Google do të hyjë në tregun e objekteve të lidhura nëpërmjet Android Things, një sistem operativ për Internetin e Gjërave (IoT), domethënë tërësisë së dritave, frigoriferëve, grilave apo termostateve të lidhur në një rrjet që mund të komandohen nga smartphone. Lajmi i paraprin Google I/O, konferencës së përvitshme të zhvilluesve të Mountain View.
Android Things 1.0, puna për të cilin nisi në fund të 2016-s, është gati të debutojë në duart e konsumatorëve. Pajisjet e para do të jenë altoparlantë dhe ekrane “smart” të prodhuara nga disa kompani si LG dhe Lenovo. Ekranet inteligjente – me të cilët mund të shihni video në YouTube, foto, të bëni video-thirrje apo të lexoni receta, do të kenë të integruar asistentin zanor të Google, i cili janarin e vitit të kaluar ishte i pranishëm në 400 milionë pajisje mes smartphone, tablet-ë, televizorë, orë, kufje dhe speaker për në sallon.
Me prezantimin e sistemit të ri operativ, Google synon të jetë në qendër të tregut të Internetit të Gjërave, për të cilin parashikohet një rritje e madhe. Sipas kërkuesve të Gartner, në fund në vitit 2018 në treg do të jenë 11,2 miliardë objekte të lidhura – kjo shifër do të kalojë 20 miliardë në vitin 2020.
Sistemi operativ Android është një lider i padiskutueshëm në sektorin e smartphone-ve, ku përfaqëson 80% të tregut. Situata nuk është aq pozitive në Android Wear, platforma për pajisjet wearable. Sipas analistëve të IDC, më shumë se gjysma e orëve inteligjente në vitin 2017 do të jenë të markës Apple. Sa i përket tregut të televizorëve, Samsung është i pari, ndjekur nga Android TV.