Janë disa grupe që janë fuqizuar gjatë viteve të fundit, duke u renditur ndër sipërmarrjet më të mëdha në vend. Në një zhvillim pozitiv, me përjashtim të grupit Çalik, të tjerat janë me pronësi vendase. Monitor sjell grupet më të mëdha në vend (llogaritur duke mbledhur faturimet vjetore të sipërmarrjeve me aksioner të njëjtë).
“Kastrati Group”
Tregtuesi i naftës, “Kastrati Group” (që përfshin dhe kompaninë tjetër të naftës “Kaspetrol”) është një ndër grupet me rritje më të shpejtë në vitet e fundit, duke u bërë në 2013-n më i madhi në vend, pozicion që deri në 2012-n e mbante Çalik. Xhiro e kombinuar e grupit të tregtimit të naftës ishte 68 miliardë lekë, me një rritje prej 30% me bazë vjetore (viti i dytë radhazi me rritje dy shifrore), e udhëhequr nga performanca e mirë e Kastratit.
“Çalik Group”
Grupi turk, që zotëron tri kompani të mëdha në vend, BKT, “Albtelecom” dhe “Eagle Mobile” (dy të fundit që prej vitit 2013 tashmë të bashkuara në një) ka realizuar një xhiro të kombinuar prej rreth 47.5 miliardë lekësh në 2013-n, me një tkurrje vjetore prej 11%, si rrjedhojë e rënies së qarkullimit vjetor të të gjitha kompanive të grupit.
“Balfin”
“Balfin Group” është rritur me shpejtësi vitet e fundit. Në aktivitetin e tij në Shqipëri (përmes kompanive Neptun, Alb Chrome, ACREM, TEG, MZ Fashion), grupi realizoi një qarkullim vjetor prej rreth 14 miliardë lekësh, 64.5% më shumë se një vit më parë, si rrjedhojë e performancës së mirë të Neptun dhe llogaritjes si pjesë e grupit të faturimit të AlbChrome.
Grupi e ka diversifikuar aktivitetin në shërbime, ndërtim, tregtim dhe deri në aktivitet minerar, përmes blerjes së Albchrome.
Grupi “Agna”
Tri kompanitë kryesore të grupit, “Agna” sh.a (shpërndarës produktesh dhe investues), “Alfa” sh.a. (ambalazhues i “Pepsi”, “Ivi”, “7Up”, “Lipton Ice Tea”; prodhues i “Glina” dhe “Spring”; shpërndarës i “Heineken”, “Amstel”, “Alfa Beers”, “Tsantali Wines” dhe “Shark Energy Drink”) dhe “Albartex” (që vepron në fushën e reklamave outdoor), realizuan për vitin 2013-n një xhiro prej rreth 25.7 miliardë lekësh, me një rritje prej 22.1% me bazë vjetore, udhëhequr nga performanca e mirë e Alfa.
Grupi “Infosoft”
Grupi “Infosoft” ka realizuar në total një xhiro prej 21.4 miliardë lekësh, me një rritje prej gati 5.4%, në aktivitetin e tij në Shqipëri, sipas të dhënave nga tatimet. Aktiviteti i tij në Shqipëri përfshin “Infosoft System”, “Infosoft Office”, ITD, në fushën e teknologjisë së informacionit, si dhe kompanitë e shpërndarjes e tregtimit në segmentin FMCG, “Inter Distribution Service”, “Interbrands” dhe “Inter Trade & Distribution”. Rritja në 2013-n u udhëhoq kryesisht nga kompanitë që veprojnë në segmentin FMCG.
Intervistë me zj. – Edlira Muka, zv Presidente e Balfin Group
Kemi minimizuar ndikimin e krizës
Si ka qenë ecuria e kompanive të grupit gjatë vitit 2013?
Viti 2013 ka qenë një vit shumë intensiv për Grupin Balfin duke pasur parasysh objektivat që duheshin arritur. Një ndër objektivat kryesorë ka qenë ristrukturimi i shoqërisë AlbChrome, pjesë e Grupit Balfin që nga fundi i vitit 2012, për t’u përshtatur me standardet e Grupit dhe për t’u kthyer konkurruese në tregjet ndërkombëtare.
Për të përmbledhur shkurt ecurinë e Grupit Balfin dhe shoqërive në shifra, duhet të bëj një ndarje në dy nivele: aktiviteti i Grupit brenda në Shqipëri dhe jashtë, në nivel ndërkombëtar. Nga shoqëritë që operojnë brenda në Shqipëri është arritur që të realizohet një rritje prej 56% të xhiros vjetore, krahasuar me vitin 2012. Rritja më e madhe ka ardhur kryesisht nga shoqëritë që operojnë në sektorin e shitjeve me pakicë, produkteve elektronike dhe sidomos nga përfshirja e Grupit Balfin në industrinë minerale.
Nuk ka qenë kështu ecuria e kompanive që operojnë në tregjet ndërkombëtare pasi ka pasur rënie të xhiros vjetore. Kjo ka ndodhur për pasojë të ndryshimit të mënyrës së operimit të shitjeve nga shoqëritë kryesore të prodhimit të produkteve elektronike, të cilat tashmë kanë filluar ta integrojnë departamentin e shitjeve me shumicë brenda strukturave të tyre organizative.
Në lidhje me numrin e punonjësve është për t’u theksuar fakti që rritja e numrit të tyre ka ndodhur si në shoqëritë që operojnë në Shqipëri, ashtu edhe ato që e zhvillojnë aktivitetin në tregjet ndërkombëtare. Në rritjen e numrit të punonjësve në Shqipëri ka ndikuar kryesisht blerja nga ana e Grupit Balfin të shoqërisë AlbChrom, e cila ka një numër të madh punonjësish.
Si ka ndikuar kriza ekonomike në ecurinë e kompanive të grupit dhe çfarë strategjish keni ndjekur për të përballuar ngadalësimin e konsumit në vend?
Gjatë vitit 2013, ekonomia shqiptare ka ndier një ngadalësim të rritjes, ashtu siç vëren edhe raporti vjetor i Bankës së Shqipërisë. Besoj se ne kemi reaguar në kohë e kemi marrë të gjitha masat që ndikimi i kësaj situate te shoqëritë e Grupit të ishte sa më minimal. Bazuar edhe në të dhënat e mësipërme mund të shikohet se për shoqëritë e Grupit nuk ka pasur ndikim të madh situata e përgjithshme në ekonominë shqiptare. Vetë Grupi Balfin ka operuar drejt diversifikimit, drejt aplikimit të teknikave të reja të shitjeve dhe drejt përmirësimit e kontrollimit të kostove. Ne u kemi ofruar të gjitha shoqërive përvojën më të mirë menaxheriale dhe mbështetjen e duhur financiare për t’u rritur e për t’u përmirësuar. Të gjitha këto masa besoj se kanë dhënë efektin e pritur pozitiv.
Cilat janë pritshmëritë tuaja për të ardhmen dhe planet për investime të reja?
Një nga fushat ku është orientuar vëmendja e Grupit Balfin është turizmi i qëndrueshëm, duke investuar në projekte që janë risi absolute në atë që do të ofrojë Shqipëria në fushën e turizmit. Pasi ka filluar konkretizimi i projektit të ndërtimit të një kompleksi vilash me shërbime të plota në Hamallaj po punohet paralelisht edhe për Green Coast, që paraqet edhe projektin e parë të këtij lloji në Shqipëri. I projektuar për t’u ndërtuar në rivierën shqiptare, Green Coast do të ofrojë një mënyrë të re të menaxhimit, duke gërshetuar hotelerinë dhe pronësinë mbi vilat apo apartamentet. Gjithashtu Green Coast do të ofrojë për herë të parë në Shqipëri format e argëtimit, duke i shtuar vlerë asaj që ofron vetë natyra. Janë bërë të gjitha studimet e nevojshme, të cilat janë pasqyruar në projekt, për të ruajtur e për të zhvilluar natyrën, por edhe duke “vjedhur” nga arkitektura tradicionale të zonës. I gjithë ky projekt paraqet një risi absolute në fushën e turizmit të qëndrueshëm, duke u ofruar turistëve vendas dhe të huaj atë i ka munguar nga paketa turistike që ofron Shqipëria, jo vetëm në verë por gjatë gjithë vitit tashmë.
Një tjetër zhvillim, por në fushën e shitjeve me pakicë, është zgjerimi i rrjetit të Jumbo. Brenda këtij viti, edhe Kosova do të ketë dyqanin e parë të Jumbo.
Tashmë Tirana Logistic Park është operativ dhe kemi arritur një marrëveshje me Milsped, një prej operatorëve ndërkombëtarë më të suksesshëm, për ofrimin e një pakete të plotë për sa i përket jo vetëm magazinimit, por edhe shpërndarjes.
Për sa i përket shoqërisë AlbChrome, tashmë punimet për pusin e thellësisë vazhdojnë për të përfunduar një prej investimeve më të mëdha në fushën e industrisë nxjerrëse në të gjithë Europën. Ndërkohë që investimi për rihapjen e Impiantit të Pasurimit të Klos ka përfunduar dhe po pritet që të hapet shumë shpejt edhe Uzina e Ferro-Kromit në Burrel.
Balfin
Balfin, Balkan Finance Investment Group është një ndër grupet private investuese më të mëdha në Shqipëri dhe rajon. Portofoli i investimeve të Grupit mund të kategorizohet në aktivitete për zhvillimin e pasurive të paluajtshme, shitjet me pakicë, ofrimin e shërbimeve dhe menaxhimin e hapësirave tregtare apo industriale, telekomunikacion, industria minerare, financime dhe programe besimi për konsumatorët.
Me fillesat e veta që në vitin 1993, në kryeqytetin e Austrisë, Vjenë, tashmë ka krijuar një reputacion si Grupi më aktiv dhe inovator, falë investimeve të suksesshme në ide që kanë transformuar dhe revolucionarizuar jo vetëm tregun por edhe sjelljen e konsumatorëve. Sot, me zyrat qendrore në Tiranë, Grupi Balfin ka një aktivitet të shtrirë në Shqipëri, Austri, Serbi, Maqedoni, Mali i Zi, Itali, Kosovë dhe Dubai.
Balfin në shifra
Grupi raporton një shifër afarizmi prej 321 milionë eurosh në total, së bashku nga kompanitë brenda vendit dhe ato jashtë vendit (129 milionë euro nga bizneset kombëtare dhe rreth 192 milionë euro nga bizneset ndërkombëtare).
Biznesi që sjell më shumë të ardhura jashtë vendit është ai i elektronikës, si brenda ashtu dhe jashtë vendit, duke përbërë rreth 70% të faturimit faturimit vjetor të të gjithë grupit në 2013-n.
Në total, numri i të punësuarve të grupit, brenda dhe jashtë vendit ishte 2328, nga të cilët 1716 janë punonjës brenda vendit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.