Greqi, Eurostat: Grekët humbën gati ¼ e të ardhurave gjatë krizës ekonomike

28/12/2018 10:06 PM 0 komente

Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Eurostat, grekët humbën pothuajse një të katërtën e të ardhurave mesatare vjetore të tyre, si rezultat i krizës ekonomike që goditi vendin në vitet 2008-2017. Produkti i Brendshëm Bruto (PBB-ja) për frymë u reduktua në 17,400 euro vitin e kaluar, në krahasim me 22,600 euro në vitin 2008.

Kjo do të thotë se gjatë 9 viteve të fundit, grekët janë varfëruar me 5,200 euro, duke e gjetur veten pjesë e vendeve të nivelit të tretë të BE-së, që ndodhen shumë pranë nivelit të vendeve të ish-Bllokut Lindor.
Efektet e menjëhershme të situatës ishin rënia e fuqisë blerëse dhe konsumit për frymë, në 76% të mesatares së BE-së vitin e kaluar. Kjo është e barabartë me përqindjen e Polonisë dhe Sllovakisë.

Në kontrast me Greqinë, PBB-ja për frymë e 27 vendeve të tjera anëtare të BE-së ka shënuar rritje gjatë periudhës 2000-2017.
Shkurtimet e njëpasnjëshme në paga, pensione, kompensime dhe të ardhura të tjera, për shkak të zbatimit të Memorandumeve dhe mbivlerësimit, kanë ulur të ardhurat mesatare të grekëve në nivelet para viteve 2000 (17,600 euro). Greqia tani renditet e 18-a në Bashkimin Europian dhe e 15-a në Eurozonë, bazuar në PBB-në për frymë.

Më keq se qytetarët grekë janë ata të Republikës Çeke (PBB-ja për frymë shkon në 17,200 euro), Sllovakia (15,000 euro), Estonia (14,600 euro), Lituania (12,700 euro), Hungaria dhe Polonia me (11,800 euro), Letonia (11,600 euro) Kroacia (11,500 euro), Rumania (8,300 euro) dhe Bullgaria (6,300 euro).

Situata është edhe më e zymtë nëse do t’u referoheshim të dhënave që kanë të bëjnë me konsumin për frymë dhe PBB-në për frymë në aspektin e Parimit të Fuqisë Blerëse (PPP), p.sh., në bazë të vlerës reale të parave tona. Konsumi për frymë në Greqi ra në 76% të mesatares së BE-së në 2017, nga 77% në 2016 dhe nga 79% në 2015. Polonia dhe Sllovakia janë në të njëjtin nivel.

Megjithatë, Polonia e ka përmirësuar performancën e saj, ndërsa Sllovakia ka mbetur në nivele të qëndrueshme. Konsumi më i lartë për frymë në Njësitë e Energjisë Blerëse u regjistrua në Luksemburg (132% e mesatares së Komunitetit), në Gjermani (122%) dhe Austri (117%). Në vitin 2000, borxhet e korporatave dhe ato të familjes arritën në vetëm 66.31% të PBB-së, ndërsa në fillim të krizës së vitit 2008, ato gati u dyfishuan në 126.27% të PBB-së. Viti më i keq ishte viti 2012 kur ato u rritën më shumë, duke shkuar në 147%.

Sipas FMN-së, borxhi i ekonomisë familjare arriti në 62.81% të PBB-së vitin e kaluar, ose rreth 113 miliardë euro, ndërsa borxhi i papaguar i kompanive u vlerësua në 68.40%, ose pothuajse 123 miliardë euro.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of