Janë rreth 10 milionë lekë që qeveria shqiptare do të shpërndajë në vitin 2017 për të nxitur gratë në biznes.
Fondi i Grave Sipërmarrëse që menaxhohet nga Agjencia e Zhvillimit të Investimeve parashikon një skemë financimi me kredi me kushte të favorshme. Qëllimi i përgjithshëm i fondit është të kontribuojë në rritjen ekonomike të sipërmarrjeve femërore duke nxitur investimet e reja nëpërmjet rritjes se financimeve nga institucionet financiare jo bankare dhe shoqëritë e kursim-kreditit. Përmes këtyre fondeve bëhet i mundur subvencionimi i normës së interesit të kredive për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, të cilat drejtohen nga gratë si pronare apo administratore. Kjo skemë konsiston në pagesën e interesave për kreditë e marra nga gratë dhe që do të përdoren për investime në biznes. Ndihma financiare do të mbulojë 50 % të normës së interesit, për 4 (katër) vite radhazi, dhe jo më shumë se 1 mln lekë për një kredi, për ndërmarrjet që do të ushtrojnë veprimtaritë e tyre në:
-sektorët prodhues dhe të shërbimit;
– sektorin e industrisë së lehtë, kryesisht në industrinë e përpunimit aktiv (fason);
– sektorin e turizmit;
– fushën e kërkimit dhe të zhvillimit;
– procesin e agropërpunimit;
– fushën e dizenjimit, modelimit, artizanatit.
Gëzojnë të drejtën për të përfituar nga kjo skemë ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, të drejtuara nga gratë.
Deri vitin e ardhshëm numri i grave që do të përfitojnë nga kjo skemë pritet të arrijë në 500.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.