Drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado thotë se, qëllimi kryesor i reformës së pensioneve ishte ndalja e hemorragjisë së deficitit, rritja e qëndrueshmërisë financiare të skemës duke garantuar pagimin e pensioneve dhe të drejtave të fituara dhe këto janë arritur në tre vitet e zbatimit të saj.
Hado lajmëron se numri i pensioneve është në rritje vit pas viti, me një shtesë prej rreth 16 mijë pensionistësh deri në vitin 2014 dhe me një rënie të lehtë në këto dy vitet e fundit, si rezultat i rritjes së moshës së daljes në pension për gratë.
Kjo rritje neto e numrit të pensionistëve është rezultat i rritjes së jetëgjatësisë, kushteve më të mira të jetesës dhe kujdesit shëndetësor, si dhe të faktit që personat që dalin në pension i përkasin periudhës së pas Luftës së Dytë Botërore që konsiderohet edhe si babyboom. Pra, numri i lartë i lindjeve në vitet ‘50 automatikisht përkthehet në më shumë pensionistë sot.
Zoti Hado, jemi në vitin e tretë të zbatimit të reformës së pensioneve. A mund të bëni një bilanc të përfitimeve dhe defekteve që ka shfaqur?
Gjatë këtyre tre viteve që reforma në sistemin e sigurimeve shoqërore është duke u zbatuar, konstatohet që përgjithësisht janë përmbushur parashikimet e bëra para miratimit të saj. Qëllimi kryesor i reformës ishte ndalja e hemorragjisë së deficitit, rritja e qëndrueshmërisë financiare të skemës, duke garantuar pagimin e pensioneve dhe të drejtave të fituara, bërja e skemës të drejtë nëpërmjet lidhjes së përfitimit me kontributet e paguara, si dhe rritja e transparencës dhe thjeshtimi i skemës për t’u kuptuar nga publiku. Të gjitha këto objektiva kryesore janë realizuar pasi është frenuar rritja e deficitit të skemës si rezultat i reformës, duke rritur njëkohësisht edhe qëndrueshmërinë financiare dhe garancitë për pagimin e përfitimeve dhe të drejtave të fituara nga kontributet e paguara.
Gjithashtu, nëpërmjet formulës së re të llogaritjes së pensioneve, të gjithë pensionet e caktuara pas datës 1 janar 2015 janë produkt i drejtpërdrejtë i viteve individuale të sigurimit, si dhe pagave mbi të cilat kanë kontribuar, duke vendosur një drejtësi në masën e pensionit dhe duke shmangur privilegjet për grupe të caktuara. Një sukses tjetër i reformës është edhe ndërgjegjësimi i qytetarëve për pjesëmarrje në skemë, duke paguar kontributet e sigurimeve shoqërore dhe njëkohësisht pagimi i tyre mbi pagat reale. Ka një interesim që vjen në rritje nga punëmarrësit për të kontrolluar pagat mbi të cilët punëdhënësit paguajnë sigurimet shoqërore dhe se si mund të kontribuojnë për një pension më të lartë në moshën e pleqërisë.
Ndërsa për sa u përket defekteve që ju shtroni në pyetjen tuaj, mund të konsiderojmë si të tillë pjesëmarrjen e ulët në skemë të personave që punojnë në bujqësi, si të vetëpunësuar, megjithëse kjo pjesëmarrje e ulët nuk është vetën për shkak të reformës, por edhe të zhvillimit dhe produktivitetit që ka kjo fushë e ekonomisë kombëtare.
Në aspektin e stabilitetit financiar, si ka performuar deficiti i skemës së pensioneve dhe si parashikohet ecuria në vijim?
Qëndrueshmëria financiare e skemës është rritur, megjithëse efektet e reformës nuk janë të menjëhershme, por graduale. Ajo që vlen të përmendet dhe që është shumë pozitive, është ndërprerja e rritjes galopante të deficitit të skemës. Kur themi ulje e deficitit nuk e kam fjalën në vlerë absolute, por e krahasuar me GDP-në dhe me deficitin që do të rezultonte nëse nuk do ishte marrë asnjë masë apo reformë. Ky deficit është reduktuar në dy vitet e para me 0.15% e GDP-së krahasuar me atë që do të ishte nëse nuk do ishte reformuar skema dhe me 0.1% e GDP deficiti i vitit 2016 krahasuar me vitin 2014.
Nëse do të shikonim deficitin e skemës të ndarë në pensionet rurale dhe pensionet urbane, konstatohet se deficiti i skemës së pensioneve urbane është ndjeshëm më i ulët se deficiti i skemës së pensioneve rurale, kjo për faktin e pjesëmarrjes së ulët të fermerëve në skemë. Kështu, deficiti i skemës urbane nga 1.6% e GDP, në rast se nuk do të kryhej reforma, ka shkuar në 1.02% e GDP ose 0.58% më i ulët ndërsa deficiti i skemës rurale është rritur nga 0.32% në 0.76% e GDP ose me 0.44% e GDP më shumë.
Një tjetër aspekt që doja të sqaroja për lexuesit tuaj është edhe diferenca që ekziston midis deficitit të skemës së pensioneve dhe deficitit të buxhetit të Institutit të Sigurimeve Shoqërore. ISSH përveç përfitimeve me natyrë kontributive, pra që lidhen me kontributet dhe financohen nga fondi i sigurimeve shoqërore, paguan edhe përfitime të tjera që nuk lidhen me skemën, por janë programe të qeverisë dhe që financohen nga buxheti i shtetit. Të gjitha këto përfitime nga programe të veçanta financohen nga buxheti shtetit dhe janë të përfshirë në Buxhetin e sigurimeve shoqërore, por jo në fondin e sigurimeve shoqërore.
Ne kemi vënë re nga statistikat e vitit 2016 se në skemë janë shtuar mbi 125 mijë kontributorë të rinj nga viti 2013, teksa numri i kontribuuesve në fshat ka rënë ndjeshëm. Pse ka ndodhur kjo?
Është e vërtetë që numri i kontribuuesve në skemë është rritur me rreth 157 mijë kontribuues krahasuar me vitin 2013 dhe kjo për shkak të incentivave që jep skema e reformuar e pensionit, por edhe për shkak të luftës kundër informalitetit që është ndërmarrë së fundmi. Nëse do të analizojmë këtë rritje, vërehet se kontribuues urbanë në fakt janë shtuar rreth 168 mijë kontribuues, ndërsa numri i kontribuuesve ruralë është ulur me rreth 11 mijë. Siç e shpreha edhe më sipër, lidhja e drejtpërdrejtë e masës së pensionit me vitet e sigurimit dhe pagën kontributive ka ndikuar në rritjen e pjesëmarrjes, deklarimit të punësimit dhe zbardhjen e vendeve të punës, por pa mohuar edhe ndikimin e madh që pati aksioni kundër informalitetit në ekonomi dhe punësim. E kundërta ndodh me të vetëpunësuarit në bujqësi që ka një ulje të numrit të kontribuesve. Kjo ndodh për disa arsye, së pari për shkak të produktivitetit të ulët të ekonomisë familjare agrare, për shkak të urbanizimit dhe braktisjes së bujqësisë, si dhe për shkak të rritjes së masës së kontributit që duhet të paguajnë fermerët. Një arsye tjetër është edhe fakti që një pjesë e mirë e fermerëve, kryesisht mosha e mesme dhe afër moshës së pensionit, për shkak të faljes së kamatëvonesave dhe interesave të kontributeve që u bë në vitin 2014 blenë shumë vite sigurimi (deri në 21 vite sigurimi) dhe duke pasur edhe vite pune në ish-kooperativat bujqësore kanë plotësuar vitet e nevojshme për të përfituar një pension pleqërie. Mosha e re që punon dhe jeton në fshat duhet të ndërgjegjësohet që pagimi i kontributeve, përveçse është një detyrim, është në interesin e tyre për të përfituar në rast nevoje nga sistemi i sigurimeve shoqërore.
Numri i pensionistëve nga viti 2011 është shtuar me mbi 60 mijë, teksa forca e punës është në rënie. A po zhbalancohet piramida e popullsisë më shpejt se projeksionet që ju kishit kur hartuat reformën?
Numri i pensioneve është në rritje vit pas viti, me një shtesë prej rreth 16 mijë pensionistësh deri në vitin 2014 dhe me një rënie të lehtë në këto dy vitet e fundit, si rezultat i rritjes së moshës së daljes në pension për gratë. Kjo rritje neto e numrit të pensionistëve është rezultat i rritjes së jetëgjatësisë, kushteve më të mira të jetesës dhe kujdesit shëndetësor, si dhe të faktit që personat që dalin në pension i përkasin periudhës së pas Luftës së Dytë Botërore që konsiderohet edhe si babyboom. Pra, numri i lartë i lindjeve në vitet ‘50 automatikisht përkthehet në më shumë pensionistë sot. Ky trend rritje i numrit të pensionistëve do të vazhdojë edhe në periudhën afatmesme, duke rritur përqindjen e popullsisë në moshë pensioni krahasuar me totalin e popullsisë. Kjo rritje e numrit të pensionistëve dhe rënia drastike e lindjeve janë shkaktarët kryesorë të plakjes së popullsisë.
Për t’ju përgjigjur pyetjes tuaj, në projeksionet e bëra nga ne janë parashikuar rritja e numrit të pensionistëve dhe rënia e numrit të lindjeve, por ajo që nuk është parashikuar është niveli i emigracionit që këto vite ka qenë i lartë. Emigracioni me kah dalës është një faktor që ndikon në strukturën e popullsisë pasi përgjithësisht emigron mosha e re, që është edhe forcë aktive për punë. Një emigracion i lartë ka ndikim në skemë, pasi do të thotë më pak kontribuues, më pak solidaritet dhe barrë më të lartë fiskale dhe kontributive për qytetarët që punojnë në vend.
A po ndikohet sektori i sigurimeve nga cikli aktual i ekonomisë?
Sistemi i sigurimeve shoqërore është i lidhur ngushtësisht me ecurinë e ekonomisë dhe tregut të punës. Ky sistem është pasojë e marrëdhënieve të punës dhe patjetër që ndikohet nga ky treg, por edhe nga zhvillimi i ekonomisë. Një ekonomi që zhvillohet dhe ka rritje të kënaqshme përkthehet në punësim dhe rritje të ardhurash, që do të thotë më shumë të ardhura për fondin e sigurimeve shoqërore. Ecuria aktuale e ekonomisë në Shqipëri ka reflektuar në sistemin e sigurimeve shoqërore, si në numrin e kontribuuesve, ashtu edhe në të ardhurat e mbledhura si kontribut i sigurimeve shoqërore.
A i ka përmbushur reforma nevojat për përfitime për shtresat në nevojë dhe kategoritë e tjera të pensioneve. Çfarë duhet përmirësuar?
Parimi i funksionimit të sigurimeve shoqërore është parimi i pjesëmarrjes nëpërmjet pagimit të kontributeve dhe trajton me të ardhura në para bazuar në këtë parim dhe jo sipas nevojës. Nga ana tjetër, një nga objektivat e skemave të pensioneve është zbutja e varfërisë në moshën e tretë. Pra, duhet të arrihet një ekuilibër midis anës financiare dhe anës sociale, e cila nuk është e lehtë për t’u arritur. Kjo sepse shpesh nevojat janë më të mëdha se dëshira dhe mundësia për të kontribuar. Reforma e ndërmarrë, por edhe reformat e mëparshme, synojnë të arrijnë këtë ekuilibër të vështirë duke ju ofruar përfitime në kohë, ku dhe kur lind nevoja për personat e siguruar.
Nëse personat nuk janë të siguruar dhe janë në nevojë nuk mund të përfitojnë nga fondet e sigurimeve shoqërore, por mbrohen nga shërbimet sociale shtetërore. Ajo që duhet të adresohet më saktë dhe që ka nevojë të rishikohet është skema e pensionit të invaliditetit me qëllim integrimin e tyre në tregun e punës, në bazë të aftësisë së mbetur për punë, rehabilitimin e tyre për punë, unifikimin dhe harmonizimin e vlerësimit dhe pagimin e pensioneve të invaliditetit të punës me skemën e personave me aftësi së kufizuar.
A rrezikohet skema nga premtimet për uljen e kontributeve dhe rritjen e masë së pensionit?
Sistemi i sigurimeve shoqërore nuk është një sistem statik, por që ndjek zhvillimet e ekonomisë, demografisë dhe tregut të punës. Në bazë të këtyre zhvillimeve janë marrë masa si ulja apo rritja e normës kontributive, ashtu edhe rritja e pensioneve. Në parashikimet aktuariale të realizuara para miratimit të reformës është parashikuar mosndryshim i normës së kontributit dhe indeksim i pensioneve vetëm sipas inflacionit për një shportë të caktuar mallrash dhe shërbimesh që konsumohen nga pensionistët. Çdo ndryshim nga parashikimet do të ndryshojë edhe rezultatet e pritshme në periudhën afatgjatë. Megjithatë, nëse ndryshimet ekonomike dhe tregu i punës krijojnë hapësira për ndryshime, edhe ulja e kontributeve, edhe rritja e pensioneve mund të jetë e mundur.
Me këtë nivel që kemi sot, ulja e kontributeve dhe rritja e pensioneve në të njëjtën kohë do të krijonte vështirësi jo vetëm në periudhën afatshkurtër, por edhe në atë afatmesëm dhe afatgjatë.
Mendoni se skema e pensioneve ka nevojë për reforma të tjera së afërmi?
Duke qenë se sistemi i sigurimeve shoqërore është një sistem i gjallë që ndërvepron me sisteme të tjera, atëherë edhe ndryshimet dhe reformimet janë normale. Evidentimi i problemeve apo ndryshimeve të faktorëve që ndikojnë në ecurinë e sistemit domosdoshmërisht çon në rregullime apo modifikime të sistemit. Duke pasur parasysh problematikën e evidentuar deri tani mendoj se duhet të ndërmerren rregullime për skemën e invaliditetit të punës, si dhe gjetjen e një zgjidhje të pranueshme, si nga ana financiare ashtu edhe sociale për të vetëpunësuarit në bujqësi, me qëllim përfshirjen e tyre në skemë për të garantuar mbrojtje shoqërore të denjë për këtë pjesë të popullsisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.