Hapet në Tiranë qendra më e madhe tregtare në vend. Tirana East Gate (TEG), e vendosur 4 km nga qendra e Tiranës pritet të sjellë një eksperiencë të re të blerjes dhe argëtimit në të gjithë rajonin.
Vlera e investimit të kryer në ngritjen e qendrës ka arritur në 53 milionë euro ndërkohë që sipërfaqja është 42,000 m2. TEG është i shtrirë në 2 kate në mbi 120 dyqane ndërkohë që në të është përfshirë edhe një qendër argëtimi.
Pikat e forta të qendrës janë shumëllojshmëria e markave dhe produkteve për çdo moshë, për shtëpinë dhe stilin e jetesës, hapësirat e gjëra për shitje, hapësirat për argëtim, bar-restorant, dhe komoditet maksimal për klientët.
Zv/presidentja e Balfin Group (grupit investitor), Edlira Muka, tregon për “Monitor” se hyrja e TEG pritet të ridimensionojë të gjithë tregun vendas të tregtisë me pakicë (retail).
Megjithëse hapja e Tirana East Gate përkon me shifra përkeqësuese të konsumit, znj.Muka sqaron se prezenca e tregtuesve ndërkombëtarë në tregun shqiptar mendohet se do të sjellë një ndikim pozitiv në përmirësimin e rënies që pritet në konsum. “Konsumatori shqiptar është i prirur të konsumojë produkte të reja në treg. Afrimi i markave ndërkombëtare i kombinuar me një cilësi më të mirë të shërbimit të klientit janë 2 faktorët kryesorë që ne gjykojmë se do të kenë një ndikim të ndjeshëm në rritjen e konsumit”, thotë zv/presidentja e Balfin.
Në TEG do të jetë prezente edhe “Carrefour”, kompania prestigjioze dhe hipermarketi lider me 15,500 dyqane në gjithë botën. Carrefour do të sjellë në vend të njëjtat parametra me të cilat operon në vendet e Bashkimit Europian dhe gjithë Europës dhe do të jetë e integruar në qendrën më të re tregtare në vend, në të njëjtin format, si në vendet e tjera, duke u shtrirë në një hapësirë prej 10 mijë metra katror.
Shtrenjtohet Lundra
Hapja e qendrës më të madhe në vend pritet të sjellë ndryshime jo vetëm në tregun e retail. Sipas Edlira Muka, duke qenë se qendra do të ofrojë shërbime dhe artikuj të cilët aktualisht nuk ofrohen në treg, ndikimi që grupi Balfin vlerëson në tregun e retail është rritje me 20% e tregut/portofolit aktual, kjo duke pasur parasysh dhe rënien e konsumit që pritet në vazhdim.
Por një ndikim shumë të madh ajo e ka pasur dhe do ta ketë në zhvillimin e zonës ku është kryer investimi.
Edlira Muka thotë se ky ndikim pozitiv është vënë re që në këto moment në tregun e pasurive të paluajtshme në zonën e Lundrës (zona ku është ngritur qendra)
“Përpara kryerjes së investimit çmimi i truallit për m2 ishte mesatarisht 60-70 euro/m2. Pas 2 viteve të investimit aktualisht çmimi i truallit për m2 ka shkuar 200- 220 euro/m2”, -thotë ajo.
Nga Laura çela
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.