Sofja dhe Athina nënshkruan një marrëveshje për ndërtimin e një hekurudhe me shpejtësi të lartë, duke shpresuar për të tërhequr investimet e huaja dhe për të krijuar lidhje të forta në një rajon historikisht të njohur për ndarjet dhe antagonizmin midis vendeve fqinje.
Kryeministri bullgar i qendrës së djathtë, Bojko Borisov, u takua me homologun e tij grek, Alexis Tsipras, në Kavala të Greqisë veriore, takim në të cilin nënshkruan marrëveshjen mbi ndërtimin e një linje hekurudhore që do të lidhë tre porte greke të Selanikut, Kavalas dhe Aleksandropolisit me tre portet bullgare të Burgasit dhe Varnas në Detin e Zi dhe portin rus në Danub.
Qeveria bullgare tha se projekti, i quajtur “Sea2Sea”, pritej të kishte një interes të madh investitorësh nga Lindja e Mesme, Kina, Rusia dhe disa prej tregjeve të tjera kryesore.
Kina është duke investuar shumë në ndërtimin e hekurudhave në portin grek të Pireut. Në vitin 2016, kompania shtetërore kineze Ocean Shipping, përvetësoi shumicën e aksioneve në Autoritetin Portual të Pireut.
Qeveria kineze e konsideron Pireun pikën kryesore të hyrjes së eksporteve kineze në BE-në jugore, lindore dhe qendrore, si dhe qendrën kyçe për transportin detar në të gjithë Detin Mesdhe.
Mediat greke njoftuan se një grup bullgaro-grek do të ngrihet deri në fund të shtatorit. Një agjenci ndërkombëtare do të krijohet për të zbatuar projektin, duke përdorur fondet private të BE-së.
Shtypi bullgar ka raportuar se masterplani i infrastrukturës rajonale do të kushtojë 5 miliardë euro, nga të cilat 1 miliard mendohet se do të përdoren për ndërtim në territorin bullgar.