Gazsjellësi Trans Adriatic Pipeline (TAP) nisi si aventurë në sy të shqiptarëve, si shumë projekte që përfliteshin, madje u inauguruan, por nuk u finalizuan kurrë. AMBO, projekti amerikan i naftësjellësit, nuk gjeti mbështetjen e duhur, edhe pse u nënshkruan shumë marrëveshje. Gjithashtu, impianti modern i rigazifikimit në grykëderdhjen e Semanit, me vlerë disa miliarda euro, mbeti në harresë, edhe pse i kishte mbyllur të gjitha kartat. Sikurse TEC-i i famshëm i ENEL në Porto Romano, për të cilin u debatua dhe u lidhën pakte për disa vjet, mbeti vetëm në letër.
Shembuj me dështime kemi plot, por kësaj here, duket se po qëllojmë në shenjë. “Nuk është pak të themi se të huajt kësaj here po na marrin në konsideratë. Shqipëria po shihet seriozisht si vend kalimi për gazin, madje për projekte edhe në sektorin e shpërndarjes”, thotë për revistën një nga anëtarët e komisionit të Entit Rregullator të Energjisë.
Gazsjellësi TAP përfshin interesat e BE-së, për këtë shkak shikohet edhe si mundësi e artë që do të miratohet si projekt nga shteti i Azerbajxhanit, i cili menaxhon burimet e gazit në Shah Deniz. Edhe aksionerët e TAP janë gjigandët e fushës, sikurse kanë interesa në aksione te vendburimi. Por, a mjafton kjo për të na qetësuar se çdo gjë do të shkojë mirë?
ERE tenton të qëndrojë me këmbë në tokë, pasi çdo veprim lidhet me një tjetër, interesat janë të ngushta dhe i gjithë procesi mbart një kompleksitet më vete. Kapaciteti i TAP përmban rreth 10 miliardë metër kub normal gaz, me plan për t’u dyfishuar në të ardhmen, ndërsa tashmë vendet e Europës janë në garë për të pasur sa më shumë hapësirë në marrjen e furnizimit. Po Shqipëria? Përveç kalimit të tubacionit, ka të drejtë të ketë dalje për furnizimin e nevojave të vendit? Pikërisht këtu qëndron thelbi i diskutimeve dhe i përpjekjeve të ERE-së: të bindë investitorin se Shqipëria ka treg dhe nevojë për gaz.
Nevoja për gaz
Shanset që TAP-i do të kalojë në territorin e vendit tonë janë të mëdha, por diskutimet kanë avancuar në tjetër pjesë të procesit. “Monitor” ka mësuar se ditet e fundit, aksionerët e vendburimit të gazit në Shah Deniz, si BP, “Sokar” dhe “Total”, të cilat së bashku zotërojnë gati gjysmën e aksioneve të gazit, zbarkuan në Tiranë dhe më konkretisht, trokitën në zyrat e Entit Rregullator të Energjisë Elektrike. Qëllimi i takimit ishte për të parë nga afër ecurinë e projektit, por jo vetëm. Ata donin të bindeshin se sa seriozisht e ka qeveria shqiptare këtë projekt dhe a ia vlen që TAP-i të ketë dalje edhe për nevojat e vendit.
“Diskutimet shkuan mirë dhe shpresoj të ecin pozitivisht. Nuk mund t’ju jap më shumë informacion, pasi detajet janë konfidenciale”, thotë një nga anëtarët e komisionit të ERE-s.
Në raport me kapacitetet e gazsjellësit, prej 10 miliardë metër kub në vit, vendi ynë kap një kërkesë prej 2 përqindësh, pra kemi nevoja për rreth 200 milionë metër kub gaz dhe natyrisht që kjo sasi nuk ia bën të leverdisshme gjigantëve të TAP të hapin degë edhe në vendin tonë. Aksionerët duhen një blerës afatgjatë pasi dhe investimi arrin në mbi 25 miliardë euro.
Bosi i gazit në vend
Cila do të jetë shoqëria që do të menaxhojë gazin e TAP që do të rrjedhë nga tubacioni për nevojat e vendit? ERE nuk nxitohet të japë numra, natyrisht as emra, por thotë me bindje se janë disa shoqëri që kanë ofruar potencialet për të blerë gazin e TAP-it, jo vetëm për nevojat e vendit, por edhe për rajonin.
Një udhëzim i miratuar nga ERE, ashtu si homologet e tij, në Itali dhe Greqi, nga ku do të kalojë gazsjellësi, përcakton rrugën që duhet të ndiqet për miratimin final të projektit. Brenda muajit gusht, TAP duhet të ketë të qartë si shprehjen e interesit, pra blerësin, ashtu dhe sasitë, në mënyrë që dosja të jetë sa më e plotësuar para vendimit final për miratimin e projektit.
Tashmë jemi në shtator dhe ERE pret me padurim përgjigjen e TAP sa i takon nevojave të vendit për gaz. Aplikimi i kryer nga Shqipëria, ashtu si dy vendet e tjera, kërkon një studim të kujdesshëm. Sot që flasim, vetëm për TEC-in e Vlorës, nevojat për gaz janë deri në 200 milionë metër kub normal, por nëse llogarisim edhe nevojat e vendit për konsum apo për industri, atëherë, pesha ndaj totalit arrin deri në 5 për qind. Pikërisht, me këtë shifër, ERE tenton të bindë aksionerët se Shqipëria nuk është treg dhe aq i vogël. Nëse realizohet, Shqipëria do të kthehet një “vendburim” i vogël gazi, por me peshë gjeopolitike në rajon. Aksionerët e TAP-it duhet të vendosin edhe për kompaninë që merr përsipër blerjen e gazit në terma afatgjatë.
Aplikimi
Dokumenti me nevojat e vendit për gaz tashmë është dorëzuar, pasi si afat ishte data 31 gusht, ndërsa pritet përgjigjja e aksionarëve, nëse do të lërë të rrjedhë gaz në Shqipëri dhe cila do të jetë kompania menaxhuese
Situata me tregjet
Me TAP-in konkurron edhe projekti tjetër, ai i “Nabucco”-s, i cili e shmang Shqipërinë, por analistët e shikojnë pak të realizueshëm, pasi procedurat janë rishikuar dhe ndryshuar disa herë, duke e komplikuar objektivin. Shanset më të mëdha janë për TAP-in, për shkak të aksionerëve dhe forcës lobuese të shteteve pjesëmarrëse (përjashto Shqipërinë). “Pas gjithë këtyre vlerësimeve, vendimi final se cili projekt shpallet fitues do të merret në mesin e vitit 2013”, thotë ERE.
Pronarët, EGL, “Statoil” dhe EON janë ndër aktorët kryesorë të sektorit të gazit dhe energjisë në BE. Ndërkohë, “Statoil” zotëron gjithashtu edhe 25 për qind të interesave të konsorciumit të vendburimit Shah Deniz 2, tjetër avantazh ky për vendin tonë.
TAP është afërsisht 800 kilometra i gjatë (Greqi 466, Shqipëri 204, offshore 110 km, Itali 4 km). Gazsjellësi është projektuar me një diametër 48” onshore (Komotini deri në bregdetin Adriatik afër Fierit), dhe reduktohet në një diametër 36” për sektorin offshore, i cili kalon në Detin Adriatik, mbërrin në San Foca (provincë e Leçes) ku i bashkohet sistemit të transmetimit italian SRG. TAP ka si qëllim kryesor të transportoj{ gaz natyror prej vendburimit Shah Deniz 2 të Detit Kaspik të Azerbajxhanit drejt tregut italian.
Shah Deniz 2
Vendburimi i gazit në Shah Deniz konsiderohet si ndër më të mëdhatë në botë, i cili ndodhet plotësisht në zonën detare (offshore) të Azerbajxhanit. Vendburimi konsiderohet si faza e dytë e zhvillimit të një shtrese më të thellë të të njëjtit vend dhe pritet të futet në prodhim në vitin 2017-‘18, me vlerë investimi 25 miliardë dollarë. Rezervat e gazit vlerësohen në 1.2 trilionë normal metër kub dhe niveli i prodhimit të gazit natyror për një periudhë 25-vjeçare parashikohet të jetë 16 miliardë normal metër kub (BCM)/vit, nga të cilat 10 BCM janë të destinuara për tregjet europiane dhe 6 BCM për tregun turk.
TAP dhe territori shqiptar
Në territorin shqiptar TAP do të përshkojë 204 km on shore (tokë) dhe 110 km offshore (det). Ai mbërrin në kufirin grek–shqiptar ndërmjet fshatrave Miras (Alb) dhe Polyanemo (Gr), thuhet në projektin që i është dorëzuar qeverisë shqiptare. Në Shqipëri gazsjellësi do të kalojë përmes zonave bujqësore, terreneve malore dhe kodrinore për të cilat TAP tashmë ka bërë vlerësimin e ndikimeve të mundshme dhe në vartësi ka modifikuar rrugëkalimin dhe projektimin.
Drejtues të Entit Rregullator thonë se paraprakisht është menduar që në Fier të ndërtohet një stacion tjetër kompresorësh, përfshirë edhe matësit fiskalë etj. Pjesa në vijim prej 4 km kalon përmes zonës fushore drejt Adriatikut dhe më tej në Itali. Realizimi i këtij objektivi mund ta kthejë Fierin në rajonin më të rëndësishëm në vend dhe jo pa qëllim, duke pasur parasysh zonat naftëmbajtëse aty dhe burimet e vogla të gazit.
Tregu kryesor i gazit që do të transportohet prej këtij tubacioni është ai italian, megjithatë në aplikim është shprehur interes dhe vëmendje ndaj krijimit të mundësive për furnizim me gaz të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë. Projekti ka një kosto të vlerësuar prej 3,7 miliardë eurosh, për pjesën e Shqipërisë, kurse punimet për ndërtimin e tij parashikohen të fillojnë në vitin 2014 në mënyrë që tubacioni të jetë gati për shfrytëzim në 2017-n, i cili është edhe viti i fillimit të prodhimit të fazës së dytë të vendburimit Shah Deniz 2. Tubacioni është projektuar në mënyrë të tillë që kapaciteti i tij transportues të mund të zgjerohet nga 10 deri në 20 miliardë metër kub gaz në vit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.