Nëse ka gjëra për të cilat bujaria e politikanëve nuk njeh kufi, atëherë ato shumë mirë mund të jenë premtimet elektorale. Në çdo fushatë zgjedhore, si në botë ashtu edhe në Shqipëri, premtimet e politikanëve janë nga më të ndryshmet. Por me të mbaruar zgjedhjet, në shumicën e rasteve, një pjesë e atyre gjërave që u premtuan, shumë shpejt harrohen. Për të mbikëqyrur zbatimin e premtimeve të politikanëve, pasi ata kanë fituar postin, në Brazil do të hidhet në treg një aplikacion i ri për celularët, i mbiquajtur “Gjurmuesi i Premtimeve”.
Kjo do të thotë se nëse, në premtimin elektoral të një politikani, është përmirësimi i gjendjes së një rruge të caktuar, banorët të mundin të gjurmojnë zbatueshmërinë e premtimit, gjatë mandatit të politikanit. Si rrjedhojë, duke përdorur këtë aplikacion, qytetarët mund të zhvillojnë një sondazh për të parë se sa janë marrë masat e nevojshme për të zgjidhur problemin. Pjesëmarrësit e sondazhit mund ta përdorin këtë aplikacion për të fotografuar gjendjen problematike të rrugës p.sh.: gropat, mungesën e asfaltimit etj., duke shënuar vendndodhjen e tyre me anë të teknologjisë së GPS-it.
“Në demokraci, kemi arritur të bëhemi shumë të aftë për të mobilizuar njerëzit që të shkojnë dhe të votojnë ditën e zgjedhjeve, por ka një shkëputje të theksuar kur vjen puna tek angazhimet e politikanëve, pasi zgjedhjet kanë mbaruar”, – shprehet Rahul Bhargave, specialist në fushën e kërkimit në Qendrën e Medias Qytetare pranë Massachusetts Institute of Technology (MIT), i cili është njëkohësisht edhe menaxher projekti për “Gjurmuesin e Premtimeve”. Projekti për këtë aplikacion është konceptuar nga Ethan Zuckerman, drejtor i Qendrës së Medias Qytetare pranë MIT-së. Ai ka kryer një sërë eksperimentesh, duke përdorur celularët, për t’i kthyer qytetarët nga individë thjesht të informuar, në monitorues aktivë të ambientit që i rrethon ata.
Ku do të testohet
“Gjurmuesi i Premtimeve” do të përdoret për herë të parë këtë vjeshtë në qytetet braziliane të San Paolos dhe Belo Horizontes. Qyteti i San Paolos është përzgjedhur për të ndërmarrë testimin e këtij aplikacioni, për faktin se ishte qyteti i parë në Brazil, ku u miratua një ligj, sipas të cilit një kryebashkiak duhet të publikonte listën e premtimeve të bëra gjatë fushatës, si dhe objektivat për mandatin, brenda 90 ditëve që ka marrë detyrën. Pas San Paolos, edhe qytete të tjera të vendit amerikano-latin e miratuan këtë ligj.
Për të monitoruar ecurinë e zbatimit të premtimeve të kryebashkiakut të San Paolos, Fernando Haddad, 1150 këshilltarë do të pajisen me aplikacionin “Gjurmues të Premtimeve”. “Rede Nossa São Paulo” (Rrjeti Jonë i San Paolos), i përbërë nga 700 organizata, të cilat punojnë për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm të qytetit, mbështeti ligjin për publikimin e premtimeve dhe objektivave të kryebashkiakëve dhe do të jetë gjithashtu pjesë e programit të monitorimit me anë të aplikacionit të ri.
Përgatiti Ilir Sinanaj