Eksperimenti në ShBA
Një foto vlen më shumë se 1 mijë fjalë, edhe kur ajo duket se nuk tregon asgjë. Kjo të paktën për njerëzit, duke qenë se kompjuterët arrijnë të shohin në shkrepjet tona shumë më shumë se sa ne, madje të kuptojnë edhe se për kë do të votojmë.
Analiza fotografike është një ndër sektorët më të nxehtë të teknologjisë bashkëkohore, me makinat të cilat janë të afta të njohin objektet në mënyrë që të ecin vetë, kompjuterë artistë që analizojnë artistët e mëdhenj dhe më pas përsërisin veçoritë e tyre, deri tek modelet e njohjes së fytyrës që gjejmë te smartphone-t tanë apo në sistemet e sigurisë.
Kërkuesit e Universitetit të Stanford në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë një hap përpara duke u mësuar algoritmeve të kuptojnë se kë do të votojmë në bazë të shkrepjeve që gjenden në Street View, shërbimi i Google që po krijon harta fotografike në rrugët e së gjithë botës. Në sytë tanë këto shkrepje janë krejtësisht normale. Shihen rrugë, sheshe, rrugë me pemë, dyqane, herë-herë edhe ndonjë njeri (fytyra nuk duket), makinat (targat janë fshirë) apo monumente.
Për syrin njerëzor, të gjitha këto janë krejt normale, por syri dixhital është i aftë të depërtojë shumë më thellë. Një grup studiuesish të drejtuar nga Timnit Gebru kanë ushqyer Inteligjencën Artificiale me 50 milionë fotografi të shkrepura në rrugë, dhe nga këto, Inteligjenca Artificiale arriti të zbulojë qëllimin e votimit, të atyre personave që jetojnë apo shesin në ato rrugë. Dhe rezultati është pozitiv.
Siç raportohet në studimin e publikuar online, falë atyre imazheve janë marrë informacione të vlefshme socio-ekonomike për më shumë se 200 qytete amerikane. Inteligjenca Artificiale ka njohur rreth 22 milionë makina, baras me 8 për qind të të gjithë makinave që qarkullojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke specifikuar prodhuesin, modelin, vitin e prodhimit, çmimin.
Më tej, Inteligjenca Artificiale arriti të profilizojë jo vetëm qytetet por edhe lagjet e tyre. Duke i bashkuar të dhënat edhe me burime të tjera, si censusi i fundit, ka mësuar të parashikojë dinamikat socio-ekonomike në çdo fushë.
Algoritmi njeh se cila është paga mesatare e banorëve të secilës lagje, etninë e tyre, nivelin e arsimimit, por mbi të gjitha se cilin do të votojnë. Makinat Pickup me një dopio kabinë janë karakteristike e lagjeve me shumicë demokratike ndërsa berline janë prerogativë e atyre demokratike.
Nju Jorku është qyteti me më shumë makina të kushtueshme; El Paso në Teksas ai me më shumë Hummer; San Francisko ka më shumë modele të huaja. Pickup janë makina tipike të zonave bujqësore; Nju Jorku njihet si një qytet shumë i pasur, ashtu si San Francisko një qytet i hapur nga pikëpamja kulturore – por fakti që është një kompjuter e di një gjë të tillë, hap skenarë të paimagjinueshëm në analizën e vëllimeve të mëdha të të dhënave.
Kompjuteri nis të mësojë të njohë njerëzit, zakonet e tyre, t’i kuptojë në njëfarë mënyre. Por jo vetëm. Inteligjenca Artificiale është e shpejtë. Puna e madhe e njohjes dhe klasifikimit të makinave u bë në vetëm dy javë përkundër 15 vjet që i nevojiten një eksperti.
Aleanca njeri-Inteligjencë Artificiale
Për të mësuar, Inteligjenca Artificiale kishte nevojë për ndihmën e njerëzve. Qindra ekspertë, pasi identifikuan lloje të ndryshme makinash në bazë të fotove, ia dërguan të dhënat IA, dhe në këtë mënyrë ajo mësoi.
Sipas studiuesve, hapi tjetër do të jetë në anën e kundërt: do të jetë Inteligjenca Artificiale ajo që do të mësojë njeriun. Qëllimi është të ndihmojë American Community Survey, censusi që sot zhvillohet derë me derë dhe i kushton vendit 250 milionë dollarë në vit. Nëpërmjet Inteligjencës Artificiale, të dhënat mund të përditësohen me një kosto shumë më të ulët, por mbi të gjitha është e mundur të përfshihen në sistemin e hartës edhe zonat më pak të mbuluara nga strukturat e qeverisë.
Në një territor të madh si ai i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, janë të shumta qytetet me më pak se 65 mijë banorë që nuk janë të mbuluara nga kërkimet e qeverisë. Fotokamerat e makinave të Street View kanë mbuluar gjithë territorin federal dhe vijojnë të përshkojnë edhe rrugët më të largëta në Amerikë për të përditësuar databazën gjigante të Google.
Burimi: Corriere della Sera