Universitetet amerikane, duke filluar nga tetori, kanë nisur të lançojnë “Moocs” ose siç njihen ndryshe si leksione online për t’u bërë sipërmarrës, menaxherë dhe liderë
Viti akademik dixhital nis gjatë këtij muaji. E në fakt numërohen rreth 40 “Moocs”, kurset për masat që mund të realizohen online dhe që iu dedikohen sektorëve të ndryshëm të biznesit dhe ofrohen nga universitetet më të mira amerikane. E përbashkëta? Janë falas. Në këtë artikull do të përpiqemi t’iu njohim me dhjetë më të mirët.
George Siedel
Kurset e tij kanë të bëjnë kryesisht me negocimin dhe në to marrin pjesë ekzekutivë të njohur nga e gjitha bota. Realizohen në Universitetin e Miçiganit dhe janë një seri leksionesh me temë: “Negociata të suksesshme”. Përmes tyre shpjegohen strategji, taktika, etika dhe mënyra për të zgjidhur konfliktet. Siedel gjithashtu analizon burimet e fuqisë, kurthet psikologjike dhe strategjitë për të identifikuar zgjidhje alternative.
Wharton
“Liderë më të mirë, jetë më e pasur”. Në drejtim të katedrës është Stewart D. Friedman, një nga mendjet më brilante që trajton temat e lidershipit, në të cilat shpjegon si dhe pse një jetë personale e kënaqshme krijon liderë më të mirë dhe e anasjella.
Gautam Kaul
Ndër “Moocs”-ët më popullorë është edhe “Prezantimi me financat” i Gautam Kaul, e që rikthehet me një edicion të ri që iu lejon studentëve të njihen me elementet kryesore të vlerësimit të aseteve personale dhe të sipërmarrjes.
Michael Lenox
Kurset e tij ndiqen nga më shumë se 160 mijë studentë nga e gjithë bota. Në dy “seritë” e para të kursit “Themelet e strategjisë së biznesit”, ai është vetë protagonist në bashkëpunim me Universitetin e Virxhinias. Në leksione shpjegohen sesi mund të realizohen dhe të hidhen në treg produkte bazuar në analiza strategjike dhe dinamika konkurruese.
Stanford
Në bashkëpunim me Universitetin British Columbia, ofrohen kurse mbi “Teorinë e lojërave” që mund të aplikohen nga tregjet aksionere, përfshi këtu edhe ato të vendeve që janë në konflikt.
Case Western Reserve University
Organizon kurse me tematikë “Përtej Silicon Valley: si të rrisni biznese të suksesshme në ekonomitë në tranzicion”. Për mes tyre, studentët kanë mundësi të eksplorohen dhe të analizohen modele sipërmarrëse alternative.
Universiteti “North Carolina”
Me kursin me tematikë “Cila është ideja jote brilante” universiteti “North Carolina” ndihmon studentët të zhvillojnë një ide nga fillimi e deri te koncepti i financimit, falë një serie leximesh që ndahen në gjashtë etapa.
Universiteti i Torontos
Universiteti i Torontos shpjegon arsyet e sjelljeve irracionale dhe joprodhuese nga ana e personave dhe mënyrën sesi ata mund të ndikohen pozitivisht për të ndryshuar. Kursi titullohet: “Ekonomia e sjelljes në veprim”.
Universiteti “Georgetown”
Kush është i interesuar në lidhje me paradokset e globalizmit, mund të thellojë më shumë njohuritë me anë të kurseve që zhvillohen nga universiteti “Georgetown”, me temë: “Fitues dhe humbës, sfidat e vendeve të industrializuara dhe ato që janë në zhvillim”.
Universiteti “California-Irvine”
Kurset që zhvillohen në të e vënë theksin te temat aktuale, si inflacioni, politika fiskale dhe monetare, punësimi, tregtia ndërkombëtare dhe shkëmbimet monetare. Ato mbajnë titullin: “Fuqia e makroekonomisë: zbatimi i principeve ekonomike në jetën reale”.
Në fund, ekspertët këshillojnë që në vazhdim mund të ndiqen edhe kurse për marketing, publicitet e sipërmarrje që ofrohen nga universitete si: Wharton, Harvard, Northwestern, Darden e Duke.
Lista e plotë për muajin tetor mund të gjendet te Poets dhe Quants.
…Dhe synoni të punoni në një nga këto dhjetë kompani
Dijet e marra, kur ato plotësohen edhe me kurse të tilla, duhet të vihen në zbatim për të mos mbetur thjesht në letër. E për të gjithë, synimi mbeten kompanitë me emër që ofrojnë edhe pagat më të larta. E në rang ndërkombëtar, kompanitë më të kërkuara për punësim janë dhjetë.
Besimi, pasioni dhe krenaria janë elemente që e bëjnë vendin e punës jo vetëm një nevojë, por edhe një mjedis të duhur, ku mund gjithkush mund të japë më të mirën.
Instituti amerikan “Great Place to Work” (Vendi më i mirë për të punuar) ka hartuar një klasifikim me vendet më të mira në botë për të punuar, ku dallohen tri kategori: ndërmarrje të vogla dhe të mesme, të mëdha dhe ndërkombëtare.
Sipas saj, sa i përket Europës, suedezja “Cygni” me 51 punonjës, është renditur mes kompanive të vogla më të mira, ndërsa për të mëdhatë në krye është klasifikuar francezja Davidson me 890 punonjës.
Padyshim që më interesantja është renditja që ka të bëjë me kompanitë ndërkombëtare. Vendi më i mirë për të punuar në Europë për vitin 2014 është “Microsoft”, gjiganti i informatikës që ka seli në 17 shtete të ndryshme. Kompania është vlerësuar edhe për përpjekjet e saj për aktivitetin vullnetar që ka të bëjë me informimin teknologjik për kategoritë më në nevojë.
Në studim, “Great place to Work” analizon më shumë se 2,000 sipërmarrje, duke marrë në konsideratë dy specifika: atë të punësuarve dhe të menaxherëve me tri kritere specifike.
Në rastin e menaxherëve vlerësohen: arritja e objektivave, aftësia për të dhënë maksimumin nga të gjithë komponentët e grupit dhe ajo e të punuarit si një familje në një mjedis ku ka besim.
Klasifikimi i kategorisë së ndërkombëtareve në Europë:
- Microsoft: 13.475 punonjës
- W.L. Gore & Associates: 2.290 punonjës
- Admiral Group: 5,743 punonjës
- SAS Insitute: 1,831 punonjës
- NetApp: 1,583 punonjës
- Cisco: 1,783 punonjës
- EMC: 7.335 punonjës
- Diageo: 2.186 punonjës
- eBay: 4,732 punonjës
- Mars: 6,315 punonjës