Bashkimi Europian ringjalli ambiciet e anëtarësimit të gjashtë shteteve të Ballkanit, kjo edhe si një lëvizje për të rifituar influencën në këtë rajon, pas ndikimit në rritje të Rusisë dhe Kinës, duke vendosur si objektiv pranimi për anëtarësimin e Serbisë dhe Malit të Zi vitin 2025, shkruan Reuters.
Duke u përpjekur që t’i japë një frymë të re BE-së, veçanërisht në këtë situatë ku Britania është e vendosur për t’u larguar, Komisioni Europian paraqiti një strategji për t’i pranuar vendet e Ballkanit Perëndimor nëse ato do të arrijnë të përmbushin reformat e kërkuara, duke shënuar një ndryshim pas vitesh të tëra të një interesi që po venitej.
“Dera është e hapur … dhe rruga që Ballkani Perëndimor më në fund të bëhet pjesë e Bashkimit Europian është e qartë, u shpreh Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së për Shqipërinë, Bosnjën, Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë, teksa paraqiti planin në Parlamentin Europian në Strasburg.
Ajo tha më tej se e ardhmja e Bashkimit Europian nuk është e përcaktuar se do të jetë e përbërë vetëm me 27 anëtarë, duke mos e llogaritur këtu Britaninë, e cila do të largohet nga BE në vitin 2019. Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabic, tha se kjo deklaratë është një thirrje për të punuar çdo ditë e më shumë për të përmbushur reformat e kërkuara, për t’u bërë pjesë e familjes së madhe të BE-së.
Johannes Hahn, Komisioneri i Zgjerimit të BE-së, i kërkoi bllokut që të mos përsëriste gabimet e së kaluarës, duke iu referuar së largu pranimit të Rumanisë dhe Bullgarisë në vitin 2007 dhe keqmenaxhimit të flukseve të emigrantëve të Europës Lindore në Britani, gjë që ishte edhe një prej faktorëve kryesorë që i ktheu shumë britanikë kundër BE-së.
Brukseli prej kohësh e ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me këmbënguljen e Rusisë në kufijtë e saj që nga aneksimi që Moska i bëri rajonit të Krimesë në vitin 2014. Këto shqetësime u rritën edhe më shumë në Ballkan, kur Mali i Zi e akuzoi Rusinë për mbështetjen e një grushti të dështuar shteti në vitin 2016. Ndërkohë nuk duhet të lëmë pa përmendur edhe faktin e rritjes së ndikimit kinez në këtë rajon, e cila edhe kjo po kërcënon fuqishëm pozitat e BE-së.
Duke nënvizuar entuziazmin e shtuar ndaj Ballkanit, zyrtarët e lartë të BE-së thanë se nuk kishin asnjë alternativë tjetër veçse të miratonin se do të pranonin që vendet e Rajonit të Ballkanit të bëheshin pjesë e tyre.
Mbështetja për anëtarësim në BE varion nga afërsisht 75% në Kosovë në 52% në Serbi.
Strategjia e BE-së për Ballkanin ka për qëllim të tregojë se anëtarësimi do të jetë i sigurt nëse shtetet e rajonit do të përmbushin kërkesat e vendosura nga BE-ja, duke përfshirë këtu edhe krijimin e gjykatave të pavarura, medias së lirë si dhe duke u dhënë fund rrjeteve, të cilat kanë dobësuar për vite me radhë qeveritë e tyre.
Jasmin Mujanovic, një analist politik në SHBA, paralajmëroi se strategjia e BE-së do të ballafaqohej me të njëjtat probleme nëse nuk do të kishte një plan të ri për të ndihmuar zbatimin e reformave në Ballkanin Perëndimor. Ky rajon ka nevojë për ndryshime rrënjësore, duke filluar nga ulja shumë e lartë e nivelit të korrupsionit, klientelizmit e deri tek elitat që veprojnë në mënyrë joligjore. Por për mua është shumë e paqartë sesi ata do ta t’ia arrijnë ta përmbushin këtë gjë, tha më tej ai.
Integrimi nënkupton rritjen e aksesit në fondet e BE-së dhe është krijuar për të nxitur zbatimin e reformave, për të nxitur rritjen e mëtejshme dhe për të inkurajuar stabilitetin në një rajon që ende ballafaqohet me trashëgiminë e ekonomisë socialiste të ish-Jugosllavisë.
Shqipëria dhe Mali i Zi tashmë janë anëtarë të NATO-s, ndërsa Maqedonisë pritet që t’i jepet edhe anëtarësimi në NATO, që shihet edhe si një trampolinë për anëtarësimin e saj në BE, gjithmonë në rast se ajo mund të kapërcejë mosmarrëveshjen e fundit me Greqinë.
Udhëheqësit e BE-së u shprehën se viti 2025 është vendosur si objektiv i pranimit të këtyre vendeve të rajonit të Ballkanit në BE.
Serbia dhe Mali i Zi janë vendet që konsiderohen si më të përparuarit në procesin e integrimit në BE, por z. Hahn tha që kjo gjë mund të ndryshohej lehtë nëse Serbia nuk e pranon pavarësinë e Kosovës. Pesë shtete të BE-së duke përfshirë këtu edhe Spanjën dhe një prej aleatëve të Beogradit, Rusinë e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Ministrja e Integrimit të Kosovës, Dhurata Hoxha, tha se ishte shumë i rëndësishëm fakti që Komisioni Europian të theksonte statusin e Kosovës si një shtet i pavarur. “Fakti që BE-ja po e merr në konsideratë pranimin e Kosovës në BE, si një shtet i ndarë nga Serbia, për mua do të thotë shumë dhe është njësoj sikur edhe të gjitha shtetet e tjera, të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën si një shtet të pavarur, ta njihnin atë më në fund si të tillë, përfundoi znj. Hoxha.