Ngadalësimi i pashmangshëm i procesit globalizimit, do të mund të ulte zhvillimin botëror dhe do të minimizonte pranimin e gjerë të sistemit kapitalist
Sipas të gjitha dëshmive, para vitit 1914 bota dukej se po ecte në mënyrë të pakthyeshme drejt niveleve më të larta të civilizimit dhe të kulturës njerëzore, sepse shoqëria njerëzore dukej e predispozuar për t’u korrigjuar dhe për t’u bërë më e përkryer.
Në shekullin e 19, tregtia e skllevërve kishte marrë fund. Në rajonet e botës së “civilizuar”, përveç Luftës Civile në SHBA dhe luftës së shkurtër franko–prusiane, që nga koha e luftërave napoleoniane e këtej nuk pati ndonjë luftë tjetër, ndërkohë u shtua shumë numri i zbulimeve dhe i novacioneve, ndërtimi i hekurudhave, prodhimi i telefonit dhe linjave telefonike, i energjisë elektrike, i automjeteve dhe shumë e shumë përmirësime të tjera të jetës së përditshme. Me pak fjalë mbizotëronte ndjenja e përgjithshme e përparimit universal dhe të pandalshëm.
Për civilizimin dhe kulturën njerëzore, Lufta e Parë Botërore ishte shumë shkatërruese, madje më shkatërruese se dhe Lufta e Dytë Botërore, sepse nga ana fizike i tejkaloi të gjitha katastrofat e mëdha që kishte njohur njerëzimi. Mbi të gjitha Lufta e Parë Botërore shkatërroi idenë e një të ardhmeje të shkëlqyer të njerëzimit. Perspektivat e ditëve të sotme janë krejt të ndryshme nga ato të një shekulli e ca më parë, pak më të harmonizuara me realitetin.
Çdo ekonomi e veçantë rritet dhe ngre nivelin jetësor të qytetarëve të saj, nëpërmjet specializimit dhe përfshirjes së saj në sistemin e ndarjes shoqërore së punës, gjë e cila ndodh në shkallë botërore. Globalizimi, përhapja e specializimit dhe ndarja e punës përtej kufijve kombëtare janë faktorët kyç në zhvillimet e historisë ekonomike të botës.
Historia ka treguar se globalizimi mund të bëjë hapa prapa, duke bërë të mundur të humbasin shumë nga arritjet historike të çerekshekullit të 20, në qoftë se do të ngrihen pengesat tregtare që SHBA i rrëzoi pas Luftës së Dytë Botërore dhe në një rast të tillë, bota mund të përjetojë po ato pasoja katastrofike të vitit 1929 e më pas.
Ngadalësimi i pashmangshëm i procesit globalizimit, do të mund të ulte zhvillimin botëror dhe do të minimizonte pranimin e gjerë të sistemit kapitalist; njerëzit përshtaten shpejt me nivelet më të larta të jetesës dhe po të jetë se ngadalësohet përparimi, atëherë do të fillojnë të kërkojnë interpretime dhe udhëheqje të reja, veçanërisht në kushtet kur Kina, India, Brazili, etj., ku kapitalizmi solli një zhvillim të vrullshëm, po vihet re krijimi i aleancave të reja. Në dhjetëvjeçarët e fundit liberalizimi i tregtisë ka sjellë heqjen në një masë të madhe të barrierave për lëvizjen e kapitaleve dhe të shërbimeve, por bisedimet tregtare në raundin e Dohas në vitin 2006, treguan se çdo lloj përparimi i mëtejshëm në këtë drejtim do të arrihet më me vështirësi.
Edhe sa kohë do vazhdojë dinamizmi i globalizimit
Duke qenë se pjesa më e madhe e përvojës botërore nuk ka shembuj pararendës, është e vështirë të përcaktohet dhe sa kohë do vazhdojë dinamizmi i globalizimit. Pas Luftës së Dytë Botërore gjallërimi ekonomik u bë i mundur kur u pranua gjerësisht se katastrofa e Krizës së Madhe u shkaktua kryesisht nga proteksionizmi që u vendos fill pas Luftës së Parë Botërore, që përfaqësonte një pjellë të viteve të Krizës së Madhe.
Në sajë të liberalizimit të tregjeve, shtimit të inovacioneve dhe uljes së pengesave tregtare dhe investimeve, në dhjetëvjeçarët e fundit të shekullit të 20 dhe dhjetëvjeçarët e parë të shekullit 21 (më saktë deri në vitin 2007), tregtia ndërkombëtare u zgjerua me ritme shumë më të larta se PBB–ja. Por si rezultat i kësaj, pjesa më e madhe e vendeve iu ekspozuan presionit të konkurrencës ndërkombëtare. Deri në mesin e viteve 1990, dizekuilibrat e mëdha e të vazhdueshme të bilanceve tregtare ishin të rralla.
Pikërisht në periudhën e viteve 1990 filloi të zhvillohet globalizimi i tregjeve të kapitaleve, duke shkaktuar uljen e kostos së financimeve dhe duke rritur kështu në të gjithë botën rritjen e gjendjes së kapitalit real, motorit lëvizës të produktivitetit; shumë kursimtarë të cilët kishin tendencën ose ishin të detyruar që të investonin kursimet brenda kufijve të vendit të tyre filluan të kërkojnë alternativa më të mira investimi në vendet e tjera.
Përparimi i vazhdueshëm i tregjeve financiare globale përmirësoi në mënyrë të konsiderueshme fitimprurjen e investimit të kursimeve në të gjithë botën dhe kjo në mënyrë indirekte kontribuon në rritjen e produktivitetit në gjithë botën. Ritmi i shpejtë i globalizimit të tregtisë, më tepër se çdo gjë tjetër, shoqërohet nga globalizimi i sistemit financiar.
Sistemi global financiar duhet të jetë i aftë për të drejtuar kursimet botërore në financimin e atyre investimeve që do të prodhojnë më shumë ato mallra dhe shërbime që vlerësohen më tepër nga konsumatorët. Sistemet e informacionit që japin shumë njoftime të hollësishme mbi gjendjen e tregjeve financiare mbështesin aftësinë e institucioneve financiare për të nuhatur me shpejtësi të madhe rastet ose vendet e fitimeve shumë të mëdha d.m.th. ato raste që në përshtatje me shkallën e rrezikut të tyre japin fitimprurje mbi ato fiziologjike.
Fitimprurjet anormale në një treg thellësisht të parregulluar, në përgjithësi, në fakt shprehin ekzistencën e disa keqfunksionimeve në vlerësimin e veprimtarisë investuese të përdorimit të kursimeve botërore. Në qoftë se portofoli i huadhënies së një banke ose punonjësit e saj janë të dyshimtë, atëherë klientët largohen shumë shpejt nga kjo bankë, por në raste kur depozitat në një bankë janë në njëfarë mënyre më të siguruara, atëherë ky largim ka më pak të ngjarë që të ndodhë; rregullat e huadhënies dhe të tërheqjes së depozitave duhet të hartohen me një kujdes shumë të madh, në mënyrë që të ulet në minimum rreziku moral, që në mënyrë të pashmangshme mund të rrjedhë prej tyre.
Tregtia e lire stimulon demokracinë
Globalizimi, përhapja e kapitalizmit në të gjitha tregjet botërore, edhe vetë sistemi kapitalist, sikundër u trajtua më lart, është bërë objekt i kritikave të ashpra nga ana e atyre që shikojnë vetëm anën shkatërruese të tij dhe jo gjithë procesin kompleks të shkatërrimit krijues që e karakterizon në të vërtetë; ndërkaq, të gjitha të dhënat burimore tregojnë se dobitë e globalizimit tejkalojnë së tepërmi koston e tij, edhe përtej kufijve të ekonomisë. Për shembull ekonomisti Barry Eichengreen dhe shkencëtari politolog David Leblang, në një nga studimet e bëra në fund të vitit 2006, gjetën “të dhëna që vërtetojnë (për 130 vjet që nga 1870 dhe deri në vitin 2000) lidhjet pozitive reciproke ndërmjet globalizimit dhe demokracisë”; ata gjetën se “tregtia e lirë stimulon demokracinë, por dhe demokracitë janë më shumë të prira për heqjen e kontrolleve mbi lëvizjen e kapitaleve.