Shitja e Euromax u realizua vetëm dy muaj pasi grupi Balfin ribleu kompaninë nga belgia Delhaize, pasi ajo vendosi të largohej nga Shqipëria.
Presidenti i Balfin kishte ‘paralajmëruar’ në një intervistë për ‘Monitor’ se kishte në plan ta rishiste Euromax-in, sigurisht me një çmim më të lartë se ai me të cilën e bleu nga belgët.
Blerja e këtij rrjeti i mundëson ‘Carrefour’ që të zgjerojë me shpejtësi prezencën e tij në Shqipëri, pasi aktualisht operonte vetëm me një hipermarket në qendrën tregtare Tirana East gate.
Ky transaksioni pritet të shtojë edhe më tej konkurrencën në tregun e retail, pasi gjigandi francez ka patur një ecuri shumë pozitive falë operimit me çmime shumë të ulëta.
Rrjeti i supermarketeve ‘Euromax’ është një brand i krijuar nga grupi Balfin, që arritu të garantonte një performancë mjaft të mirë të tij në vitet e para të aktivitetit. Në 2008 kompania iu shit serbes Delta Group dhe më pas kaloi nën pronësinë e Delhaize pasi kjo e fundit bleu shoqërinë Delta.
Sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve performanca e ‘Euromax’ ka ardhur në rënie që pas blerjes nga serbët e belgët, duke mos arritur nivelet e shënuara më para nga grupi shqiptar Balfin.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.