Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, me të gjitha kapacitetet e saj, ka vazhduar të jetë në funksion të mbështetjes së zhvillimit të qëndrueshëm të sistemit financiar, duke ofruar të gjithë infrastrukturën e nevojshme për të mbështetur zhvillimin e institucioneve financiare dhe në të njëjtën kohë, duke u siguruar se veprimtaria e tyre siguron stabilitet financiar
Nga Prishtina, Fatos Shala
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, ka folur për herë të parë për një medium të Shqipërisë, që prej ardhjes së tij në këtë detyrë. Në këtë intervistë dhënë për “Monitor”, guvernatori Mehmeti ka folur për qëndrueshmërinë e sistemit financiar në Kosovë. I pari i BQK ka folur edhe për bankat dhe kompanitë e sigurimeve që veprojnë në vend. Mehmeti ka thënë se norma e interesit të kredive mund të ulet dhe se qytetarët e Kosovës i kanë shtuar depozitat në banka.
“Normat e interesit në kredi në Kosovë, për një kohë të gjatë ishin më të larta sesa në vendet e rajonit, por zhvillimet e viteve të fundit kanë bërë që norma mesatare e interesit të zvogëlohet në masë të konsiderueshme, duke rënë në nivelin e mesatares së rajonit. Aktualisht, norma e interesit në Kosovë është rreth 6.8%, gjë e cila ka kontribuar që ekonomia jonë të përmirësojë dukshëm kushtet për qasje në financimin bankar”.
Mehmeti ka pohuar se ka interesim të bankave të huaja për të ardhur në Kosovë. “Aktualisht, kemi dy palë të interesuara, njëra prej të cilave ka aplikuar edhe formalisht për t’u pajisur me licencë, ndërsa tjetra ka filluar procedurat formale para aplikimit për licencë. BQK-ja është e hapur për të mbështetur investimet në sistemin financiar, gjithmonë duke respektuar kërkesat të parapara me legjislacionin në fuqi”. Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës ka dhënë detaje edhe për aktivitetin e kompanive të sigurimeve që operojnë në Kosovë.
Intervistë me Guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti
Sa i qëndrueshëm është sistemi financiar në Kosovë?
Sistemi financiar në Kosovë është duke e rritur vazhdimisht aktivitetin, përderisa treguesit e shëndetit financiar vazhdojmë të tregojnë për një shkallë të lartë të stabilitetit financiar. Vlera gjithsej e aktiveve të sistemit financiar të Kosovës arriti në 6.32 miliardë euro në vitin 2018, që përkon me një rritje vjetore prej 7.0%.
Sektori bankar, si komponenti kryesor i sistemit financiar në vend, në vitet e fundit ka përshpejtuar rritjen e aktivitetit kreditues, duke dhënë kështu kontribut të shtuar në financimin e rritjes ekonomike në Kosovë. Krahas rritjes së aktivitetit kreditor, përmirësim të mëtejmë shfaqën edhe treguesit e shëndetit financiar, gjë që flet për rritje të shëndetshme të këtij sektori. Kreditë e sektorit bankar, në muajin shkurt 2019, arritën shumën prej 2.77 miliardë eurosh, duke shënuar rritje vjetore prej 11.4%. Burimi kryesor i financimit të aktivitetit të sektorit bankar vazhdojnë të jenë depozitat, vlera e të cilave gjatë kësaj periudhe, arriti në 3.36 miliardë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 8.2%.
Rritja e përshpejtuar e aktivitetit kreditues u shoqërua me zvogëlimin e normave të interesit në kredi, të cilat në muajin shkurt 2019 kishin një mesatare prej 6.8%, gjë e cila flet për përmirësim të vazhdueshëm të kushteve për qasjen e sektorit privat në financimin bankar.
Treguesit e shëndetit financiar vazhduan të tregojnë nivel të lartë të qëndrueshmërisë së këtij sektori në të gjitha aspektet. Vlen të theksohet posaçërisht cilësia shumë e mirë e portofolit kreditor me një normë të kredive joperformuese prej vetëm 2.6% në shkurt 2019, e cila shënoi rënie të mëtejshme në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar prej 3.1%.
Sektori bankar vazhdon të ketë nivel dhe cilësi të lartë të kapitalit. Treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit në fund të vitit 2018 ishte 17.0% dhe qëndron lart mbi nivelin minimal të kërkuar rregullativ prej 12%. Kapitali i sektorit bankar është i cilësisë së lartë, duke qenë se 91.1% e totalit të kapitalit përbëhet prej kapitalit të klasit të parë. Pozita e likuiditetit të sektorit bankar mbetet e qëndrueshme. Raporti i mjeteve likuide ndaj detyrimeve afatshkurtra qëndroi në 39.1%, që është lart mbi minimumin e kërkuar rregullator prej 25%.
Në të njëjtën kohë, sektori bankar gjatë vitit 2018 vazhdoi të karakterizohet me performancë të mirë financiare, duke mbajtur nivel të lartë të profitabilitetit. Vlera e fitimit neto në vitin 2018 ishte 87 milionë euro, që përkon me një rritje vjetore prej 1.9%.
Sektori pensional në vitin 2018 u karakterizua me ngadalësim të rritjes, ku rritja vjetore e aseteve zbriti në 2.6% nga 16.0% sa ishte në vitin paraprak. Vlera e përgjithshme e aseteve të sektorit pensional arriti në 1.70 miliardë euro. Në ngadalësimin e rritjes së aseteve në periudhën raportuese ndikoi kthimi negativ nga investimet, ndërsa kontribut pozitiv dha rritja e kontributeve të arkëtuara nga të dy fondet.
Sektori i sigurimeve vazhdoi të rrisë aktivitetin sigurues, si dhe kompensimin e dëmeve për të siguruarit. Gjithsej vlera e primeve të shkruara nga kompanitë e sigurimeve në dhjetor 2018 ishte 92.1 milionë euro, e cila paraqet një rritje vjetore prej 6.2%. Në anën tjetër, dëmet e paguara nga sektori i sigurimeve, ku përfshihen dëmet e siguruesve dhe Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS), shënuan ngadalësim të rritjes vjetore në 4.9% duke arritur në 48.2 milionë euro në vitin 2018 krahas rritjes prej 17.9% në vitin 2017. Për sa i përket sektorit të sigurimeve, vlen të theksohet fakti se ky sektor, për të dytin vit me radhë, ka vazhduar të ketë performancë financiare pozitive, gjë që paraqet një zhvillim shumë të rëndësishëm për qëndrueshmërinë e këtij sektori.
Një sektor tjetër i rëndësishëm financiar është ai i institucioneve mikrofinanciare, i cili po vazhdon ta përshpejtojë ritmin e kreditimit, duke u shndërruar në një sektor që çdo ditë e më tepër po i kontribuon rritjes së konkurrencës në tregun e kredisë. Gjithsej vlera e kredive të këtij sektori në dhjetor 2018 arriti vlerën prej 183.7 milionë euro, duke shënuar rritje vjetore 27.6%.
Angazhimi ynë për të siguruar stabilitetin e sistemit financiar dhe për të mbështetur zhvillimin e tij do të vazhdojë edhe më tej. Ne presim që sistemi financiar do të vazhdojë të mirëmbajë pozicionin e qëndrueshëm financiar, si dhe të rrisë kontributin e tij në shërbim të zhvillimit ekonomik të vendit.
Gjatë vitit të kaluar, rritja ekonomike në Kosovë ka qenë 4 %. Sa do të jetë gjatë këtij viti? Sa duhet të jetë rritja ekonomike në vend për të hapur vende të reja të punës?
Ekonomia e Kosovës pritet të karakterizohet me rritje edhe gjatë vitit 2019. Norma reale e rritjes pritet të arrijë në rreth 4.2%, e cila paraqet një normë më të lartë të rritjes në krahasim me vitin paraprak. Rritja ekonomike gjatë këtij viti pritet të vazhdojë të gjenerohet kryesisht nga kërkesa e brendshme, e cila po rritet në sajë të rritjes së konsumit dhe investimeve, si nga sektori privat ashtu edhe nga sektori publik. Kontribut të rëndësishëm në rritjen e shpenzimeve të sektorit privat po vijon të japë rritja e kredive të sektorit bankar, të cilat po vazhdojnë të rriten me ritëm të përshpejtuar.
Përkundër faktit se ekonomia e Kosovës paraqet njërën ndër ekonomitë me ritmin më të shpejtë të rritjes në kuadër të vendeve të rajonit, norma aktuale e rritjes nuk paraqitet si e mjaftueshme për të adresuar problemin kryesor të ekonomisë sonë, që është norma ende e lartë e papunësisë. Prandaj, mund të themi se ekonomisë së vendit i nevojitet një normë më e lartë e rritjes ekonomike, e cila do të bënte të mundur një shkallë më të lartë të absorbimit të fuqisë punëtore nga tregu vendas i punës.
Si ka qenë ecuria e depozitave në 2018 dhe si është raporti me vitin paraprak?
Gjithsej depozitat në sektorin bankar në muajin shkurt 2019 kanë shënuar vlerën 3.34 miliardë euro, duke shënuar rritje vjetore prej 8.2%. Depozitat e ekonomive familjare përbëjnë rreth 71.1% të totalit të depozitave, me një rritje vjetore prej 7.8%, kurse pjesa tjetër e depozitave i takon ndërmarrjeve. Rritja e qëndrueshme e depozitave ka mundësuar zgjerimin e vazhdueshëm të kreditimit bankar në ekonominë e vendit, duke shërbyer kështu si burim shumë i rëndësishëm për financimin e bizneseve. Aktualisht, sektori bankar i Kosovës ka potencial të mjaftueshëm për të zgjeruar edhe më tej kreditimin, mirëpo për të pasur një rritje edhe më të madhe të kreditimit, ndikim të rëndësishëm ka edhe madhësia dhe cilësia e kërkesës për kredi.
Aktualisht si qëndron Kosova me norma të interesit krahasuar me vendet e rajonit, a ka hapësirë të mëtejshme për t’i ulur ato? A do të ketë ulje të normave të interesit për kredi gjatë vitit 2019?
Normat e interesit në kredi në Kosovë për një kohë të gjatë ishin më të larta sesa në vendet e rajonit, mirëpo zhvillimet e viteve të fundit kanë bërë që norma mesatare e interesit të zvogëlohet në masë të konsiderueshme, duke rënë kështu në nivelin e mesatares së rajonit. Aktualisht, norma e interesit në Kosovë është rreth 6.8%, gjë e cila e ka kontribuar që ekonomia jonë të përmirësojë dukshëm kushtet për qasje në financimin bankar.
Niveli i normave të interesit varet nga shumë faktorë, ku në mesin e faktorëve më të rëndësishëm bëjnë pjesë efikasiteti operacional i bankave dhe mjedisi i përgjithshëm afarist në vend. Reformat në sistemin e drejtësisë që kanë ndodhur në vitet e fundit, siç është rasti me përmbaruesit privatë, kanë pasur rol të rëndësishëm në zvogëlimin e rreziqeve për bankat, gjë që është reflektuar edhe në rënien e normës së kredive joperformuese.
Prandaj, ne lirisht mund të themi se masat e ndërmarra nga bankat për të përmirësuar efikasitetin e tyre, së bashku me rritjen e vazhdueshme të konkurrencës, si dhe me përmirësimet që janë bërë në ambientin e përgjithshëm afarist në Kosovë, kanë pasur rol shumë të rëndësishëm në rënien e normave të interesit gjatë viteve të fundit dhe natyrisht se vazhdimi i këtyre zhvillimeve pozitive në të ardhmen mund të ndikojë në rënie edhe më të madhe të kostos së financimit bankar.
A ka krijuar konkurrencë futja e bankave të reja në treg dhe a ka hapësirë për futjen e bankave të reja në tregun bankar?
Futja e bankave të reja në Kosovë padyshim që e ka rritur konkurrencën. Shkalla e përqendrimit të tri bankave më të mëdha në totalin aseteve të sektorit bankar ka shënuar rënie vazhdimisht. Në shkurt të vitit 2019, ky tregues ka rënë në 57.4% nga 61.0% sa ishte në të njëjtën periudhë një vit më parë.
Gjithmonë ka hapësirë për licencimin e bankave të reja, mirëpo BQK-ja mbetet e përkushtuar në licencimin e bankave që do të rrisin kualitetin dhe do të zvogëlojnë kostot e shërbimeve që ato ofrojnë. BQK-ja gjithashtu merr parasysh dhe e çmon shumë reputacionin e bankave të interesuara për të operuar në tregun e Kosovës, përvojën dhe historinë e tyre në vendet në të cilat operojnë. Përveç kërkesave tjera të përcaktuara me legjislacionin në fuqi, reputacioni i bankave të interesuara është një nga faktorët që BQK-ja merr në konsideratë gjatë shqyrtimit të aplikacioneve për licencim.
A ka kërkesa për të licencuar banka të reja në vendin tonë?
Sikurse është përmendur edhe më sipër, sistemi financiar në përgjithësi është i qëndrueshëm, likuid dhe mirë i kapitalizuar. Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, me të gjitha kapacitetet e saj, ka vazhduar të jetë në funksion të mbështetjes së zhvillimit të qëndrueshëm të sistemit financiar, duke ofruar të gjithë infrastrukturën e nevojshme për të mbështetur zhvillimin e institucioneve financiare dhe në të njëjtën kohë, duke u siguruar se veprimtaria e tyre siguron stabilitet financiar. Harmonizimi i kornizës legjislative me zhvillimet e fundit ndërkombëtare në këtë fushë, më konkretisht Bashkimin Europian, ka qenë dhe mbetet prioritet i BQK-së.
Duke marrë parasysh stabilitetin financiar në vend dhe harmonizimin e legjislacionit me direktivat e Bashkimit Europian, e bazuar edhe në praktikat më të mira ndërkombëtare, në vazhdimësi ka palë të interesuara për t’u bërë pjesë e sistemit financiar të vendit, e në veçanti edhe kërkesa për licencim të bankave. Aktualisht, kemi dy palë të interesuara, njëra prej të cilave ka aplikuar edhe formalisht për t’u pajisur me licencë, ndërsa tjetra ka filluar procedurat formale para aplikimit për licencë. BQK-ja është e hapur për të mbështetur investimet në sistemin financiar, gjithmonë duke respektuar kërkesat të parapara me legjislacionin në fuqi.
Si mund të nxitet sektori privat për t’i rritur eksportet në vendet e rajonit, por edhe më gjerë?
Për të pasur një rritje më të theksuar të eksporteve kërkohet që të kemi ndërmarrje të afta për të prodhuar mallra dhe shërbime, që mund të jenë konkurruese në tregjet e jashtme. Për ta arritur këtë, kërkohet që të kemi investime të reja, për të zgjeruar bazën e ndërmarrjeve prodhuese dhe po ashtu, kërkohet që ndërmarrjet ekzistuese të investojnë më tepër në rritjen e cilësisë dhe produktivitetit, duke alokuar më tepër burime drejt avancimit teknologjik dhe ngritjes së aftësive profesionale të personelit.
A rrezikohet stabiliteti financiar i vendit nga borxhi publik aktualisht?
Vlera e borxhit publik në fund të vitit 2018 arriti në 1.1 miliardë euro dhe, si përqindje e Prodhimit të Brendshëm Bruto është 17.1%. Përkundër rritjes së shënuar në vitet e fundit, niveli i borxhit publik në Kosovë vazhdon të jetë mjaft i ulët, gjë që paraqet një tregues të rëndësishëm për stabilitetin fiskal dhe për stabilitetin e përgjithshëm makroekonomik në vend. Krahasuar me vendet e tjera të rajonit, Kosova paraqet vendin me raportin dukshëm më të ulët të borxhit publik ndaj Bruto Prodhimit Vendor, prandaj mendoj se niveli aktual i borxhit publik nuk paraqet ndonjë shqetësim për stabilitetin e ekonomisë së vendit.
Industria e sigurimeve e mbylli vitin e fundit me fitim, ndërsa vitet e kaluara i ka mbyllur me humbje. Çfarë ndikoi që nga humbja të kalojë në fitim?
Sektori i sigurimeve, vitin financiar 2018 e mbylli me rezultat pozitiv financiar, edhe pse me fitim neto më të ulët për dallim nga viti 2017. Fitimi i regjistruar në vitin 2018 ishte 3.0 milionë euro krahasuar me fitimin prej 6.4 milionë eurosh në vitin 2017. Në kuadër të këtij fitimi të realizuar, siguruesit jo-jetë operuan me fitim prej 2.4 milionë eurosh, ndërsa siguruesit jetë 0.6 milionë euro. Ky rezultat financiar pasqyron rritjen më të lartë të dëmeve të ndodhura prej 33.4% kundrejt rritjes së të hyrave neto nga primi, prej 5.9% dhe njëkohësisht rënies vjetore të shpenzimeve të sektorit prej 3.4%.
Masat e ndërmarra nga ana e BQK-së përmes hyrjes në fuqi të Rregullores për shitjen e sigurimit të detyrueshëm nga autopërgjegjësia dhe menaxhimin e shpenzimeve të siguruesve në fillim të vitit 2017, kanë rezultuar të jenë efektive në zvogëlimin dhe kufizimin e shpenzimeve, duke marrë parasysh rënien e konsiderueshme të shpenzimeve të të gjithë sektorit të sigurimeve. Po ashtu, rezultati pozitiv financiar i realizuar u ndikua edhe si rezultat i ndryshimit të legjislacionit sekondar të BQK-së në përputhje me kërkesat ligjore, sa i përket Rregullores së Fondit të Kompensimit.
Një ndër faktorët kryesorë në realizimin e rezultatit financiar pozitiv është edhe raporti i kombinuar në masë prej 95.5%, i cili paraqet raportin e dëmeve prej 48.4% dhe raportin e shpenzimeve prej 47.1%, pa përfshirë të hyrat nga interesat e investimeve.
Sa kompani të sigurimeve operojnë aktualisht në Kosovë dhe sa jeni të kënaqur ju me punën që bëjnë këto kompani?
Numri i siguruesve që operojnë në tregun e sigurimeve në Kosovë, në dhjetor 2018 ishte 14, nga të cilët 12 ishin sigurues jo-jetë dhe 2 sigurues jetë. Asetet e sektorit të sigurimeve, që përfaqësojnë 2.8% të gjithsej aseteve të sistemit financiar, në dhjetor 2018 arritën në 177.3 milionë euro.
Primet e shkruara bruto në fund të vitit 2018 janë në shumën 92.1 milionë euro, me një rritje vjetore prej 6.2%, krahasuar me vitin paraprak, ku primet e shkruara bruto ishin 86.7 milionë euro. Tregu i sigurimeve jetë u rrit 16.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak, kurse siguruesit jo-jetë me 5.8%.
Sektori i sigurimeve në Kosovë u karakterizua me performancë të qëndrueshme gjatë vitit 2018. Përkundër performancës së qëndrueshme gjatë vitit 2018 dhe edhe pse ende në fillimet e zhvillimit, sektori i sigurimeve reflekton potencial për zhvillim të mëtejshëm.