Përgjatë vitit 2016 do të punësohen 6000 të papunë. Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë ka gati 7 programet, përmes të cilave do të orientohen bizneset dhe punëkërkuesit për lidhjen e kontratave të punësimit, ndërsa fushat e zbatimit do të jenë në sektorë të tillë si, industritë prodhuese, turizmi, teknologjia e informacionit, bujqësia, përpunimi agro-ushqimor e sektorë të tjerë prioritare. Ministri Blendi Klosi ka detajuar nga Vaqari skemën e re, për të cilën do të investohen 490 milionë lekë ose 5 herë më shumë se në vitin 2013. Sipas programit tërësor, parashikohet që 70 për qind e të punësuarve të jenë femra, ndërkohë që qeveria do të mbështesë punëdhënësit me subvencion të pagave, subvencion të sigurimeve të detyrueshme, subvencion të kostove të trajnimit dhe përshtatje të vendit të punës. Pra, do të ulen kostot për çdo të punësuar.
Kategoritë
Në programin e punësimit do të përfshihen të rinjtë që hyjnë për herë të parë në punë, të papunët afatgjatë, përfituesit e ndihmës ekonomike dhe pagesës së papunësisë, romët, personat me aftësi të kufizuar, emigrantë që kthehen me probleme ekonomike, viktima të trafikimit. Sipas Klosit, programi parashikon një punësim një-vjeçar.
1. Të rinjtë dhe të rriturit pa profesion. Programi përfshin kryesisht të rinj, qe kërkojnë të mësojnë një profesion, i cili do t’u rrisë shanset për punësim. Kohëzgjatja e trajnimit është deri në 6 muaj dhe profesioni mësohet në vendin e punës.
2. Programi i nxitjes së punësimit të të rinjve të diplomuar deri në 30 vjeç, program i cili vjen si një risi e kësaj pakete dhe ka në thelb kombinimin e formimit në punë me punësimin. Vetëm në dy vitet e fundit kemi një rritje të numrit të të rinjve të diplomuar të cilët, regjistrohen në zyrat e punësimit dhe kjo shifër nga 3-4 për qind që ishte 3 vjet më parë, është dyfishuar dhe ka arritur në 8 për qind.
3. Programi i nxitjes së punësimit të grave kryefamiljare me fëmijë në ngarkim dhe vajzave nëna. Edhe ky program vjen si risi këtë vit dhe shoqërohet me rritjen e nivelit të pagave dhe sigurimeve të detyrueshme. Vendosja e nivelit të pagës mbi pagën minimale në shkallë vendi, synon t’u japë mundësi këtyre grave dhe vajzave, të sistemojnë fëmijët e tyre në çerdhe apo kopshte.
4. Nxitja e punësimit të personave me aftësi të kufizuar. Qëllimi i këtij programi është, që të bëjë të mundur lehtësimin e punësimit të personave me aftësi të kufizuar pranë punëdhënësve duke i nxitur ata për të punësuar këtë kategori personash shumë vulnerabël. Nxitja është e tillë që t’i ndihmojë punëdhënësit, që fillimisht të marrin këta persona falas në mjediset e ndërmarrjeve, për një periudhë të caktuar dhe më pas, pasi të jenë përshtatur, të mund ta mbajnë atë vend pune.
5. Praktikat profesionale deri në 6 muaj për të rinjtë e sapodiplomuar (brenda 24 muajve). Ky program ka për qëllim të lehtësojë të rinjtë shqiptarë kur tentojnë të futen në tregun e punës, që është përvoja, e cila kërkohet rutinë nga punëdhënësit.
6. Program i ri i nxitjes së punësimit për jetimët: Programi ka për qëllim të mbështesë kategorinë e të rinjve nën moshën 30 vjeç, të cilët kanë statusin e jetimit dhe janë të regjistruar si punëkërkues të papunë, duke u ofruar një program, që kombinon formimin nëpërmjet punës me subvencionimin e pagës dhe sigurimeve shoqërore e shëndetësore. Synimi është mbështetja e kësaj kategorie në nevojë për integrim në tregun e punës, gjë që do të sjellë dhe integrimin social të tyre.
“Problemi i punësimit, mungesa e zanatçinjve”
Kryeministri, Edi Rama i pranishëm në aktivitetin e organizuar për prezantimin e programit të punësimit, dje në Vaqar u shpreh se thelbi i problematikës së vendit tonë sot me punën dhe punësimin është fakti se nevoja për punë ka, por nuk ka profesionistë e zanatçinj që t’u përgjigjen këtyre nevojave. Sipas tij, mungesa e reformimit të arsimit profesional për 25 vjet me radhë, në mënyrë që të kishte lidhur arsimin me ndërmarrjen ka sjellë këtë problem të madh me punësimin në vendin tonë. “Thelbi i problematikës së vendit sot me punën dhe punësimin është se punë ka, nevoja për punë ka, por nuk ka profesionistë zanatçinj, që t’u përgjigjen këtyre nevojave, sepse nevojës për elektricistë, tornitorë etj nuk mund t’u përgjigjen persona të papunë që nuk kanë haber nga zanati apo kanë diplomë për jurist”, u shpreh ai.
Informaliteti, si anulohet ndihma ekonomike
Aktualisht në vendin tonë janë 152 mijë punëkërkues të regjistruar si të tillë në zyrat e punësimit, nga të cilët 5 për qind janë përfitues të pagesës së papunësisë dhe 43 për qind marrin ndihmë ekonomike. Pas hapjes së zyrave të punës dhe strategjisë për të ngritur një skemë përfitimi për punësimin e njerëzve, rezulton se pjesa më e madhe e të regjistruarve, e kanë shënuar emrin aty për të përfituar ndihmë ekonomike dhe jo të punojnë. Përballë një situate, të tillë por edhe problemeve që janë hasur me identifikimin e individëve të papunë, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe ajo e Financave hartuan në fund të vitit të kaluar një projektligj me rregulla strikte për të papunët, të cilëve u intereson regjistrimi thjesht për të përfituar nga skema të ndryshme, siç është ndihma ekonomike apo edhe karta e shëndetit. Ndryshimet e propozuara nga dy ministritë do të nxjerrin nga skema e ndihmës, punëkërkuesit që nuk duan të punojnë duke iu ofruar atyre mundësi për t’u kualifikuar profesionalisht për t’i bërë ata të aftë për të qenë pjesë aktive e tregut të punës.
Të vetëpunësurit që “u binden” kontributeve
Ndonëse kundërshtuan bashkërisht vendimin e qeverisë për derdhjen e kontributeve në bazë të pagës maksimale, madje një ditë edhe protestuan për një orë, tashmë të vetëpunësuarit në shëndetësi, duket se pranojnë të ngrenë zërin. Nëse avokatët u organizuan dhe bojkotuan punën për një ditë, mjekët, dentistët, farmacistët etj. nuk kanë bërë asnjë reagim. Mjekët kanë dhe sindikata, por edhe ato nuk kanë reaguar për këtë vendim, të cilin individualisht e kundërshtojnë. Ndërkohë, farmacistët nga ana tjetër thonë se janë të gatshëm për të pezulluar punën një ditë në kundërshtim të këtij vendimi, por nuk janë të organizuar. Ndonëse vendimi prek të gjithë profesionet e lira, vetëm avokatët reaguan duke kundërshtuar me pezullim të proceseve gjyqësore.
SHEKULLI.COM.AL
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.