Hapja e portave

08/06/2018 10:11 PM 0 komente

Tashmë, udhëtarët kinezë i ndesh kudo në botë. Vendimi i Kinës për të lejuar qytetarët e saj të udhëtojnë lirisht jashtë vendit po ndryshon jo vetëm botën, por edhe Kinën

 

“Ky njeri është politikisht i besueshëm dhe nuk ka të dhëna kriminale”. Këto kanë qenë fjalët që aplikantët për pasaportë kineze i prisnin me padurim. Të shkruara me shkrim dore, në fund të një formulari, ato nënkuptonin fundin e disa javëve, apo edhe muajve pa gjumë, duke mbajtur radhë dhe kalvarin e pafund të rrugëtimit nga një institucion në tjetrin, në pritje të marrjes së dokumenteve të kërkuara, shkruan The Economist.

Ato nënkuptonin edhe besnikërinë ndaj Partisë Komuniste të Kinës, si dhe përpara se të aplikohej, qëllimi se përse po merrej vendimi duhej të ishte i qartë dhe mbi të gjitha, edhe deklarimi i të ardhurave të personit që po aplikonte për pasaportë. Por, pak kinezë arritën që t’i shikonin ato fjalë aq të çmuara për ta, apo edhe fjalët që do të pasonin më vonë: tongyi chuguo (Lejohet të udhëtojë jashtë vendit). Deri në fillim të viteve 1990, të gjithë qytetarët kinezë që dëshironin të udhëtonin jashtë vendit duhej të kapërcenin pengesa të tilla, gjë që ishte e vështirë. Në çerekshekullin e kaluar, një shtet pothuajse aq paranojak sa edhe Koreja e Veriut për mbajtjen e qytetarëve të saj brenda kufijve dhe moslejimin e udhëtimit të tyre në shtete të tjera, ka ndryshuar në mënyrë drastike.

Nëse do të bëjmë një krahasim me vitet 1980, numri i qytetarëve kinezë që u lejuan të dilnin jashtë kufijve të shtetit të tyre ishte rreth 10 mijë, ndërsa shifra aktuale është mbi 130 milionë. Arsyet e udhëtimeve të tyre ishin të ndryshme, për turizëm, për studim, për biznes dhe për emigracion (edhe pse kjo e fundit ishte e rrallë). Deri në vitin 2020, totali pritet të arrijë deri në 200 milionë në vit. Të shumtë kanë qenë artikujt sesi rritja e Kinës si fuqi globale ekonomike, politike dhe ushtarake po ndryshon botën.

Ndërsa ky artikull do të përqendrohet në anën tjetër të medaljes, në numrin e jashtëzakonshëm dhe klasat e ndryshme sociale të kinezëve që po udhëtojnë jashtë shtetit dhe se sa prej tyre kthehen sërish në Kinë. Ky artikull do të analizojë edhe ndikimin e madh tek ata vetë dhe tek shoqëria kineze. Numri i njerëzve që po udhëtojnë në vende të ndryshme të botës, po rritet shumë që pas viteve 1980. Një ndër arsyet kryesore ka qenë rënia e komunizmit në Bashkimin Sovjetik dhe në Europën Lindore, si dhe hapja e kufijve me Bashkimin Europian. Por kontributi i Kinës në këtë lëvizje masive ka eklipsuar të gjithë të tjerët. Në kampuset universitare në Sidnei, studentët kinezë mbushin auditorët e leksioneve dhe laboratorët e kërkimit. Në Silicon Valley të Kalifornisë, shkencëtarët kinezë përbëjnë një pjesë të madhe të fuqisë intelektuale të firmave të teknologjisë.

Në qytetin mesjetar italian të Pratit, mijëra punonjës kinezë kanë mbushur fasoneritë e veshjeve. Në qytetet e vogla në Namibi, tregtarët kinezë tregtojnë mallra me çmime të lira. Turistët kinezë janë ata që shpenzojnë më shumë në blerjen e mallrave të luksit në Mayfair të Londrës dhe në Champs Elysées në Paris. Dyzet vjet më parë, kur Deng Xiaoping “hapi portën e madhe të reformave liberalizuese dhe të lëvizjes jashtë kufijve”, askush nuk e kishte të qartë se çfarë do të ndodhte më vonë. Ideja e z. Deng për hapjen e kufijve ishte e kujdesshme në fillim, duke lejuar vetëm një numër të kufizuar biznesmenësh dhe më të reduktuar gazetarësh që të hynin në Kinë, duke e justifikuar një veprim të tillë në atë kohë si domosdoshmëri ekonomike dhe diplomatike.

Një marrëdhënie më normale me Perëndimin, duke përfshirë edhe vizitat e perëndimorëve, ishte e domosdoshme për ekonominë e Kinës. Nga hapja e kufijve, z. Deng pa edhe disa përfitime nga dërgimi i një numri të madh studentësh kinezë në universitetet jashtë vendit, të cilët do të fitonin njohuri sipas teknikave perëndimore, dhe më pas do të vinin dhe do t’i zbatonin ato në vendin e tyre. Por, kurrë ai nuk kishte parashikuar një fluks kaq të lartë. “Ka edhe nga ata që thonë se ne nuk duhet t’i kishim hapur portat tona, sepse një lëvizje e tillë ka lejuar që të vijnë së bashku me të mirat edhe të këqijat e Perëndimit”, u shpreh z. Deng në vitin 1985. Ai tha më tej se “ne, jo vetëm që kemi bërë mirë që kemi hapur portat tona, por duhet të vazhdojmë të thithim ajrin e pastër të Perëndimit dhe mbi të gjitha, të mos lodhemi të luftojmë të këqijat”. Fatmirësisht për Kinën, Partia Komuniste ishte e gatshme të ndërmerrte rreziqe, kryesisht të dukshme, në tri fusha kryesore.

E para, ishte reformimi i ekonomisë. Në vitet 1990, udhëheqësit injoruan ankesat e konservatorëve dhe vazhduan me mbylljen ose shitjen e dhjetëra mijë ndërmarrjeve shtetërore. Me rritjen e shpejtë të biznesit privat, zhvendosjen e shumë punonjësve shtetërorë në këto pozicione të reja dhe migrimin e dhjetëra milionë kinezëve për të gjetur punë në qytete, partia filloi të humbasë kontrollin mbi njerëzit e saj. Por reformat ndihmuan për të katapultuar Kinën në radhët e fuqive ekonomike globale.

Rreziku i dytë i madh u mor nga pasardhësi i z. Deng, Jiang Zemin, i cili përqafoi zhvillimin e internetit. Në fillim të viteve 1990, z. Jiang nuk mund ta ketë kuptuar se sa shumë do të ndryshonte kjo teknologji e re botën. Por gjithsesi për një parti të tillë komuniste, që ishte e vendosur të kontrollonte përhapjen e informacionit, zhvillimi i internetit ishte një sfidë dhe rrezik i madh.

Por Kina nuk vonoi që të merrte edhe frytet e një zhvillimit, duke u shndërruar në liderin global të teknologjisë së informacionit dhe, për më tepër, partia vazhdoi të ishte ende në pushtet. Sfida e tretë ishte hapja e portave të vendit dhe lejimi i njerëzve për të udhëtuar. Që nga viti 2007, numri i vizitave jashtë vendit nga ana e popullit kinez është trefishuar.

Avantazh apo dizavantazh?

Për shumë njerëz në vendet pritëse, prania në rritje e popullit kinez është përparësi. Por ajo po shoqërohet edhe me pakënaqësi në rritje të banorëve vendas, ndonjëherë e shprehur edhe me anë të notave raciste. Banorët e qyteteve australiane po shqetësohen rreth rritjes së çmimeve të pronave, të cilat i atribuohen rritjes së kërkesës kineze. Në disa pjesë të Afrikës, banorët po shqetësohen rreth konkurrencës së tregtarëve kinezë që operojnë me çmime më të ulëta.

Italianët ndihen të kërcënuar se emigrantët kinezë po pushtojnë industrinë e tyre tekstile, shumica prej të cilëve janë edhe emigrantë të paligjshëm. Në këtë tablo të re është e pranishme edhe frika politike dhe siguria e vendeve ku ky numër i madh kinezësh po emigrojnë. Universitetet e Perëndimit po mbështeten gjithnjë e më shumë në të ardhurat e studentëve kinezë, duke i ekspozuar institucionet ndaj rrezikut të spiunazhit në laboratorët e teknologjisë së lartë dhe në ndërhyrjen ideologjike nga shteti kinez.

Në shkurt të këtij viti, drejtori i FBI-së në Amerikë, e quajti Kinën jo vetëm kërcënim ndaj qeverisë, por ndaj të gjithë shoqërisë amerikane, si në qytetet e mëdha, ashtu edhe në qytetet e vogla. Disa qeveri të vendeve të tjera shqetësohen se Kina do të rrisë fuqinë ushtarake. Politikanët perëndimorë e kanë parë me entuziazëm këtë fluks të madh vizitorësh në vendet e tyre, duke menduar se ata, pasi të kthehen në Kinë, do të ndikojnë duke e ndryshuar atë me idetë liberale të Perëndimit. Fatkeqësisht provat për një pritshmëri të tillë janë të pakta. Teksa Xi Jinping, lideri i Kinës, po i kufizon liritë civile të qytetarëve kinezë, po i përqendron forcat e tij në Detin e Kinës Jugore dhe po i “shtrydh” firmat e huaja në drejtim të pronësisë intelektuale, ideja e një Kine globale nuk po duket aq e mundshme nga Perëndimi.

Dhe për sa u përket kinezëve që po udhëtojnë jashtë kufijve dhe po njihen me traditat e Perëndimit, kjo po u kthehet kundër, duke i shkaktuar probleme të shumta kur ata kthehen në vendin e tyre. Edhe pse shumë pak i pranojnë idetë e marra nga Perëndimi, kanë luajtur rol vendimtar në historinë e këtij vendi komunist, veçanërisht që nga shekulli i 19-të. Mbase edhe shqetësimi i z. Deng në planin afatgjatë mund të ketë qenë i drejtë në lidhje me “të këqijat e Perëndimit”.

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz