Kryesojnë veshjet e këmbëve, të ndjekura nga tekstilet; lëndët djegëse rritje e ulët; rritje rekord eksportet e letrës e kartonit…
Eksportet kanë shënuar një ecuri pozitive në muajt e parë të vitit, sipas të dhënave të publikuar nga INSTAT, duke u zgjeruar me rreth 10% me bazë vjetore për katërmujorin.
Të dhënat e INSTAT detajojnë se cilat janë grupet që po ecin më mirë dhe po i japin një dorë të gjithë eksporteve shqiptare.
Të parat renditen veshjet e këmbëve, me një rritje prej 3.5 miliardë lekësh në vlerë dhe 31.5% në përqindje. Lulëzimi i eksporteve vjen pasi drejtuesja e Donniana, kompania më e madhe e prodhimit të këpucëve në vend raportoi në shkurt të këtij viti se kishte lidhur mbi 1000 kontrata me rrjetet e mëdha tregtare nga Malta në Kanada, Turqi, Gjermani, Francë, Itali, vendet skandinave, Belgjikë, Austri etj, që do i mundësonin fabrikës punonte me kapacitet të plotë, duke arritur në një prodhim vjetor të parashikuar prej 1,2 milionë palësh. Prej disa vitesh, Donianna ka mbyllur ciklin e prodhimit, që nga design e lënda e parë, madje duke e siguruar vetë edhe tregun e shitjes.
Grupi i dytë janë tekstilet, që punojnë kryesisht me material porositësi. Edhe këto po shohin një lulëzim, si rrjedhojë e rikthimit të interesit të partnerëve italianë, që po shfrytëzojnë avantazhet e prodhuesve shqiptarë: afërsia gjeografike, kosto e ulët e fuqisë punëtore, porositë e vogal dhe dorëzimi i shpejtë. Eksportet e tekstileve janë shtuar me rreth 3 miliardë lekë, apo 46%.
Të tretën, për rritjen në raport me katërmujorin e një viti më parë renditen lëndët djegëse minerale, që e kanë humbur gjithsesi shkëlqimin e një viti më parë. Ky grup është rritur me gati 1 miliardë lekë, apo rreth 4.5%.
Në ngjitje të shpejtë janë eksportet e letrës dhe kartonit, që janë zgjeruar me 0.9 miliardë lekë në vlerë absolute, apo me rreth 72% (si rrjedhojë e bazës së ulët). Ky lulëzim i këtij grupi vjen pas shtimit të punës së kompanisë me qendër në Berat, Center Shqiptare, që eksporton çanta letre në tregun e BE-së (në formën e regjimit të përpunimit aktiv-materialit të porositësit).
Ecuri të mirë po shfaqin dhe eksportet e bimëve mjekësore, që u rritën me 0.4 miliardë lekë, apo 45%.
Grupet e tjera kanë pasur rritje më modeste.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.