Në videon e parë të postuar në YouTube në vitin 2005, shfaqet një prej bashkëthemeluesve të këtij rrjeti, duke qëndruar përpara kafazit të elefantëve në kopshtin zoologjik në San Diego.
Ndërsa një nga videot e postuara së fundmi është krejt ndryshe, në të shfaqet Presidenti i Argjentinës, Mauricio Macri, i cili shpjegon se përse ka nevojë për FMN-në, që të arrijë të përballet me “arinjtë” që po përpiqen t’i shkatërrojnë monedhën e vendit të tij, shkruan The Economist. Pesoja ra më shumë se 7% më 29 gusht, duke mbyllur një tjetër muaj të vështirë dhe duke sinjalizuar edhe fillimin e një muaji të ri aspak të lehtë.
Rënia e saj do t’ia vështirësojë shumë punën Bankës Qendrore për të përmbushur objektivin e inflacionit të vitit të ardhshëm. Tregjet financiare janë të shqetësuar sepse qeverisë do t’i duhet të luftojë për të siguruar si rifinancimin ashtu edhe rizgjedhjen, duke qenë se normat e larta të interesit, të nevojshme për të tërhequr kreditorët, mund të zmbrapsin votuesit në zgjedhjet e tetorit të vitit të ardhshëm.
Në videon e postuar në YouTube, z. Macri kërkoi nga FMN të përshpejtojë disbursimin e kredisë prej 50 miliardë dollarësh që kishte rënë dakord në qershor. Argjentina mori 15 miliardë dollarë paradhënie. Pjesa e mbetur, për të cilën ajo kishte shpresuar që të mos kishte nevojë, është planifikuar të jepet në 12 këste të barabarta tremujore, me kusht që Argjentina të përmbushë kushtet e fondit. Në një deklaratë, Christine Lagarde, shefja e FMN-së, tha se fondi do të “rishqyrtojë fazën e dhënien së kredisë”.
Z. Macri e ka pranuar faktin se tregjet kanë shprehur një mungesë të theksuar besimi në financat e tij, ndërsa në Turqi është krejt e kundërta. Ka qenë Presidenti i këtij vendi, z. Tajip Erdogan, ai që ka shprehur mungesën e besimit në tregje. Sipas tij, rënia e lirës turke është shkaktuar si pasojë e luftës ekonomike që po zhvillon Amerika, e cila ka vendosur sanksione ndaj dy ministrave turq dhe taksa për eksportet e çelikut dhe aluminit, vetëm për shkak të paraburgimit të një pastori amerikan, Andrew Brunson. Ashtu si Argjentina, edhe Turqia vuan nga inflacioni i lartë, nga deficiti i lartë i llogarisë korente dhe nga niveli i lartë i borxheve në valutë të huaj, edhe pse detyrimet e Turqisë janë kryesisht rezultat i borxheve të korporatave, jo i qeverisë.
Së fundmi, agjencia Moody’s, e uli vlerësimin për 18 banka turke dhe dy firma financiare, të cilat mund të përballeshin me probleme në lidhje me huatë në valutë të huaj. Berat Albajrak, ministri turk i Financave dhe dhëndri i Presidentit, e mohuan se ekonomia po përballet me një rrezik të madh, sepse borxhi i qeverisë vazhdon të jetë në nivele relativisht të ulëta. Por fatkeqësisht, menjëherë pas kësaj deklarate, lira turke ra edhe më shumë.
Që nga prilli i këtij viti, Argjentina dhe Turqia kanë reaguar krejtësisht ndryshe ndaj krizave të monedhave të tyre. Argjentina ka rritur normat e interesit në mënyrë agresive dhe kërkoi menjëherë ndihmë nga FMN-ja. Turqia, nga ana tjetër, ka shtrënguar politikën monetare me vonesë dhe shpesh në mënyrë indirekte. Dhe ndryshe nga Argjentina, ajo i ka kërkuar ndihmë financiare aleatëve si Katari, sepse sipas saj nëse do t’i kërkonte ndihmë FMN-së, kjo e fundit mund t’i kërkonte Turqisë që të zgjidhte fillimisht mosmarrëveshjet me Amerikën.
Pavarësisht dallimeve nga njëra-tjetra, reagimet e këtyre dy tregjeve në zhvillim ndaj situatës së vështirë që po kalojnë e kanë një të përbashkët, faktin që asnjë nga masat e ndërmarra prej tyre nuk po funksionon.