“Harrohen” call center; Tani sytë e investitorëve të huaj nga shërbimet IT

14/02/2017 10:13 AM 0 komente
1 (2)

Investimet e huaja po diversifikohen. Tani nuk kërkohen vetëm Call Center nga Italia, por shërbime të tjera outsource, si kontabilitet, apo shërbime IT, nga kompani të njohura amerikane, gjermane, zvicerane e franceze, gjë që tregon se dhe krahu i punës në Shqipëri tashmë të jetë i një cilësie të lartë, me aftësi më të kualifikuara.

Në mbledhjen e radhës së Këshillit të Investimeve me temë “Disponueshmëria e fuqisë punëtore të kualifikuar në tregun e punës – ‘Business Case’ i sektorit të Shërbimeve të Nënkontraktuara (BPO) që ofron Shqipëria për investitorët” u diskutua në lidhje me mundësitë që ofron tregu shqiptar dhe kërkesat që vijnë nga jashtë.

Në hapje të takimit, ministrja Ekonomi theksoi se çështja e disponueshmëria e fuqisë punëtore ka dalë si shqetësim në mbledhjet dhe analizat e mëparshme të Këshillit të Investimeve. “Ndaj për ta bërë më të kuptueshme dhe për të identifikuar llojin e problemeve që këta sektorë paraqesin u caktua Sekretariati i Këshillit të Investimeve, të merrte përsipër dhe të bënte disa vrojtime pranë bizneseve që ofrojnë këto lloj shërbimesh dhe të nxirrte disa rekomandime për këtë tematikë”, tha ministrja Ekonomi.

Ministrja Ekonomi theksoi se studimi i bërë sekretariati së bashku me grupin e kërkimit ku përfshihet AIDA dhe RISI Albania (realizuar nga Avasant), është një studim i cili ka sjellë disa rekomandime për të cilat ky Këshill ka nevojë të japë opinione, nëse ato qëndrojnë në kontekstin ekonomik që ne shohim. “Është shumë e rëndësishme që tek këto rekomandime të marrim në konsideratë nevojën për statistika të vazhdueshme në fushën e disponueshmërisë të fuqisë punëtore. Mënyra e të grumbulluarit të informacionit nga entet statistikore në Shqipëri, jo vetëm nga INSTAT-i, por edhe nga zyra të tjera kanë nevojë të përmirësohen dhe fuqizohen për sa i takon matjes së atyre që harxhojnë punë dhe matjes së atyre që harxhojnë investime për këto pozicion pune”, – tha ministrja Ekonomi.

“Është fakt se në Europën Lindore edhe këto shërbime kushtojnë shumë dhe po shihet tregu i punës në vende si Shqipëria për t’i zëvendësuar ato”, u shpreh z. Beqiri.
Ai informoi KI-në se kërkesat për investime të huaja në këtë sektor janë diversifikuar”, tha drejtori i AIDA-s, z. Genti Beqiri

Në këtë mbledhje u paraqit një studim i kontraktuar nga RISI Albania, realizuar nga AVASANT, “Udhërrëfyes për promovimin e integruar të investimeve në sektorin e BPO në Shqipëri” që prek dhe avantazhet në tregun e punës për këtë sektor. Studimi ka bërë një vlerësim të trendit ndërkombëtar të BPO dhe mundësive që paraqet Shqipëria për të zhvilluar këtë sektor, duke nxjerrë në pah avantazhet dhe sugjerimin për përmirësime. Më tej, bazuar në gjetjet e këtij studimi, Sekretariati i Këshillit të Investimeve analizoi gatishmërinë e tregut të punës në sektorin e BPO-ve. Për këtë u realizuan 33 takime, ku 17 janë biznese BPO me një numër punonjësish afërsisht 10 000, ekspertë të burimeve njerëzore, shoqata biznesi dhe institucione publike, si dhe u përgatit online një Anketë e plotësuar nga rreth 16 kompani BPO. Ky anketim tregoi dhe problematikën e tregut të punës ku çështje kryesore u identifikuan, mungesa e njohurive të avancuara në këtë sektor, çështja e statistikave të sektorit të BPO-ve si dhe mungesa e një analize të nevojave të biznesit për profesionet apo aftësitë e kërkuara.

Më tej z. Luan Bregasi nga Biznes Albania duke shprehur vlerësimin për MZHETTS dhe për Sekretariatin e KI për përzgjedhjen e një prej temave më interesante dhe më urgjente që kërkon tregu shqiptar, tha se studimet e paraqitura japin një paraqitje se ku duhet të investojë sipërmarrësi dhe se çfarë duhet të ketë parasysh para se të bëjë një investim. Ai tha se kur investohet, e vetmja gjë që sipërmarrësi nuk llogarit është tregu i punës, dhe sa i aftë është ai për të plotësuar nevojat e biznesit. Z. Bregasi përmendi se fuqizimi i shkollave profesionale, projektet e intershipeve dhe ligji i aftësimit profesional që do kalojë së shpejti në Parlament janë hapa shumë pozitivë për t’iu përshtatur nevojave të tregut të punës në Shqipëri. Ai tha se rekomandimet e këtij këshilli janë me shumë vlerë për të ndikuar te politikat e qeverisjes për ta rregulluar këtë sektor.

Më tej, fjalën e morën me radhë përfaqësuesit e Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe të Industrisë, të AMCHAM, Shoqata e bizneseve BPO, BERZH, përfaqësues i AITA, etj., duke diskutuar mbi problematikat e këtij sektori dhe përmirësimet që duhen bërë, përfshirë dhe ndërhyrje të nevojshme në Kodin e Punës.
Ministrja Ekonomi theksoi që ky Këshill Investimesh ka arritur të dalë me rekomandime shumë të vlefshme që janë përfshirë edhe në Paketën Fiskale, çka tregon se puna e këtij këshilli është profesionale. “Ndaj është e rëndësishme që të realizojmë një set rekomandimesh bazuar në evidenca”, konkludoi znj. Ekonomi.

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of

wpDiscuz