Duke filluar nga mëngjesi i ditës së sotme dhe deri në mbrëmjen e së dielës (17-23 nëntor), në gjithë Kosovën do të jenë dhjetëra mundësi për në botën e sipërmarrjes.
Organizatorët rekomandojnë që të përzgjidhen të paktën tri aktivitete dhe të ndiqen ato.
Global Entrepreneurship Week vjen në Kosovë për herën e dytë radhazi, mirëpo për herë të parë nën organizimin e presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.
Këtë vit, bashkë me 150 shtete nga e mbarë bota, ndodh bashkimi i shpërndarjes së frymës së sipërmarrjes.
Innovation Centre Kosovo (ICK), bashkë me 30 partnerë e mbështetës, ka planifikuar një javë të ngjeshur me 31 aktivitete, të cilat do të ofrojnë mundësi të jashtëzakonshme të të mësuarit dhe mundësi rrjetëzimi për sipërmarrës të sektorëve të ndryshëm.
Ngjarjet e GEW shërbejnë për t’u informuar në lidhje me zhvillimet e fundit inovative dhe janë vendi më i përshtatshëm nëse keni ndonjë ide biznesi. Gjatë kësaj jave, aktorët kryesorë të sipërmarrjes në Kosovë do të mblidhen në një vend.
Secili ka mundësi të merr pjesë në seminare nga ekspertë të ndryshëm, trajnime profesionale, të takojë investitorë, të jetë pjesë e drekave me vlerë, të dëgjojë prezantime frymëzuese dhe të ketë mundësinë të ulet në tryeza të rrumbullakëta me njerëz të çmuar – përfshirë edhe ndërmarrësit më të suksesshëm shqiptaro-amerikanë. Dhe, e gjithë kjo është falas, njoftojnë organizatorët.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.