Kastrati
Grupi Kastrati është tregtuesi më i madh i karburanteve në vend, ka aktivitet në fushën e sigurimeve dhe të tregtimit të automjeteve dhe së fundmi po diversifi kon aktivitetin dhe në fushën e ndërtimit. Qarkullimi vjetor i grupit i afrohet 500 milionë eurove në 2017-n.
Dy kompanitë kryesore të grupit, Kastrati sh.a. (tregtuesi me shumicë i naftës) dhe Kastrati sh.p.k. (tregtuesi me pakicë), kishin të ardhura të kombinuara prej 57.8 miliardë lekësh, me rritje të lehtë nga një vit më parë. Në sigurime, Alb Siguracion ka zgjeruar të ardhurat me 12%, në gati 2 miliardë lekë.
Edhe kompania tjetër e grupit, Auto Star Albania, përfaqësuesi zyrtar i Mercedes-Benz në Republikën e Shqipërisë, ka rritur të ardhurat me 18% në 2 miliardë lekë (në tetor 2015, Kastrati sh.a., bleu 75% të aksioneve të kompanisë). Një kompani e re e grupit është Tenet, me aktivitet në transportin dhe tregtimin me shumicë të naftës e gazit, e krijuar në fi llim të 2017-s, që raportoi 1.8 miliardë lekë të ardhura në vitin e parë të aktivitetit.
Balfin
Grupi Balfin, me interesa në tregti me pakicë, qendra tregtare, ndërtim, turizëm, miniera, është më i madhi në vend. Pjesë e Grupit Balfin janë Qendrat Tregtare TEG dhe QTU, kompania AlbChrome, Mane TCI, Green Coast Luxury Resort, Vala Mar Residences, Tirana Logistic Park – i vetmi park logjistik në Shqipëri, rrjeti i dyqaneve Neptun në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni; Jumbo në Shqipëri, Kosovë dhe Bosnjë; rrjeti i dyqaneve SPAR Albania, Fashion Group etj. Pothuajse të gjitha kompanitë e grupit kanë shënuar rritje të të ardhurave në vitin 2017.
Kompania më e madhe e grupit është Albchrome, me xhiro 9.8 miliardë lekë në 2017-n; e ndjekur nga Neptun, me 7.5 miliardë lekë; Spar Albania me 4.9 miliardë lekë; Mane TCI me 1.6 miliardë lekë; Kid Zone (Jumbo), me 1.6 miliardë lekë të ardhura. Për të gjitha shoqëritë e grupit, që renditen në listën e 200 më të mëdhenjve, të ardhurat janë rritur me 22% në 2017-n.
Përveç Shqipërisë, Grupi Balfin ka prezencë në rreth 10 shtete të botës.
Çalik Group
Grupi turk, Çalik, që zotëron dy kompani të mëdha në vend, BKT e Albtelecom, është një ndër më të mëdhenjtë në vend dhe ka realizuar një xhiro të kombinuar prej rreth 27 miliardë lekësh në 2017-n.
Grupi Agna
Dy kompanitë kryesore të grupit, Agna sh.a. (shpërndarës produktesh dhe investues) dhe Alfa sh.a. (ambalazhues i Pepsi, Ivi, 7Up, Lipton Ice Tea; prodhues i Glina dhe Spring; shpërndarës i Heineken, Amstel, Alfa Beers, Tsantali Wines dhe Shark Energy Drink), realizuan për vitin 2017 një xhiro prej rreth 23.6 miliardë lekësh, me rritje prej 10.2% në raport me vitin e mëparshëm.
Grupi Infosoft
Kompanitë kryesore të Grupit Infosoft kanë realizuar në total një xhiro prej 21.2 miliardë lekësh në aktivitetin në Shqipëri në vitin 2017, pothuajse e pandryshuar në raport me vitin e mëparshëm. Aktiviteti i tij kryesor në Shqipëri përfshin Infosoft System, Infosoft Offi ce, në fushën e teknologjisë së informacionit, si dhe kompanitë e shpërndarjes e tregtimit në segmentin FMCG, Inter Distribution Service, Interbrands dhe Inter Trade & Distribution (51% të aksioneve, pasi në fund të vitit 2016, 49% të kuotave të ITD iu shitën grupit Balfin).
HYRJE TË REJA
Krahas sipërmarrjeve të ndërtimit, nuk kanë munguar as këtë vit hyrjet e reja nga sektorë të tjerë në renditjen e 200 kompanive më të mëdha edhe nga sektorë të tjerë.
Albania Experience është krijuar në 2005, si agjenci turistike dhe makina me qira. Ka raportuar dyfishim të aktivitetit, në 2.6 miliardë lekë, por një pjesë i dedikohet ndryshimit të mënyrës së raportimit të të ardhurave.
R.H.B Belinë, e krijuar në vitin 2012, ka deklaruar 2.23 miliardë lekë të ardhura në 2017-n, pasi mori në fund të vitit 2016 lejen koncesionare për një rafi neri të re për përpunimin e naftës bruto, në Balldren të Elbasanit. Kapaciteti i përpunimit të naftës bruto është 600 tonë/24 orë, sipas lejes koncesionare.
BFI Trade e grupit Balfin, me aktivitet tregtimin e materialeve është një hyrje e re në 200 më të mëdhenjtë, duke rezultuar me të ardhura prej 2.17 miliardë lekësh, pothuajse dyfi shim me bazë vjetore.
4 A-M, e krijuar në 2009-n, me aktivitet në punime elektrike, tregtim me shumicë e pakicë të materialeve elektrike, ia ka dalë të hyjë mes 200 VIP-ave, me të ardhura prej 1.9 miliardë lekësh, pothuajse dyfishim.
TENET, e krijuar në mars të vitit 2017, 50% në pronësi të Kastrati, me aktivitet në transport dhe tregtim me shumicë, i naftës, gazit dhe nënprodukteve të tjera të tyre, realizoi 1.9 miliardë lekë të ardhura.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.