierisë civile nëse është i gatshëm që të shkojë në kantier. Rekrutuesja e kompanisë Gener 2, e cila mbledh jetëshkrimet e studentëve të inxhinierisë së ndërtimit, thotë se vazhdimisht hapin programe për të tërhequr të rinj në vendet e lira të punës. Megjithatë hasin vështirësi për t’i siguruar ata për projektet që kanë jashtë Tiranës.

Drejtorja e Burimeve Njerëzore në kompaninë Bankers Petroleum Albania, e cila merret me kërkimin dhe nxjerrjen e naftës, Fationa Bilero, thotë se kanë vështirësi që të rekrutojnë staf nga Tirana për të punuar në Fier. Aktualisht nga 550 të punësuar, vetëm 10 janë nga Tirana. Arsyeja, sipas saj është se kryesisht, studentët pasi përfundojnë studimet, duan që të qëndrojnë në kryeqytet.

Nevojat e tyre për burime njerëzore janë në të gjitha fushat, nga asistentët e zyrave, te teknikët e mesëm, por edhe në nivele të larta. Për të stimuluar rekrutimin e burimeve njerëzore, Fationa Bilero thotë se kanë një paketë kompensuese shumë konkurruese, krahasuar kjo me çka ofron tregu në Shqipëri. Aktualisht Bankers ka pozicione të lira pune për teknikë të mesëm elektrikë.

 

Por ikin masivisht jashtë…

Universitetet në Shqipëri, në mos për të furnizuar tregun e punësimit vendas, po kontribuojnë në mënyrë të vazhdueshme në përgatitjen e studentëve për tregun e huaj. Rektori i UPT, Andrea Maliqari, thotë se në përfundim të tre viteve, studentët zgjedhin që të largohen jashtë, kryesisht në Europën Perëndimore. Profesor Maliqari shton se, përveç largimit të studentëve, po bëhet problem edhe largimi i stafit akademik.

Arsyet shkojnë përtej mureve të Politeknikut. Sipas rektorit, studentët, por edhe pedagogët, janë në kërkim të plotësimit më të mirë nga ana profesionale dhe ekonomike. Është në të drejtën e tyre të bëjnë zgjedhjen më të mirë për veten. E njëjta situatë po ndodh edhe me studentët e Universitetit Mjekësor, ku çdo vit, të diplomuarit në Fakultetin e Infermierisë dhe Mjekësisë shkojnë dhe punësohen në Gjermani, me paga disafish më të larta, por edhe me punësim më të sigurt dhe më premtues për t’u rritur në karrierë.

 

 

Hendeku i njohurive, problem kurrikula e vjetër

Një ndër problemet apo pikat e dobëta që kompanitë pjesëmarrëse në panair theksuan për “Monitor” është hendeku midis njohurive që marrin studentët në universitet me kërkesat e kompanive. Për disa prej kompanive, njohuritë që marrin studentët janë shumë të vjetra, ndërkohë që teknologjia ndryshon vazhdimisht. Elfrida Shehu, zëvendësrektore në UPT tha se po përpiqen që të zvogëlojnë hendekun, duke futur kurrikula të reja, por megjithatë ritmi i ndryshimit nga kompanitë private është pak më i shpejtë.

Fationa Bilero, drejtore e Burimeve Njerëzore në Bankers, tregoi se hendeku i madh midis njohurive të marra dhe atyre të kërkuara plotësohet nëpërmjet trajnimeve, të cilat zgjasin deri në një vit. Kjo, pa dyshim që është një kosto e shtuar për të gjitha kompanitë që rekrutojnë studentë.
Ndërsa rektori Andrea Maliqari u shpreh se janë në përpjekje të vazhdueshme që të afrojnë kurrikulat me nevojat e tregut. Ai shtoi se falë partneriteteve që kanë me Universitetet Europiane po përpiqen që të sjellin kurrikulat për studentët shqiptarë në përputhje më ato të universiteteve jashtë. Në këtë mënyrë iu japin aftësi edhe për tregun jashtë, tha profesor Maliqari.

Megjithatë, universitetet tona kanë mungesa bazike. Për universitetet politeknike kërkohet që sipërfaqja e vënë në dispozicion për student të jetë nga 6 deri në 8 metër katrorë, ndërsa në UPT është 2-4 metër katrorë. “Jemi para vështirësisë për të ulur numrin e pranimeve, ose do të detyrohemi të ulim standardet”, – u shpreh rektori.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of