Java që lamë pas ka shënuar uljen më të madhe të çmimit të naftës në bursa duke kapur 10 % rënie çmimi brenda javës një rënie rekord të cilës po i gëzohen konsumatorët dhe bizneset në gjithë botën dhe që po shihet si “dhurata e Krishtlindjeve” në mbarë botën.
Në Shqipëri kjo javë nuk është reflektuar në çmimet e shitjes së naftës dhe benzinës as të dielën(14 dhjetor) dhe as të hënën(15 dhjetor) që janë si rregull ditët e kur kompanitë e karburanteve në ndjekje të njëra-tjetrës ulin çmimet.
Që nga janari i këtij viti, nafta në tregun vendas ka rënë me 12-15 lekë për litër, apo me rreth 7%, ndërsa në botë, nafta referencë europiane Brent, ka zbritur nga 105 dollarë për fuçi në rreth 54 dollarë aktualisht apo me 48 %, rreth 7 herë më shumë.
Uljet e fundit janë bërë më datët 2 dhe 9 dhjetor 2014 kur çmimet mesatare u ulën në 169-172 për naftën dhe 172-175 nuk ka patur më ulje të çmimit pavarësisht opinionit të shtuar publik dhe debatit politik mazhorancë-opozitë se Shqipëria përbën një përjashtim në mosreagimin në masën e duhur të uljes së çmimit të karburanteve në vend kur bien çmimet në bursa. Një studim i agjencisë ekonomike të lajmeve Bloomberg ka renditur vendet sipas çmimeve nivelit të çmimeve pas reagimit në ulje në çmimin e pakicës(furnizimit në pompë) për periudhën qershor-dhjetor 2014 kur rënia e çmimit është dhe më e dukshme.
Të dhënat tregojnë se për vende në Evropën Qëndrore dhe Lindore Shqipëria ka marzhin më të ulët të reduktimit të çmimit me vetëm 7 për qind ndërkohë që rënia e çmimit të gazolit në këto vende ka qenë 2 deri në tre herë më e lartë se në Shqipëri.
Kështu rënien më të fortë në rajon e ka patur Letonia me 20 për qind e ndjekur nga Hungaria me 18 %, rumania me 17 për qind, Kroacia dhe Qipro me 16 për qind. Estonia që ka uljen më të vogël(15 5) ka gjithësesi një ulje që është 2.5 herë më e lartë se ajo që ka ndodhur në tregun shqiptar(7 %) pasi çmimet në këtë vend kanë rënë me 15 për qind.
Ndër vendet rekord për rënien e çmimit deri ditën e sotme janë SHBA ku çmimi i shitjes me pakicë ka rënë me 25 për qind ose nga 3.7 dollarë për gallon(1 gallon=3.78 litër) ose 0.97 dollarë për litër në 23 qershor në 2.78 dolarë për gallon ose 0.73 dollarë për litër në dhjetor 2014.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.