Jo për herë të parë në pesë vitet e fundit, Greqia po përballet me krizat e ndërlidhura politike dhe ekonomike. Si rezultat, aktivet financiare greke janë bërë gjithnjë e më të paqëndrueshme. Vendi po përballet me dy pasiguri në ditët në vijim: E para lidhet me marrëveshjen me kreditorët zyrtarë ndërkombëtarë mbi rishikimin e vonuar të programit të masave shtrënguese të vendit dhe zhvendosjes drejt një linje të re krediti në vitin 2015. E dyta konsiston në rrezikun e zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme. Ditët e fundit tregu i aksioneve greke upërball me rënin më të madh që nga 1987, ndërsa u dobësuan gjithashtu tregjet e obligacioneve të qeverisë greke. Yield-i i obligacioneve me maturim 10-vjeçar arriti në 7.74%, shumë më lart se niveli i tij i ulët i shtatorit në rreth 5%. Nëse marrëveshja me Trojkën e kreditorëve nga Bashkimi Europian, Banka Qendrore Europiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk arrihet shpejt, tensioni politik në Greqi ka gjasa të rritet ndjeshëm. Kjo mund t’i përballë konservatorët në pushtet me një goditje të rëndë dhe ndoshta do ta nxisë Kryeministrin Antonis Samaras të thërrasë zgjedhje të parakohshme. Nëse nga ana tjetër, vendi nuk do të mbajë zgjedhje të parakohshme, marrëveshja me trojkën mund të mbetet ‘e ngrirë’. Zyrtarët grekë thonë se pasiguria politike e vendit mund të jetë arsyeja kryesore që inspektorët e vendit po e zvarrisin dhënien e dritës jeshile për shqyrtimin e fundit të vendit. Kreditorët po kërkojnë të zgjerojnë programin e shpëtimit të vendit deri në gjashtë muaj, ndërsa qeveria greke shpreson për një zgjatje më të shkurtër prej vetëm disa javësh.
Vendimi zyrtar mbi këtë çështje mund të merret shpejt. “Shumicës së shteteve anëtare i duhen gjashtë muaj për të shmangur aksidentet e ardhshme”, – tha një zyrtar i lartë i Eurozonës. Kjo deklaratë erdhi edhe pasi Ministria e Financave greke propozoi një numër shtesë të rritjes së taksave jopopullore dhe të masave shtrënguese në përpjekje për të kapërcyer divergjencat me Trojkën.
Kryeministri grek, Antonis Samaras, i quajti kërkesat e Trojkës “irracionale dhe të pajustifikueshme”. Zyrtarët qeveritarë dyshojnë se kreditorët mund të kenë bërë qëllimisht kërkesa të mëdha në mënyrë që të shtyjnë programin përtej marsit dhe pasigurinë e shfaqur nga zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Deri në mars, Parlamenti do të duhet të zgjedhë një president të ri me një mazhorancë prej të paktën 180 votash, nga një total prej 300, ose të përballet me shpërbërje që do të rezultonte në zgjedhje kombëtare.
Lideri i së majtës Syriza, Aleksis Tsipras, i cili kryeson në sondazhet e opinionit, ka thënë në mënyrë të përsëritur se ai nuk do të pranojë asnjë paketë të rënë dakord ndërmjet qeverisë aktuale të koalicionit, e përbërë nga konservatorët Demokracia e Re, Partitë Socialiste të Pasok dhe huadhënësit ndërkombëtarë. Por nëse negociatat për epokën e marrëveshjes së postkredisë së vendit shtyhen deri në mes të 2015-s, influenca e Syriza-s do të reduktohet dhe do të vihet nën presionin e Trojkës për të nënshkruar marrëveshjen. Marrëdhënia mes konservatorëve të Greqisë dhe huadhënësve nuk është rimëkëmbur si duhet që nga tetori. Ishte pikërisht atëherë që Greqia deklaroi se po synon për një dalje të pastër nga marrëveshja e kredisë dhe do të jetë në gjendje të sigurojë vetë nga tregu i borxhit rreth 9 miliardë eurot për të cilat ajo ka nevojë vitin e ardhshëm.
Që nga ajo kohë, qëndrimi i Trojkës ka përshpejtuar zhvillimet politike. Shumë ligjvënës, madje edhe brenda partisë në pushtet, po kërkojnë afrimin e zgjedhjeve presidenciale, në mënyrë që vendi të mos zvarritet në pasiguri deri në mars.