Google është gati për të azhurnuar serinë e smartphone-ve Pixel. Gjiganti i Mountain View po përgatitet për prezantimin zyrtar të smartphone-ve të rinj më 4 tetor 2017.
Edhe gjenerata e dytë e smartphone-ve të Google do të vijë në dy modele. Ndryshimi mes tyre është madhësia e ekranit.
Zëra të ndryshëm thonë se Google mund të hedhë në treg edhe një model të tretë Pixel 2. Ky mendohet se do të jetë një tip phablet-i, i menduar për të konkurruar Galaxy Note 8.
Bashkëpunimi me LG dhe HTC?
Sipas burimeve të brendshme nga Google, për të realizuar Pixel 2, gjiganti amerikan ka bashkëpunuar me kompaninë HTC. E njëjta që ka punuar edhe për telefonat Pixel në vitin 2016. Sipas disa ekspertëve të tregut, HTC ka bashkëpunuar vetëm për versionin më “të vogël” të smartphone-ve të rinj.
Google Pixel 2 XL dhe phablet-i, mendohet se do të realizohen në bashkëpunim me kompaninë LG. Ndër karakteristikat teknike më interesante është procesori Snapdragon 836. Edhe pse zëra të tjerë thonë se procesori do të jetë Snapdragon 835.
Versioni më i vogël Pixel, për të cilin ka më shumë informacione, do të ketë ekran 4.97 inç dhe rezolucion FULL HD dhe 4GB RAM. Sistemi operativ do të jetë Android 8.0.1 Oreo.
Ndërsa Pixel 2 do të ketë ekran QHD AMOLED, 6 inç. Të gjithë telefonat do të jenë rezistentë ndaj ujit dhe pluhurit, por nuk është e qartë nëse do ta kenë certifikatën IP67 apo IP68. Dizajni i dy modeleve do të jetë i ngjashëm me Pixel e vitit të kaluar.
Sa i përket çmimit do të jetë i ngjashëm me atë të vitt të kaluar. Versioni 32 GB do të kushtojë 550 euro, ndërsa versioni 128 GB do të kushtojë 640 euro. Çmimi i Pixel 2 XL do të variojë mes 670 – 750 euro në varësi të memories së brendshme.