Cristiano Ronaldo, Kylian Mbappe, Lionel Messi, Antoine Griezmann, Luka Modriç dhe Raphael Varane nominohen gjithashtu; Neymar mbetet jashtë listës
Harry Kane ndihmoi Anglinë të arrinte gjysmëfinalen e parë të Kupës së Botës pas 28 viteve – duke qenë protagonist absolut me gjashtë gola në kompeticion dhe u shpall gjithashtu fituesi i “Këpucës së Artë”. Kapiteni i Anglisë arriti kuotën e 30 golave këtë sezon në Premier League me Spurs, që përfunduan në vend të tretë.
Salah shënoi 44 gola dhe regjistroi 14 asiste në sezonin e tij të parë në Anfield, duke arritur në finalen e Ligës së Kampionëve me Liverpool-in dhe vendin e katërt në Premier League. Fituesi i çmimit “Golden Boot” gjithashtu ndihmoi kombëtaren e Egjiptit të kualifikohej për Kupën e Botës.
De Bruyne fitoi Premier League nën drejtimin e Pep Guardiolës – ku arritën të grumbullonin 100 pikë, për herë të parë në historinë e Premier League. Me ekipin e Citizens, belgu arriti të fitonte edhe Kupën Carabao, në një fitore 3-0 kundër ekipit të Arsenalit. Krahas paraqitjeve në kampionat, De Bryne dhe Hazard kishin një rol kyç në suksesin e Belgjikës në Kupën e Botës, e cila u rendit e treta.
Hazard pati një sezon pozitiv gjithashtu, ku fitoi trofeun FA Cup me ekipin e Chelsea-s, duke shënuar në finale kundër Manchester United në Wembley, por dështoi të arrinte një vend me blutë e Londrës për Ligën e Kampionëve.
Cristiano Ronaldo bën pjesë në listë, pasi ndihmoi Real Madridin të fitojë Champions League për të tretin vit radhazi, një rekord absolut. Portugezi u shpall edhe golashënuesi më i mirë i kompeticionit, me 15 gola.
Lionel Messi është një tjetër kandidat për çmimin duke ndihmuar Barcelonën të fitojë Kupën dhe La Liga-n gjithashtu. Argjentinasi u shpall
golashënuesi më i mirë në 5 ligat më të mira të Europës, me 34 gola.
Antoine Griezmann, Kylian Mbappe dhe Raphael Varane bëjnë pjesë në listë, pasi ndihmuan Francën të shpallej fitues në Kupën e Botës në Rusi.
Mbappe, vetëm 19 vjeç, fitoi Ligue 1 dhe Kupën në Francë – duke shënuar 21 gola dhe 15 asiste në sezonin e tij të parë me ekipin e Paris Saint-Germain.
Griezmann ishte protagonist me ekipin e Atletico Madrid në fitoren e Europa League dhe Varane fitoi Ligën e Kampionëve me Realin.
Një tjetër emër është Luka Modriç, i cili ndihmoi Kroacinë të arrinte në finalen e parë të Kupës së Botës, si dhe kishte një rol kyç në triumfin e Real Madridit në Ligën e Kampionëve.
Një mungesë që vihet re në këtë përzgjedhje emrash është lojtari më i shtrenjtë në botë, Neymar, i cili fitoi Ligue 1 dhe Kupën me ekipin e PSG. Braziliani shënoi 28 gola dhe dha 16 asiste pavarësisht mungesës disamujore për shkak të një lëndimi.
Lista e lojtarëve të nominuar
Cristiano Ronaldo (Portugali / Real Madrid CF / Juventus FC)
Kevin De Bruyne (Belgjikë / Manchester City FC)
Antoine Griezmann (Francë / Atlético Madrid)
Eden Hazard (Belgjikë / Chelsea FC)
Harry Kane (Angli / Tottenham Hotspur FC)
Kylian Mbappe (Francë / Paris Saint-Germain FC)
Lionel Messi (Argjentinë / FC Barcelona)
Luka Modric (Kroaci / Real Madrid CF)
Mohamed Salah (Egjipt / Liverpool FC)
Raphael Varane (Francë / Real Madrid CF)