Ministria e Mjedisit dhe Turizmit ka njoftuar më herët se ka nisur procesi i dorëzimit të dokumentacionit për t’u pajisur me certifikatën e përkohshme, me afat deri më datën 30.09.2018 për udhërrëfyesit turistikë, si kërkesë e Nenit 57 të Ligjit 93/2015 “Për turizmin”. Afati i fundit i dorëzimit të dokumentacionit, ishte ditën e mërkurës së javës së shkuar, më 11 prill.
Aplikuesit do t’i nënshtrohen një testimi me shkrim dhe me gojë për vlerësimin e njohurive dhe aftësive profesionale të tyre që do të zhvillohen në datat 19-20 Prill 2018.
Për t’u përfshirë në fazën e katërt të certifikimit të udhërrëfyesve turistikë, për të cilët pranohen shqiptarët, ashtu sikurse edhe të huajt, duhen plotësuar disa kushte e dokumentacione, që përfshijnë
Kërkesë e cila përmban:
- a) të dhënat e aplikuesit (emrin, mbiemrin, numrin personal, adresën e saktë, numrin e telefonit);
- b) kategorinë e udhërrëfyesit turistik, për të cilën kërkohet certifikata;
- c) gjuhën ose gjuhët e huaja në të cilën udhërrëfyesi do të ushtrojë aktivitetin e tij.
Fotokopjen e letërnjoftimit ose pasaportës;
Dëshminë e penalitetit, të lëshuar jo më herët se tre muaj përpara datës së aplikimit, e cila mund të paraqitet origjinale ose fotokopje e noterizuar (ose formularin e aplikimit për pajisjen me dëshmi penaliteti);
Fotokopjen e noterizuar të dokumentit të përfundimit të studimeve të arsimit të mesëm ose të lartë;
Fotokopjen e noterizuar të dokumentit që vërteton përfundimin me sukses të programit të kualifikimit të udhërrëfyesit turistik (Certifikata të trajnimeve, seminareve, workshope për kategorinë përkatëse të udhërrëfyesit turistik);
Programet e trajnimeve, seminareve etj. që janë kryer, si dhe institucionin ofrues të këtyre trajnimeve, seminareve.;
Certifikatën e vlefshme të ndihmës së shpejtë të lëshuar nga Kryqi i Kuq Shqiptar ose subjekte të tjera, vendase apo të huaja;
Vërtetime pune/ kontrata pune/shërbimi ose dokumente të tjera për të vërtetuar eksperiencën në punë gjatë 5 viteve të fundit;
Dokumentin që vërteton njohjen dhe aftësitë komunikuese shumë të mira në gjuhën e huaj, në të cilën do të ofrojë shërbimet e tij udhërrëfyesi turistik, të paktën në nivelin B2.
Vërtetimin për pagesën e tarifës së aplikimit, në shumën 500 Lekë.
Për shtetasit e huaj, përveç dokumenteve të sipërpërmendura, duhet dorëzuar edhe:
- a) Leja e qëndrimit e shtetasit të huaj në Republikën e Shqipërisë, e vlefshme për jo më pak se një vit;
- b) Dokument (certifikatë/dëshmi) që vërteton njohuritë bazë të gjuhës shqipe, të lëshuar nga një institucion i certifikuar nga ministria përgjegjëse për arsimin.
Sipas ligjit për Turizmin, Kategoritë e udhërrëfyesit turistik në Republikën e Shqipërisë përfshijnë: a) udhërrëfyes turistik kombëtar, personi, i cili mund të udhëheqë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë;
- b) udhërrëfyes turistik lokal, personi, i cili mund të udhëheqë vetëm në një zonë të kufizuar;
- c) udhërrëfyes i specialitetit të veçantë, personi, i cili mund të udhëheqë veprimtari të turizmit të
aventurës dhe të interesit të veçantë.
Ndërsa Kriteret për certifikimin e udhërrëfyesit turistik janë:
- Veprimtaria e udhërrëfyesit lejohet për t’u ushtruar, pas pajisjes së këtij të fundit
me certifikatë.
- Kriteret për pajisjen me certifikatë, për ushtrimin e veprimtarisë së udhërrëfyesit turistik,
detyrat, përgjegjësitë dhe kodi i etikës së tyre, parashikohen në rregulloren e miratuar me vendim
të Këshillit të Ministrave.
- Ministria përgjegjëse për turizmin lëshon certifikatën e udhërrëfyesit turistik për kategorinë
dhe gjuhën përkatëse të udhërrëfyesit.
- Certifikata që miraton kryerjen e shërbimit të udhërrëfyesit turistik regjistrohet në Regjistrin
Qendror të Turizmit, që administrohet nga struktura përgjegjëse pranë ministrisë përgjegjëse për turizmin .
- Certifikata e udhërrëfyesit turistik duhet të përmbajë:
- a) emrin dhe mbiemrin, datën dhe vendin e lindjes, adresën e udhërrëfyesit turistik;
- b) kategorinë e udhërrëfyesit turistik
- c) territorin ku do të ushtrojë veprimtarinë si udhërrëfyes turistik, sipas kategorisë përkatëse;
ç) gjuhën në të cilën ai do të ushtrojë veprimtarinë si udhërrëfyes turistik;
- d) datën e lëshimit të certifikatës.
- Afati i vlefshmërisë së certifikatës së udhërrëfyesit turistik është 2 vjet nga data e lëshimit, me të drejtë rinovimi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.