Gjendja e të moshuarve është në nivele alarmuese. Kur flitet për ta, fjalët e para që vijnë ndërmend janë kujdesi, sëmundjet e moshës dhe pensionet. Nëse për të parin, çdokush po vuan braktisjen apo ka fatin të jetë mes familjarëve, për të dytat jo vetëm shifrat janë kokëforta. Në ditën botërore të të moshuarve, kryetari i Shoqatës së Gjeriatrisë, Reshat Koçi pohon se 70 për qind e të moshuarve vuajnë nga një sëmundje kronike ndërsa 30 për qind e tyre kanë mbi dy sëmundje. Sa i përket pensioneve, llogaritë me shifra i bën Osman Terziu, drejtues i Shoqatës së pensionistëve, i cili duke iu referuar pensionit 8 mijë-12 mijë, që marrin pensionistët në fshat e qytet, në fund të muajit ata nuk do të kenë më shumë se 600 lekë në xhepat e tyre. “Sot mosha e tretë po kalon një varfëri ekstreme. 93 mijë pensionistë janë të vetmuar, një pjesë e të cilëve janë braktisur. Probleme të mëdha, ata kanë sidomos në shëndetësi. Është problematik shërbimi i transportit me ambulancë dhe detyrohen të marrin taksi. Çalon rimbursimi me medikamente. Shërbimi spitalor nuk është në nivelin e duhur. Për sa i përket problemeve socialeekonomike, dihet që pensionet janë qesharake. Një pensionist i fshatit sot merr 8230 lekë. Mendoni si mund te jetohet me këtë vlerë që merret sot, ndërkohë që llogarisni vetëm energjinë dhe medikamentet që duhet të paguajë në muaj. Me shifra krahasuese për pensionet, vendi ynë është një ndër më të varfrit në Evropë. Për fat të keq këta pensionistë kanë kontribuar edhe në skemën e sigurimeve shoqërore për 40 vjet dhe duke punuar në punë të vështira, kanë marrë disa diagnoza, të cilat patjetër kërkojnë trajtime e shpenzime, qoftë spitalore, qoftë personale. Ajo që vihet re është se ka një proporcion të theksuar mes pagave të administratës dhe pensionistëve. Raporti me administratën qendrore është 1 me 5 ndërsa me pagat e parlamentarëve është 1 me 26”- shprehet Terziu.
Pse kemi pensione të ulëta?
Në qoftë se qeveria Rama, arrin të punësojë 300 mijë, vetë deri në fund të mandatit, të moshuarit duhet të shpresojnë vërtet për një rritje të ndjeshme të pensionit. Ilia Telo, profesor dhe drejtues i Shoqatës së Demografëve se problem themelor për të moshuarit, është statusi, i cili nuk është arritur, me gjithë premtimet që janë bërë. “Me thënë të drejtën ne kemi 10-15 vjet që këto probleme i kemi trajtuar, kemi marrë premtime sidomos nga opozita që ka qenë dhe problemet nuk kanë gjetur zgjidhje. Problemi themelor është statusi i moshës së tretë. Është premtuar më herët nga LSI-ja, por ka mbetur projekt. Në të gjitha vendet ekziston ky status. Luan Shabanaj, ish-deputet ka botuar një libër, ku ndër të tjera citon se për çështje sociale në Shqipëri harxhohet 10 për qind e prodhimit të brendshëm bruto, ndërsa mesatarja evropiane është 27 për qind. Kjo flet për një gjendje alarmuese. Pra, pa frikë mund të themi se nuk jemi shtet social. Kjo ndodh sepse ne kemi një raport shumë të dobët, kontribuues-përfitues. Ky raport para vitit 1990 ka qenë 4.5 me 1 (kontribuonin 4.5 vetë për 1 pensionist) ndërsa sot është 1-1.25 (1 pensionist me 1.25 kontribuues). Ky është shkaku kryesor se përse kemi pensione të ulëta. Kushdo mund të ketë faj dhe përgjegjësi por nuk e ka fajin pensionisti sepse ky i fundit ka punuar, ka kontribuar dhe tani shoqëria nuk i kthen paratë që ka derdhur. Cilët janë rrugët për të rregulluar këtë punë? Së pari, kemi papunësi shumë të madhe. Në programin e qeverisë aktuale thuhet që do të punësohen 300 mijë vetë. Në qoftë se do të arrihet kjo, do të përmirësohet raporti i kontribuuesve dhe përfituesve. Deri tani shumë pak është pak është bërë në këtë drejtim, megjithëse ka kaluar 1 vit nga fitorja e zgjedhjeve”,- tha Telo. Ai shtoi se në Shqipëri mungon një tregues zyrtar i minimumit jetik dhe bazuar në të dhënat formale gjysma e pensionistëve jeton në nivelin e varfërisë. “Problemi i dytë është se jo të gjithë ata që punojnë, kontribuojnë. Në qoftë se ne kemi të punësuar në bazë të të dhënave statistikore 1.116.000 vetë, kontribuues janë 702 mijë. Pra, janë 414 mijë vetë të cilët nuk janë kontribuues, dhe këta persona në të ardhmen do të jenë në kurriz të shoqërisë sepse këta nuk mund të marrin pension pa dhënë kontribut. Një tjetër problem është se kontributet bëhen në bazë të kontributit minimal, domethënë ka fshehje të pagave. Një problem tjetër, është ai i minimumit jetik. Në Shqipëri mungon një tregues zyrtar i minimumit jetik, madje kanë dalë nga drejtuesit e qeverive që e varfëria, nga 25 për qind është ulur në 12 për qind. Por këto nuk janë të vërteta sepse minimumi jetik përcakton sesa nevoja ka njeriu dhe për pensionistët duhet të nxirret treguesi i minimumit jetik me qëllim që të luftojmë për t’i plotësuar ato. Në bazë të të dhënave që kemi deri tani, minimumi jetik është rreth 15 mijë lekë në muaj. Ai që merr një pension më të ulët se kaq, është i varfër dhe më e mira është që ta pranojmë këtë gjendje. Mbi 50 për qind e popullsisë jeton nën nivelin e varfërisë. Duam që të pasqyrohet gjendja reale sepse në vendin tonë rreth 30-35 për qind e tyre nuk arrijnë të marrin pension dhe njerëzit duhet të kontribuojnë mbi 40 vjet. Këtu ka një dënim kolektiv, siç është bërë zakon, dhe këtë dënim e vuajnë ata që marrin pension. Si përfundim pensionet janë shumë të ulëta dhe çdo gjë pret në këtë botë, por pensionistët nuk mund të presin. Në bazë të të dhënave statistikore, probabiliteti i vdekjes është shumë i madh dhe ajo i zgjidh problemet”- u shpreh Telo.
Dita botërore
Më 14 dhjetor 1990 Asambleja e Kombeve të Bashkuara përcaktoi 1 Tetorin si ditën për të moshuarit. Në shumë vende të botës, politikanët mbajnë fjalime. Radiot, televizionet apo gazetat botojnë intervista me të moshuar për çështje të tilla si, arritjet që kanë bërë për të krijuar një shoqëri më të mirë. Kjo ditë zakonisht është e mbushur edhe me shumë aktivitete të tjera, në shkolla dhe institucione të ndryshme tregohen materiale promovuese. Gjithashtu, organizohen aktivitete të fokusuara nëshëndetësi, arsim apo shërbime komunitare në respekt të moshës së tretë. OBSH-ja, e cila është autoriteti drejtues dhe koordinues i OKB-së për çështjet e lidhura me shëndetin, ka qenë e përfshirë në mënyrë aktive në promovimin e ndërgjegjësimit të publikut për këtë ditë.
Nga 1 janari shpërndahen pensionet sociale
Ata të moshuar, të cilët nuk plotësojnë kushtet për përfitimin e pensionit, domethënë ata që kanë më pak se 15 vjet vjetërsi pune do të mund të përfitojnë një pension social, i cili do të jetë 6640 lekë dhe do të indeksohet më pas, çdo vit në bazë të indeksit të çmimeve të konsumit. Të gjitha pensionet e lidhura deri më 31 dhjetor 2014, nuk do të jenë objekt rivlerësimi. Ky fakt bëhet i ditur nga drejtoresha e politikave sociale, pranë MMSR Merita Xhafaj, e cila shpalos dhe informacionin me politikat e Ministrisë për të moshuarit. “Në mbështetje të moshës së tretë janë ngritur dy qendra rezidenciale private në Tiranë, nga donatorë shqiptarë dhe të huaj. Në këto qendra trajtohen përkatësisht 35 të moshuar, të cilët paguajnë për shërbimin e ofruar. Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë ka në fokus të politikave në mbrojtje të moshës së tretë; plotësimin e nevojave nëpërmjet hartimit të programeve dhe buxhetimin e tyre, ngritjen e qendrave komunitare, respektimin për të moshuarit në familje dhe komunitet si dhe ndërmarrjen e analizave dhe programeve të zhvillimit. Alternimi i shërbimeve ditore do të ndihmojë një numër të madh të përfituesve me një kosto më të ulët në mënyrë proporcionale. Kjo do të kontribuojë për të ndryshuar idenë e qendrave rezidenciale si vende të shkëputura nga jeta normale. Në lidhje me politikat e mbrojtjes sociale, specifikisht në skemën e ndihmës ekonomike mbështeten me pagesa nga kjo skemë rreth 2000 të moshuar”- u shpreh Xhafaj.
Shtëpitë e të moshuarve
Harta e shpërndarjes së institucioneve të përkujdesit, që ofrojnë shërbime për moshën e tretë është si më poshtë:
1. 6 institucione publike të përkujdesit shoqëror që ofrojnë shërbime rezidenciale për 280 të moshuar në Tiranë, Gjirokastër, Shkodër, Kavajë, Poliçan e Fier.
2. 2 institucione të përkujdesit social që ofrojnë shërbime ditore për 90 të moshuar në Sarandë dhe Kamëz.
3. 5 qendra ditore për të moshuar, në varësit të pushtetit vendor, që ofrojnë shërbime për 279 të moshuar në Tiranë, Durrës e Shkodër.
4. 8 shërbime komunitare dhe shërbime alternative që ofrojnë shërbime për 1005 të moshuar në Pogradec, Gjirokastër, Elbasan, Korçë etj.
5. 6 qendra rezidenciale jopublike që ofrojnë shërbime për 116 të moshuar në Tiranë, Durrës e Shkodër.
“Pensioni nuk na del, nuk ka festë për ne”
Në rrugët e Tiranës, në parqe, të vetëm apo në grup, asnjë prej të moshuarve nuk e di që dita e sotme u dedikohet atyre. Kur e pohojmë një lajm të tillë, nuk u bën përshtypje. Duket se janë mësuar me përditshmërinë e tyre, me hallet dhe me sëmundjet e moshës. Kanë kërkuar prej 25 vitesh ngrohtësinë familjare dhe janë braktisur, kanë kërkuar shpërblimin nga politika dhe janë zhgënjyer. E tani duket se një ditë e vitit që u përket, është një ditë më pak në jetën e tyre. Asllan Krasniqi, 67 vjeç është njëri prej tyre. Dikur ka shkelur e punuar, si punëtor ndërtimi, pothuajse në të gjithë Shqipërinë. Sot i ulur në një nga stolat në qendër të kryeqytetit pohon; “E vërteta duhet thënë ashtu siç është, 15-katëshi është atje dhe jo këtu, ne jemi këtu”.
Për çfarë kanë nevojë më tepër moshuarit në vendin tonë?
Mosha jonë në radhë të parë ka nevojë për ekonomi. Ekonomia është baza e shëndetit të përgjithshëm të brezit tonë. Kur flas për ekonomi i referohem pensionit. Së dyti, shqetësimet e organizmit, vuajtjet, stresi etj. janë pasojë e ekonomisë. Pensionet janë shumë të ulëta. Unë marrë 12 mijë lekë. Me to duhet të paguaj ilaçe, veshmbathje, energji elektrike. Pa folur edhe për të tjerat. Nuk dua të përmend duhanin apo alkoolin por vetëm një kafe në ditë dhe brezi i tretë e do patjetër një të tillë, jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë botën.
Por si ia dilni me këtë pension kaq të ulët?
Pensionisti me 12 mijë lekë që merr çdo muaj, nuk mund të blejë asgjë të re. Nuk ble dot fruta apo rroba të reja. Paguan për të mbijetuar dhe ia del. Me vuajtje ia del.
Ka ekzistuar gjithmonë kjo gjendje?
Jo, jo. Në kohën e monizmit nuk kishte pleqëri. Në kuptimin e fjalës ishin futur në ekonomi të gjitha ditët kalendarike që jetonte brezi i tretë. Në qoftë se dilje në pension atëherë, ishte e llogaritur nga sigurimet shoqërore, që pensionisti do të jetonte pa marrë borxh dhe do të paguante energji, ushqime, ilaçe etj. Këto 25 vjet që po kalojmë në demokraci po hasim gjërat më të këqija, duke filluar nga sëmundjet, buka e përditshme, vjedhjet etj.
Çfarë mendoni se duhet bërë më shumë për moshën e tretë?
Së pari, rritja e moshës së pensionit është një gabim shumë i madh. Së dyti, parlamentarët duhet të llogarisin pensionin, në mënyrë të tillë që të shkojmë në Evropë me çorape dhe jo siç kemi shkuar deri më tani. Ne të gjithë kemi nevojë për demokraci. Ne ia dalim edhe duke ngrënë bukë thatë po me brezin e ri çfarë do ndodhë. Kanë mbaruar shkollën dhe për vite kanë mbetur pa punë.
/Shekulli
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.