Hoteli “Grand” do të dal sërish në shitje, në vjeshtën e këtij viti. Në mbledhjen e ardhshme të Bordit të AKP-së, që do të mbahet në fund të muajit gusht, planifikohet që kjo ndërmarrje shoqërore të futet në proces të likuidimit.
Me këtë veprim, AKP-ja synon të mbrojë këtë hotel nga paditë. “Për shkak të ndikimit shumë të madh në publik të procesit të parë të privatizimit, AKP-ja po punon që privatizimi i dytë të jetë i suksesshëm. Për këtë ne do të konsultohemi me Komunën e Prishtinës, me odat ekonomike në mënyrë që të gjejmë opsionin më të mirë për privatizimin e këtij hoteli”, ka thënë një burim brenda AKP-së, shkruan Koha Ditore.
Pas konsultimeve, Bordi i AKP-së, do të jetë ai që vendos për mënyrën e privatizimit të Grandit. “Shumë do të varet edhe nga bordi i ri, pasi aktualisht jemi vetëm pesë anëtarë, ndërsa në fund të muajit korrik do të mbesim vetëm tre anëtarë. Kuvendi e ka për obligim ta plotësojë bordin edhe me pesë anëtarë të tjerë”, ka thënë ky burim i gazetës.
“Bordi i ri, pasi t’i marrë mendimet e palëve rreth mënyrës së privatizimit do të vendosë për formën më të mirë të privatizimit dhe kohën e privatizimit”.
Nëse Kuvendi e kompleton bordin brenda muajit shtator, atëherë me shumë gjasë, Grandi, sipas këtij, zyrtari do të privatizohet në vjeshtë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.