Mund të keni kaluar një vit me shumë punë, e mbase edhe me shumë probleme financiare, por tani është periudha të nxitoni për të mbyllur bilancet tuaja, sa më shumë detyrime, duke lënë mënjanë disa para që duhet të përdorini për atë që ngroh zemrën e vatrën tuaj festive, dhuratat. Janë pikërisht këto që e përsërisin magjinë çdo vit. Është momenti më i mirë për të bërë dhurata. Sigurisht dhuratat e mëdha me vlerë e luksoze janë të mirëpritura, por kushtet ekonomike për shumë prej shqiptarëve nuk do të mund ta lejojnë një gjë të tillë. Ndaj ju sugjerojmë që këtë vit, t’i jepni edhe më shumë rëndësi shprehjes “Mjafton mendimi”, dhurata të vogla, simbolike, të personalizuara, sa më origjinale e të thjeshta. Kështu jini me këmbë në tokë, e me xhepat jo plotësisht të boshatisur.
Me këtë artikull do t’ju ndihmojmë të gjeni zgjedhjet më origjinale, që të mos lodheni duke kërkuar ide për dhurata, ndonëse nuk duam t’ua heqim këtë kënaqësi nëse keni kohë.
Pikësëpari dhuratat nuk duhet të kthehen në një stres për ju. Merreni me qetësi duke kujtuar njëkohësisht se nuk keni shumë kohë në dispozicion. Dhjetëra ide qarkullojnë në kokë për dhuratën ideale. Por, zgjedhja mund të bëhet e thjeshtë nëse dini preferencat e të dashurit apo të afërmit që do t’i bëni dhuratë.
Udhëtime
Një ide vërtet e veçantë dhe që po lakmohet gjithnjë e më shumë janë paketat e udhëtimeve apo fundjavat surprizë për të kaluar natën e ndërrimit të viteve në një vend të qetë të bukur. Kjo është një dhuratë që zakonisht nuk del jashtë familjes. Ofertat e agjencive këtë fundvitit, si për Krishtlindje, edhe për Vitin e Ri, janë në destinacionet e afërta. Qyteza dimërore në Mal të Zi apo Maqedoni. Ofertat më të specializuara vijnë nga Union Travel, dhe për qëndrimet dyditore luhaten 100-150 euro për person.
Dekore
Mes dhuratave të Vitit të Ri nuk mund të mungojnë zbukurimet e personalizuara. Një ide fantastike mund të jetë diçka për shtëpinë, dekorime zbukuruese për dritaret ose edhe qëndisje me punim kryq me temë festive. Destinacioni i thjeshtë për arritur te to janë qendrat tregtare. Çmimet janë modeste dhe një mënyrë e mirë për t’u zgjedhur nga ato që e kanë në plan të bëjnë shumë dhurata.
Teknologji
Produktet e teknologjisë duket se nuk do të dalin kurrë nga moda e dhuratave. Të preferuara janë mbi të gjitha pajisjet e sapodala nga fabrikat e teknologjisë. Edhe ata që nuk bëjnë dot pa tabletë e aksesorë hi-tech, janë gjithnjë e më të shumtë. Por, sugjerimi për këtë fundvit nuk është për produktet më të shtrenjta. Celulari Huawei Smartphone Ascend Y330 ju kushton më pak se 9 mijë lekë dhe mund ta gjeni në QTU. Po këtu mund të zgjidhni edhe Tablet-in Huawei Mediapad Youth 2 për 14,990 lekë.
Për miqtë e vështirë
Nëse kthehet në një problem dhurata për mikun apo shoqen tuaj, zgjidhja më e drejtë janë trajtimet relaksuese, banja termale apo një pazar “i vogël” në dyqane të paracaktuara më parë nga ju.
Për meshkujt
Nëse kërkoni dhurata për meshkuj, zgjedhjet nuk janë edhe aq të kufizuara. Gjithsesi, kujdesuni që të dhuroni diçka që ka lidhje me personalitetin e njerëzve tuaj të dashur. Një këmishë e cilësisë se lartë, apo një triko kashmir do t’i dhuronte buzëqeshjen e mikut tuaj.
Kafshët
Nëse miqtë tuaj kanë kafshë në shtëpi, ju sugjerojmë t’u dhuroni aksesorë. Do të ishit “të likuiduar” e madje edhe më shumë të vlerësuar.
Aksesorët e tyre nuk kushtojnë as shtrenjtë. Ndërsa dhuratat për fëmijët mund të jenë vetë kafshët, një qen i vogël apo një mace. Kini parasysh të siguroheni që familja është e gatshme të kujdeset për të.
Po çfarë t’u dhuroni më konkretisht femrave për Vitin e Ri?
Fustane
Partneri mund të paketojë shumë mirë një fustan. Vlen për gjithnjë, por edhe për mbrëmjen e festës. Për shijet klasike, ju sugjerojmë dyqanin Mango, me fustanin Vicky, Carla, Guipur, që nuk i kalojnë 6500 lekë. Po kaq kushton edhe fustani i zi, i cili nuk mund të mungojë në gardërobën e femrave, madje nuk është i tepërt edhe nëse është fustani i disatë i zi.
Aksesorë
Aksesorët janë dhuratë gjerësisht e përdorshme. Mes familjes, të afërmve, apo miqve. Femrave nuk u mjaftojnë asnjëherë çantat, varëset e madje edhe shallet, të cilët duhen kombinuar me aksesorët e tjerë. Te Parfois, gjeni çantën party, çanta të vogla – dramatic concept, çantë dore rreth 3500 lekë. Për vajzat me flokë të gjatë, mund të zgjidhni një kordele flokësh degë ulliri (1290 lekë). Mundësi më të mëdha zgjedhjeje keni mes varëseve. Të stileve të ndryshme dhe me çmime të ndryshme. Për vajzat që duan të bien në sy, është varësja luksoze që kushton 3500 lekë, ndërsa për varëset më trendy, mund të shpenzoni 1500 lekë. Për një shall të bukur ju duhet të shpenzoni 2500 lekë.
Të brendshme
Po për partnerët, por ndonjëherë edhe mes mikeshash, veshjet e brendshme janë pjesë e dhuratave. Nuk mjaftojnë kurrë, ndaj janë të mirëpritura. Por kujdes, kjo duhet të jetë cilësore, komode, e pa lënë mënjanë paraqitjen e bukur. Getat pa qepje (1490 lekë) janë një ofertë e golden point, ndërsa kanatjera sensuale me dantellë ku kushton 1190.
Fëmijët
Tre janë llojet e dhuratave më të mira për fëmijët. Nëse dhuroni një kafshë, do të shihni që gëzimi i tij, e “mbyt” edhe stepjen më të madhe të prindit që nuk do më tepër angari në shtëpi.
Në dyqanet e kafshëve, kanarinat, macet e këlyshët e qenve, janë një dhuratë që mund ta siguroni edhe brenda vlerës 7 mijë lekë.
Por një dhuratë e këndshme janë aksesorët për fëmijë. Tek Okaidi mund të zgjidhni një kapuç për djem apo për vajza me një vlerë gati 1900 lekë. Edhe një shall për ta kushton po kaq, ndërsa dorezat janë një dhuratë më e lirë. Dorezat për vajza kushtojnë 990 lekë dhe ato për djem 1190 lekë.
Një tjetër dhuratë e pakontestueshme nga fëmijët janë lodrat. Ne do t’ju sugjeronim lodrat prej druri, me ngjyra. Puna me to siguron aftësi zhvilluese, një dhuratë e shëndetshme dhe e sigurt.
Nëse këto ju duken dhurata të lira e doni të shpenzoni më shumë për mikeshën tuaj mund të bëni zgjidhje të tjera. Një body e zezë e Princess Tam Tam (105 euro) ose kompletet intime, “super chic” të edicionit të fundit të Philosophy të Natalie Ratabesi (295 euro), ndërsa për më “fashioniste” do të ishte e përsosur një t-shirt Catwalk të Moschino Cheap and Chic (296 euro).
Edhe tek aksesorët, mjafton të keni më shumë para në dispozicion. Karficat për veshje në formën e këlyshit të Dsquared kushtojnë 95 euro. Një orë me dizajn fantazie të Liberty London 70 euro, ose të Liu Jo Luxury (130 euro). Mes aksesorëve mund të zgjidhni një byzylyk me dizajne të lulëzuara REDValentino, 120 euro, ose ato unisex të Bottega Veneta.
Kozmetikë
Paketa e linjës së tualetit mund të jetë një dhuratë me shumë efekt. Elegante janë edhe propozimet që vijnë nga Bottega Veneta: nga parfumi i rafinuar i shisheve të qelqta të Murano-s ose scrub-i për trupin.
Keni një mikeshë që është e pasionuar pas kremrave të syve? Atëherë mund t’i dhuroni Absolue L’Extrait Baume-Elixir Yeux Rigenerante Supremo të Lancôme.
Mes parfumeve, Chanel Coco Noir, është një fragrancë chic dhe misterioze për të gjithë ato që preferojnë parfumet me aromë orientale. Një zgjidhje tjetër është Liz Earle, me produkte të preferuara nga yjet britanike. Bëhet fjalë për produkte trajtimi të fytyrës, duarve dhe trupit, të cilat mund t’i përdorni çdo ditë.
Një përzgjedhje e studiuar për tipat më vanitozë. Koleksioni i Tom Ford Private Blend Oud Fragrance, pasuron gamën Private Blend me produkte tualeti shumë elegante.
Për të befasuar meshkujt finë mund t’i drejtoheni parfumerisë së nivelit të lartë, siç është ajo e realizuar nga laboratori Le Labo, Jus mai banali, tek e cila mund të “nuhasni” punën e madhe për të realizuar këtë esencë. Ata që janë të pasionuar pas aromave nostalgjike mund të provojnë edhe kolonjën. Ajo më e mira është Acqua di Colonia 4711. Ndërsa për të gjithë ata që dëshirojnë të përjetojnë të tashmen mund të zgjedhin si dhuratë Burberry Brit Rythm, një koktej aromash që frymëzon adrenalinë dhe eufori. Paketim i zi dhe transparent. Shumë i rafinuar është edhe propozimi që vjen nga Bottega Veneta: parfum, xhel për dush, balsam pas rrojës, shkumë banjë dhe vaj stini, pra nuk mungon asgjë.
Trajtime estetike
Kujt nuk do t’i pëlqente një trajtim estetik, në çdo kohë të vitit, e për më tepër në prag të festave, kur duam të dukemi më të bukur, në formë, e të relaksuar pavarësisht punës. Trajtimet e fytyrës, masazhet e trupit dhe kurimi i thonjve janë më të kërkuarat nga femrat, sipas menaxherëve të qendrave estetike. Dhe kur flasim për trajtim fytyre apo masazh trupi, kemi parasysh edhe interesin e rritur të meshkujve. Gjithsesi, trajtimet estetike si dhuratë u adresohen kryesisht femrave. Nëse partnerja juaj po kërkon të dobësohet, nuk duhet t’i ketë dhuratë nga ju seancat e dobësimit. Mund t’i dhuroni shumë një masazh relaksues, duke treguar që jeni të interesuar më shumë për mirëqenien e saj e nuk ju shqetësojnë kilogramët e tepërt. Të tilla masazhe, ofron pothuajse çdo qendër estetike dhe nuk e kalojnë vlerën e 40 eurove.
Por ne kësaj radhe ju sugjerojmë një trajtim pak më të avancuar, e mbi të gjitha të ri në tregun tonë. Flasim për trajtimet estetike me plazmën e pasur me trombocite (Platelet-rich plasma- PRP) quhet ndryshe plazma e gjakut me përqendrim të madh trombocitesh, në të cilën gjenden dhjetëra faktorë rritjeje dhe citokina, të cilat nxisin rigjenerimin dhe shërimin e lëkurës dhe indeve të buta, përmes nxitjes së prodhimit të kolagjenit të ri. E quajtur ndryshe “lifting i vampirit”, “terapia drakula” PRP ka në bazë të saj aplikimin përmes mikro-injeksioneve kutane të faktorëve të rritjes së marrë nga gjaku i vetë pacientit. Qendra Vip Line e sjell këtë, përmes një procedure që zgjat nga 45 minuta (në fytyrë) deri në 90 minuta (në skalpin e kokës). Trajtimi i lëkurës në disa pjesë të trupit mund të realizohet për të gjitha vajzat mbi 25 vjeç dhe për rigjenerimin e plotë të kolagjenit ju nevojiten 2-3 muaj kohë. Ndaj nëse këtë dhuratë nuk ua bën dikush, mund t’ia bëni shumë mirë vetes.
Ngrini dolli me verëra shqiptare
Dollitë janë vetëm për mendime pozitive dhe e tillë duhet të jetë edhe vera. Keni mundësi të mëdha zgjedhje, por në këtë vit ju sugjerojmë një verë shqiptare, e cila përveçse ka marrë disa çmime, prodhohet me shumë dashuri në kodrat e Shqipërisë së Mesme, ndërsa e zgjedhur e bën unike. Flasim për verën Kokomani, shesh i bardhë dhe shesh i zi. Një shije që nuk ju zhgënjen, vjen edhe e paketuar posaçërisht për festa, nga pronari i kantinës. Një shishe e tillë, mund ta blini për rreth 1000-1500 lekë.Libra, për miq që lexojnëKa pak që ka kaluar Panairi i Librit dhe titujt e botimeve të promovuar si më të mirat i keni ende në kokë. Mes promovimeve po mbizotërojnë gjithnjë e më shumë librat publicistikë. Libri për Ahmet Zogun kushton 1500 lekë. Por kjo nuk do të thotë që të hiqni dorë nga historitë romantike, apo të librave policesk. Libri i Antonio Tabuhi, Requiem, kushton 600 lekë.
Delikatesa nga David Foenkinos, 600 lekë, flet për një histori dashurie të ëmbël dhe delikate mbi aftësinë e zemrës për t’u ripërtërirë e për të gjetur një agim të ri. Ai nuk është ndër të rinjtë në treg, por vlen për romantikët që ende nuk e kanë lexuar.
Dhuratat e “rrezikshme”
Jo sepse janë të rrezikshme, por efekti i dhuratave mund të jetë i tillë.
Ndaj, pa dashur t’ju frenojmë frymëzimin për dhurata, e pa dashur të biem në përsëritje për këshilla që pjesërisht mund t’i dini, po ju sjellim në vëmendje dhuratat që nuk duhet të bëni, në mënyrë që të shmangni sa më shumë hatërmbetjet apo humorin e keq edhe në ndërrimin e viteve.
Për të shmangur këtë, mund të merrni në konsideratë disa këshilla.
Portofola. Është një dhuratë shumë personale e si rrjedhim vështirë të preferohet përzgjedhja juaj.
Elektroshtëpiake, është paralajmërim për burrat. Gratë mund ta kërkojnë si dhuratë, por duhet të dini kërkesat specifike për pajisjen.
Manuali. Ka pak a shumë efektin e elektroshtëpiakeve. Mos e dhuroni nëse nuk iu është kërkuar një i tillë. Është një dhuratë e pavend, sepse manifeston paaftësi për të kuptuar një aktivitet të caktuar: të bërit të një torte, përdorimi i një kompjuteri ose dobësimi.
Pizhame
Sipas një studimi të “Ebay” do të jetë dhurata më e shpeshtë që gratë do t’u bëjnë burrave. Një dhuratë që mund t’ju sjellë një efekt të kundërt.
Pantofla – Mos i dhuroni kurrë. Çështje libidoje.
Peshqirë me dizajne festive, për meshkujt nuk janë të bukur.
Të brendshme të kuqe. Kanë premisa për të mos qenë cilësore e madje të dëmshme.
Kravata, ashtu si të brendshmet, duhet të jetë cilësore, përndryshe nuk ka vlerë.
Antirudha ose anticelulite
Burrat nuk duhet t’ua blejnë grave të tyre, kështu shmangin dhënien e gjykimeve që shprehen për këto dhurata.
Dhurata që ju pëlqen juve.
Mund të jeni sportivë, ndërsa personi të cilit ia dhuroni ka natyrë klasike. Është e kotë të mundoheni të blini sipas shijes së tij.
Veshje jo të masës së duhur
Nëse nuk e dini masën e saktë, atëherë shmangni dhurimin e fundeve ose të pantallonave. Nëse veshja nuk i bën, është më keq sesa të mos kishit bërë dhuratë.
E nëse do të përpiqeni të mos jepni ndjesinë e kundërt te miqtë që ju bëni dhurata, përgatituni edhe për dhuratat e papëlqyeshme që mund të merrni. Nëse kjo do të ndodhë përpiquni të mos transmetoni gjithë pakënaqësinë te miku juaj. Kini parasysh se ai ka bërë një përpjekje, dhe vlerësoni atë që ju thamë në fillim, mendimin e mirë.