Gratë do të përfitojnë më shumë nga automatizimi se sa burrat

04/06/2018 9:00 AM 0 komente

Studime të ndryshme tregojnë se gratë janë më mirë të pozicionuara se sa burrat ndaj rrezikut të automatizimit të punës dhe madje, mund të përfitojnë prej tij. Gratë janë të mbipërfaqësuara në profesione që kërkojnë nivele të larta të aftësive sociale dhe ndjeshmëri (infermiere, mësuese) ku do të ishte e vështirë të zëvendësosh një njeri me një robot.

Në vendet e zhvilluara, gratë kanë mesatarisht nivele më të larta arsimi dhe njohuri në teknologji, duke u dhënë atyre avantazh konkurrues në tregun e punës, i cili është në ndryshim të vazhdueshëm nga inovacioni teknologjik. Shumë studime theksojnë se frika se robotët mund të shkatërrojnë një ditë pjesën më të madhe të punëve që kryhen nga njerëzit është e pajustifikuar. Në fakt, rreziku i dixhitalizimit ndryshon në mënyrë të konsiderueshme nga një punë te tjetra, në varësi të aftësive që kërkohen.

Për shembull, profesionet që kërkojnë punë fizike për një kohë të gjatë apo përdorimin e gishtave dhe duarve janë në një rrezik më të madh nga dixhitalizimi se sa punët që kërkojnë përgatitjen dhe trajnimin e të tjerëve.

 

Situata e “punës së grave” dhe automatizimi

Inovacioni teknologjik, ku automatizimi është një formë e tij, ndryshon mënyrën se si organizohet dhe realizohet puna në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Në përgjithësi, procesi ka rezultuar në një ndryshim pozitiv, nga fuqia e punës jo e kualifikuar tek ajo e kualifikuar. Në të njëjtën kohë, teknologjitë e reja u kanë hapur rrugën mundësive për punë fleksibël, shkollave në distancë, trajnimeve në distancë etj.
Si rezultat i këtij ndryshimi, disa profesione që tradicionalisht kanë më shumë gra të punësuara, janë rritur në madhësi, duke rritur mundësitë për punësimin e femrave. Në ditët e sotme, ndërveprimi midis ndryshimeve teknologjike dhe sociale luan rol të rëndësishëm.

Ndryshimet në strukturën e pagave të kombinuara me nivelet më të larta të arsimit të grave dhe ndryshimet në zgjedhjet martesore e bëjnë më të thjeshtë dhe më tërheqës përfshirjen në tregun e punës për një numër më të madh grash. Kjo vlen në veçanti për vendet ekonomikisht më të zhvilluara. Në përgjithësi, argumentimi ekonomik tregon që, ndërkohë që disa sektorë, në të cilët gratë punojnë mund të jenë më të ekspozuar ndaj dixhitalizimit, gratë në përgjithësi janë më pak të rrezikuara dhe mund të përfitojnë në fakt nga rritja e mundësive për punë.

 

Provat gjenden tek të dhënat

Nuk është e thjeshtë të vlerësosh ndikimin e automatizimit te përfshirja e femrave në tregun e punës. Në veçanti është e vështirë ta veçosh këtë ndikim nga faktorë të tjerë që përcaktojnë përfshirjen e grave në tregun e punës. Kërkimet e para mbështeten në analiza cilësore të studimeve me një rëndësi të veçantë. Kohët e fundit, progresi në metodat e kërkimit dhe disponueshmërisë së të dhënave ka çuar në vlerësime që vërtetojnë përfitimet e mundshme të automatizimit në përfshirjen dhe punësimin e grave në tregun e punës. Paralajmërimi kryesor është që shpesh ky studim i referohet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe/ose një grupi relativisht të vogël vendesh të zhvilluara (OECD).

Një tjetër studim i fundit krahason rrezikun e dixhitalizimit të vendeve të punës në tetë ekonomi të zhvilluara (Gjermani, Francë, Britani e Madhe, Itali, Rusi, Gjermani, Turqi, Japoni dhe Kore). Nga ky studim dalin dy përfundime të rëndësishme.

Së pari, gratë nuk rrezikohen më shumë se meshkujt dhe shpesh janë në një rrezik më të ulët. Këtu bën përjashtim vetëm Japonia, ku rreziku i dixhitalizimit për burrat është më i ulët.

Së dyti, profesionet me kualifikim të ulët, janë në përgjithësi më shumë të rrezikuara. Megjithatë, mes këtyre profesioneve, gratë përballen me një rrezik më të ulët se sa burrat (edhe këtu bën përjashtim Japonia, ku rreziku i profesioneve me kualifikim të ulët është pothuaj i njëjtë për burrat dhe gratë).

Kjo sepse në ekonomitë e zhvilluara, gratë kanë tendencën të jenë të punësuara në profesione që kërkojnë aftësi sociale dhe ndjeshmëri (për shembull infermiere) dhe si rezultat janë më rezistente ndaj automatizimit, krahasuar me profesione më pak të kualifikuara. Në vend që të mbyllë gjithë vendet e punës, automatizimi duket se po ndryshon profesionet në avantazh të femrave më shumë se meshkujt.

Kjo nuk do të thotë që automatizimi do të eliminojë çdo formë të hendekut gjinor në tregun e punës. Megjithatë, kjo do të thotë se gratë kanë më pak frikë se burrat dhe më shumë mundësi për të përfituar nga automatizimi.

 

Burimi: World Economic Forum

 

 

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz