Frankfurt, 28 Janar 2016 – Fondi Evropian për Investimet (FEI) dhe Grupi ProCredit kanë nënshkruar një marrëveshje për rritjen e huadhënies për ndërmarrjet SME si dhe për kompanitë me kapacitet deri në 500 punonjës, në kuadër të financimit InnovFin – BE për novatorët, një iniciativë kjo e mbështetur nga Komisioni Evropian.
Marrëveshja e re i mundëson Grupit ProCredit të ofrojë mbështetje financiare për kompanitë me një total prej 250 milion Eurosh nëpërmjet bankave ProCredit që operojnë në Shqipëri, Bosnje Hercegovinë, Bullgari, ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, Moldavi, Rumani dhe Serbi.
Ky nënshkrim i mundëson bankave ProCredit të ofrojnë mbështetje financiare shtesë me kushte të favorshme për ato kompani, që kanë plane investimi të cilat ndikojnë në modernizimin dhe zhvillimin e tyre. E thënë thjeshtë, mb;shteten investimet e reja në biznes që kontribuojnë në modernizimin e proceseve, teknologjisë së përdorur, organizimit të punës, apo dhe që sjellin risi në imazhin e kompanisë. Kryerja e këtyre investimeve sjell zhvillim të biznesit dhe sigurojnë një dimension të ri luajnë një rol shumë të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik. Mjedisi i biznesit ka nevojë për ndryshime të vazhdueshme, përshtatje, përmirësimin e njohurive dhe zhvillim. Ata klientë të cilët menaxhojnë me efektivitet këto kanë dhe përformancë më të mirë në treg. Në afatgjatë janë këto kompani të cilat gjenerojnë më shumë të ardhura dhe krijojnë më shumë vende pune.
Drejtori Ekzekutiv i FEI, Pier Luigi Gilibert thotë: “Jam i kënaqur që nënshkruajmë këtë marrëveshje garancie me grupin ProCredit. Kemi punuar më parë me Grupin ProCredit dhe jemi të sigurt se do të vazhdojnë të mbështesin në mënyrën e duhur bizneset novatore dhe ato në rritje që kanë nevojë për mbështetje financiare”.
Carlos Moedas, Komisioneri Evropian për Kërkimin, Shkencën dhe Inovacionin, shprehet për këtë marrëveshje: “Marrëveshja e huas, e mbështetur nga BE-ja, nënshkruar sot është e hapur për SME-të në Shtetet Anëtare të BE-së si dhe vendet e Evropës Juglindore të përfshira në Programin Horizon 2020. Objektivi i saj është ndihma për nxitjen e investimeve tek kompanitë novatore për promovimin e zhvillimit dhe vendeve të punës.”
Borislav Kostadinov, anëtar i Bordit të Menaxhimit të ProCredit Holding ka shtuar: “Jemi krenarë që ProCredit është grupi i parë i bankave që nënshkruan garancinë InnovFin SME. Kjo do të stimulojë ide dhe investime të reja nga klientët tanë dhe në këtë mënyrë do t’ju mundësojë atyre rritjen e konkurrueshmërisë. Si banka të specializuara për t’i shërbyer kompanive SME në rajon, e dimë se teknologjia moderne, mendimi novator, si dhe orientimi ndaj mjedisit janë faktorët kyç për zhvillimin në të ardhmen. Kjo vlen njësoj si për klientët tanë ashtu dhe për operacionet tona si banka.”
Për të firmosur këtë marrëveshje për ProCredit Bank Shqipëri ishte e pranishme Znj.Adela Leka, Drejtuese e Drejtorisë Ekzekutive së ProCredit Bank. Ajo është e sigurt që synimi i Garancisë InnovFin SME për mbështetjen e realizimit të investimeve për SME-të që dëshirojnë të kryejnë investime afatgjata, afatmesme ose dhe/ose për kapital qarkullues, do të përmbushet më së miri.
Rreth Garancisë InnovFin SME
Garancia InnovFin SME ofron garanci, duke reduktuar risun e humbjeve (në rast se ndodhin) për financimin e huave nga 25,000 deri në 7.5 milion Euro, me qëllim përmirësimin e aksesit në financimin kompanive SME. Garancia InnovFin SME po zbatohet nga Fondi Evropian i Investimeve dhe do të lëvrohet nëpërmjet institucioneve financiare ndërmjetëse në shtetet e BE-së dhe vende të tjera. Në kuadër të Garancisë InnovFin SME, institucionet financiare ndërmjetëse do të marrin garanci nga FEI për një pjesë të humbjeve të tyre të shkaktuara nga financimet e kryera. Garancia InnovFin SME është pjesë e Financimit InnovFin – BE për Novatorët.
Rreth FEI
Fondi Evropian për Investimet (FEI) është pjesë e grupit të Bankave Evropiane të Investimit. Misioni i saj qendror është mbështetja e bizneseve SME duke i ndihmuar ato të kenë akses për financim. FEI projekton dhe zhvillon kapital zhvillimi dhe investimesh, instrumente garancie dhe mikrofinancimi, të cilat kanë në fokus konkretisht këtë segment të tregut. Në këtë rol, FEI mbështet objektivat e BE-së në mbështetje të inovacionit, kërkimit dhe zhvillimit, sipërmarrjes, zhvillimit dhe punësimit.
Rreth grupit ProCredit
ProCredit Holding AG & Co. KGaA, me seli në Frankfurt am Main, Gjermani, është shoqëria mëmë e grupit ProCredit, duke përfshirë bankat ProCredit që operojnë në vendet në zhvillim dhe ekonomitë në rritje si dhe si banka ProCredit në Gjermani. Që nga 30 Nëntori 2015, asetet totale të grupit arrinin në 6.1 miliardë Euro. Volumi gjithsej i huasë ishte 4.6 miliardë Euro, kundrejt depozitave të klientëve që arrijnë në 4.1 miliardë Euro. Baza e kapitalit të grupit arrin në 612 milion Euro. ProCredit Holding AG & Co. KGaA është një “shoqëri publike-private”, aksionarët kryesorë të së cilës janë investitorët strategjikë IPC dhe ProCredit Staff Invest (një mjet investimi për anëtarët e stafit të ProCredit), Fondacioni Holandez DOEN, KFW dhe IFC (Grupi i Bankës Botërore).
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.