-Kryeministri Edi Rama, njëherësh edhe kryetar i PS-së, mblodhi dje deputetët, për të diskutuar me ta situatën problematike financiare dhe arsyet e vonesës së paraqitjes së projektbuxhetit të vitit 2014 në Kuvend. Burime nga mbledhja e grupit parlamentar bënë të ditur për “Gazeta Shqiptare” se kryeministri, duke iu shpjeguar arsyen e takimit, është shprehur se “situata financiare është edhe më e keqe nga sa është thënë, pasi shifrat e ditëve të fundit tregojnë për një gropë edhe më të madhe financiare”.
Rama kërkoi prej deputetëve që për këtë të informohet edhe publiku. Të njëjtat burime thanë për GSH se ka pasur propozime nga deputetët që “të merren edhe masa ekstreme për ata që e kanë shkaktuar këtë situatë të rëndë”, por kjo ka mbetur thjesht në nivelin e propozimit. Kryeministri ka shpjeguar se në këtë situatë të rëndë kanë pjesën e tyre edhe çështja me CEZ-in, korrupsioni me çështjen e serverit tek tatimet dhe të tjera si këto. Rama u ka kërkuar deputetëve që edhe ata vetë ta kuptojnë ashtu siç duhet dhe t’ua shpjegojnë njerëzve, se “situata nuk do të jetë fushë me lule, ndaj edhe të ulin orekset për investime në zonat e tyre”.
Sipas Ramës, “ajo çfarë është premtuar në fushatën elektorale për ndërtime rrugësh apo veprash të tjera publike ka qenë pjesë e premtimeve për mandatin 4-vjeçar dhe jo vetëm për vitin e parë”. “Qëllimi”, – mësohet të jetë shprehur kryeministri, “është që të mos mendojmë sot për sot, por në fund të mandatit 4- vjeçar të mund të sjellim ndryshim dhe përmirësim të gjendjes së përgjithshme”, – është shprehur ai. Një tjetër çështje që është sqaruar edhe nga ministri i Financave, Shkëlqim Cani, është edhe ajo e negociatave me FMN-në. Ashtu si dhe kryeministri, edhe Cani sqaroi se “në fakt janë negociata jo të lehtë me FMN-në dhe Bankën Botërore, pasi FMN-ja nga ana e saj ka disa kërkesa, të cilat kanë vonuar edhe paraqitjen e projektbuxhetit të vitit 2014, brenda afateve, në Kuvend”.
Të njëjtat burime thanë mbrëmë për GSH se “FMN-ja kërkon që pagesa e borxhit nga ana e qeverisë shqiptare të fillojë që në 2014-ën, ndërsa qeveria nga ana e saj kërkon shtyrje për në 2015-ën, për shkak edhe të krizës që ajo mori si trashëgim”. Po kështu, propozimi nga FMN-ja është që të mos mendohet për rritje pagash dhe shtim investimesh, në mënyrë që të arrihet të paguhet borxhi, gjë që ende vijon të negociohet. Por, ashtu siç deklaroi pas mbledhjes ministri për Parlamentin, Ilirjan Celibashi, pritet që javën që vjen projektbuxheti të kalojë në Kuvend, pikërisht në Komisionin e Ekonomisë, ndërkohë që në fillim të javës pritet nënshkrimi i një marrëveshjeje mes qeverisë shqiptare dhe FMN-së e Bankës Botërore. Celibashi pohoi se “ende nuk është përcaktuar sa do të jetë saktësisht buxheti i vitit të ardhshëm, pasi ende po diskutohet”. Në fund të mbledhjes, Rama i porositi deputetët që të përgatiten për një debat të gjatë dhe të fortë në Parlament, në momentin që drafti do të kalojë për miratim. Zërat flasin edhe për një rritje të TVSH-së me 1 apo 2%, por të gjitha pritet të sqarohen në momentin që projekti do të depozitohet në Kuvend.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.