Nuk ka asnjë dyshim që futbolli europian është një fenomen global. Kampionatet më të rëndësishme në gjithë kontinentin ndiqen nga një numër i madh tifozësh nga të katër anët e globit.
Për shkak të popullaritetit të tij, shumë njerëz që jetojnë mijëra kilometra larg skuadrës euopiane të zemrës ndjekin çdo gjë që ka të bëjë me klubin, shpesh duke qëndruar zgjuar gjatë çdo ore për të ndjekur ndeshjet live. Ata po ashtu kërkojnë në mënyrë të rregullt për lajme në Google që lidhen me klubin e tyre.
Kompania angleze e veshjeve sportive JD Sports ka publikuar së fundmi një studim interesant që analizon klubet më popullore në botë në bazë të të dhënave të kërkimit në Google. Të dhënat na japin një pasqyrë se cilat janë klubet më të ndjekura në rajone të caktuara dhe nëse marrëveshje të bujshme të klubit me ndonjë futbollist mund të ndikojnë në nivelin e mbështetjes në një vend apo në një zonë të caktuar të globit.
Rezultatet globale tregojnë se Real Madridi është deri tani ekipi më popullor në botë, në krye të klasifikimeve në 97 vende të botës. Çuditërisht, në vend të dytë është Arsenal, i cili dominon në 17 vende, kurse Manchester United në vend të tretë, i cili është popullor në 16 vende.
Në vend të katërt, është Liverpool, ndjekur nga Ajax (5), Juventus (6), Paris Saint – Germain (7), RSC Anderleht (8), FC Lahti (9) dhe Borussia Dortmund në vend të dhjetë.
Megjithatë, pjesa më interesante e këtij studimi është ndarja e popullaritetit të një klubi nga rajoni.
Nuk është e çuditshme të shohësh një sërë klubesh si më të kërkuarit në Europë. Ndryshe nga kontinente të tjera në botë, Europa shfaqet besnike ndaj klubeve me seli në vendin e tyre.
Për shembull, Italia, Spanja, Franca, Anglia, Gjermania, Vendet e Ulëta, Greqia, Portugalia dhe Polonia të gjitha kërkojnë më shumë informacione për klube të vendit të tyre se sa skuadra të huaja. Por ajo që spikat në mënyrë të dukshme, është tifozeria ndaj Real Madridit në gjithë Europën Lindore dhe Rusi, me përjashtim të Ukrainës, që kërkon më shumë informacione për Ajax.
Barcelona është më e ndjekur në disa vende baltike, në Europën Qendrore dhe në Turqi. Në Gadishullin Skandinav, Manchester United dhe Liberpool janë mjaft popullor respektivisht në Suedi dhe Norvegji.
Manchester United është bërë klubi më i ndjekur në Suedi vetëm në vitin 2016, pasi klubit iu bashkua Zlatan Ibrahimovic. Tani, që kur lojtari luan në MLS (në SHBA) kërkimet mujore për Red Devils kanë rënë dhe ndoshta do të shohim një tjetër skuadër në krye të klasifikimit në Suedi në të ardhmen e afërt.
Siç shihet në hartë, Real Madrid është klubi më popullor edhe në Shqipëri.
Gjithashtu, ia vlen të shikojmë më në detaj edhe Mbretërinë e Bashkuar. Arsenali është klubi që kërkohet më shumë në Mbretërinë e Bashkuar, me një volum mesatar 869,000 kërkime në muaj. Në vend të dytë dhe të tretë gjejmë Liverpool dhe Manchester United dhe në vend të katër Chelsea. Kërkimi bëhet interesant në pozicionin e pestë dhe të gjashtë. Barcelona dhe Real Madrid janë skuadrat e vetme jobritanike që shfaqen mes dhjetë skuadrave më të kërkuara në Britaninë e Madhe. Top 10 mbyllet me Spurs, Leicester, Leeds dhe West Ham.
4 klube dominojnë në Afrikë – Real Madrid, Arsenal, Manchester United dhe Liverpool. Siç shihet në hartë, të dhënat, nuk janë të disponueshme për Sudanin dhe Sudanin e Jugut për arsye politike dhe nuk janë përfshirë në këtë raport.
Real Madridi dhe Arsenali gëzojnë popullaritet të madh në Nigeri dhe Sierra Leone. Pjesa tjetër e Afrikës Perëndimore dhe Subsahariane dominohet nga Los Blancos. Megjithatë Arsenali gëzon popullaritet edhe në gjithë Afrikën Lindore në vende si Etiopia, Somalia, Kenia dhe Uganda.
Liberpool dominon në një vend afrikan – në Egjipt. Motivi përse të kuqtë janë në krye të klasifikimit në Tokën e Faraonëve është Mohamed Salah, i cili luan për skuadrën angleze.
Edhe një herë, “një det blu” tregon se Real Madridi dominon hartën aziatike. I gjithë kontinenti kërkon për Los Blancos në Google më shumë se çdo ekip tjetër futbolli. E njëjta gjë ndodh në Kinë dhe në Lindjen e Mesme. Irani dhe Siria janë të përjashtuara për motive politike, duke e bërë Mongolinë të vetmin vend në pjesën më të madhe të Azisë që kërkon një skuadër tjetër më shumë se Real Madridi. Dhe ajo është Chelsea, që ka fituar popullaritet të madh në vendin aziatik.
Klubi që befason në hartën e Azisë është Ajaksi, që është skuadra më popullore në Korenë e Jugut dhe Tajvan.
Në Australi dhe Zelandë të Re, dominon në kërkime Arsenali, kurse Reali është skuadra më popullore në Amerikën e Veriut.
Burimi: Sportskeeda / Marca