Viti 2014 që po mbyllet ka qenë një vit që është karakterizuar nga debate të shpeshta mes politikanëve, studiuesve dhe eksperteve të ekonomisë për reformat, situatën ekonomike në vend, rolin e investimeve të huaja, etj, si dh pritshmëritë për vitin 2015.
Prof.Dr Sulo Hadëri, Dekan i Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Tiranës dhe njëherësh një njohës i mirë i çështjeve ekonomike gjatë një interviste për Aanadolu Agency është ndaluar tek panorama e përgjithshme e ekonomisë shqiptare, rolin e investimeve, llojin e tyre dhe impaktin që kanë në ekonominë e vendit. Gjithashtu Hadëri jep edhe opinionin e tij rreth pritshmërive për vitin 2015.
Sipas tij, ekonomia shqiptare si një ekonomi e vogël është pjesë e gjithë zhvillimeve rajonale apo edhe më gjerë dhe ndodhet në një situatë që buron edhe nga këto zhvillime, veçanërisht nga zhvillimet e ekonomive që më së shumti janë të lidhura me ekonominë shqiptare, për vetë hapjen dhe aktivitetin që ka ekonomia shqiptare me vendet siç është Italia dhe Greqia
“Në kontekstin e një stanjacioni tashmë ndoshta pak të vonuar, por pak të zgjatur të ekonomive të këtyre vendeve, ekonomia shqiptare realisht prej disa vitesh i ka ndjerë dhe i ka vuajtur efektet e këtyre zhvillimeve negative të ekonomisë botërore, por edhe vetë brenda në ekonominë shqiptare, qoftë për këto lidhje qoftë për zhvillimet e brendshme dhe për shkak të asaj çka nuk është bërë drejt dhe saktë në Shqipëri, janë ndjerë këto efekte. Edhe këtë vit, por edhe më parë vendimarrjet publike të harxhimit të fondeve të mëdha që për momentin janë shërbyer në sistemet fiskale, kanë frenuar si të thuash sistemin e ekonomisë në një periudhe afatgjatë, duke qenë investime të cilat nuk kanë gjeneruar të ardhurat e pritshme dhe realisht do të duhet kohë në investimet me afat të gjatë siç janë investimet veçanërisht në “Rrugën e Kombit” të cilët kanë gjeneruar një borxh publik i cili nuk është mbështetur më për të qenë i qëndrueshëm me rritjen ekonomike” shprehet Prof. Dr Sulo Hadëri.
Sipas tij kjo situatë që ka ardhur duke u thelluar duke krijuar ato ngërçe që lidhen me nevojën për masat shtrënguese siç ndodh rëndomë, sollën që në vendim-marrjen e parë të vitit 2014 u përfshinë masa shtrënguese në ekonominë shqiptare që u pasqyruan edhe në faktin që edhe vëllimi i investimeve ishte më i ulët. Profesori i ekonomisë pohon se lokalizimi i investimeve kur të dalin shifrat nuk do të jenë në nivelin që është planifikuar, të cilat në fund të fundit i frenojnë mundësitë për të dalë nga kriza që ekonomia të marri ritmet e duhura.
“Një gjë është e vërtetë, që rënia e stanjacioni në drejtim të rënies së ekonomisë shqiptare është ndalur, ka shenja të gjallërimit, kjo e shprehur edhe në termat e rritjes ekonomike, në vlerësimet e bëra qoftë në fund të vitit të kaluar i cili rezultoi pozitiv sado i ulët qoftë edhe në pritshmëritë e këtij viti që në informacionet që unë kam me aq sa kam ndjekur, vlerësuesit, jo vetëm vlerësues zyrtar dhe qeveritar, por edhe vlerësues të tjerë vazhdojnë të qëndrojnë optimistë, por ngërçet e investimeve mund ta reduktojnë në mënyrë të lehtë këtë situatë”.
Dekan i Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Tiranës tregon se për 2015 duhet të jemi realistë. Në këndvështrimin e tij, me kujdesin që duhet të tregohet dhe me marrjen e vendimmarrjeve më realiste, parashikimet do të jenë më afër realitetit. “Në fakt edhe parashikimet, kanë një frymë optimiste dhe kjo është pozitive në fushën ekonomike. Po të prekim investimet mund të them se mungesa e investimeve sjell një lloje fryme pesimiste, sepse pavarësisht optimizmit ka një tkurrje në harxhimin e të ardhurave, që vjen për disa arsye , si kërkesa e ulët për kredi dhe niveli i ulët i kreditimit apo qoftë edhe me tkurrjen e individëve për të shpenzuar, pasi akoma nuk kanë besim që e ardhmja do t’ju sigurojë më shumë të ardhura dhe që të jenë të prirur të shpenzojnë më shumë, për ti dhënë kështu një impakt ekonomisë”. Megjithatë Hadëri mendon se ekonomia në 2015 do të ecë në atë trajektore që është parashikuar, me ndryshime të vogla dhe parashikon që zhvillimet do të jenë pozitive.
Sa i përket investimeve të huaja ai thekson se investimet e huaja janë parë gjithmonë si shpëtim, duke theksuar atë aspekt që ato kanë realisht, aspektin që sjellin zhvillime pozitive në ekonomi. Në arsyetimin e tij, Prof. Dr Sulo Hadëri për AA pohon se investimet janë një komponent shumë i rëndësishëm i zhvillimit, pasi jo vetëm ndikojnë drejtpërsëdrejti në periudhën bazike kur atë bëhen, por kanë një efekt shumë të gjerë si investime sepse rrisin potencialin e ekonomisë për të ardhmen, rrisin kapacitetet e ekonomisë. “Faktikisht investimet kanë qenë një faktor i rëndësishëm që kanë ndikuar në rritjen ekonomike të Shqipërisë dhe ne periudha të ndryshme dhe kanë frenuar disi krizën. Por duhen parë edhe llojet e investimeve që realizohen, pasi ne kemi edhe disa koncesione që janë dëmtuese për ekonominë, pasi kemi një sërë koncesionesh që janë të kontestuara dhe këto lloj kostosh kanë filluar të shfaqen”. Profesori i ekonomisë në fund të bisedës tregon së ka patur edhe investime që nuk kanë qenë të nevojshme dhe nuk janë në interes të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Marrë nga “Aanadolu Agency”/ Shqiptarja.com
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.