TIRANË – Ministria e Bujqësisë në bashkëpunim me ekspertë të fushës ka përfunduar hartimin e draftit për vendosjen e standardeve në përdorimin e miellit.
Pas takimit të zhvilluar midis Ministrit Edmond Panariti dhe përfaqësuesve të Unionit të Prodhuesve të Miellit, palët ranë dakord që kufiri minimal i nivelit të proteinave në miell të jetë 9 për qind, nga 12,5 për qind që ishte më parë, por duke përcaktuar kriteret e përdorimit të tij.
Kështu në draft është përcaktuar që mielli me përqindje nga 9 – 11.5 për qind të përdoret për ëmbëlsira, makarona dhe piza, ndërsa niveli maksimal i proteinave është përcaktuar në masën 12 për qind, i cili është kusht që të përdoret për prodhimin e bukës masive që konsumojnë qytetarët shqiptarë.
Hartimi i këtij drafti erdhi pas urdhrit të nxjerrë nga Ministria për uljen e normës së proteinave në miell dhe kundërshtisë që hasi nga prodhuesit e miellit të cilët deklaruan ndërprerjen e aktivitetit. Ndërkaq, në draftin që pritet të hyjë në fuqi së shpejti janë përcaktuar edhe standardet e përbërësve të tjerë të miellit.
Në një konference për shtyp dy ditë më parë, ministri Panariti, sqaroi se masat qe po ndërmerr ministria që ai drejton, synojnë rritjen e standardit për cilësinë e miellit.
Sa i përket akuzave të prodhuesve të miellit në Shqipëri, se vendimi i Ministrisë së Bujqësisë për uljen e përqindjes së proteinës në këtë produkt nga 12.5 në 9 për qind dëmton konkurrencën, Panariti tha se do ketë një paketë të re stadardesh për kategoritë e prodhimeve të brumit.
“Do të përcaktohet mielli që do të përdoret për produktet përkatës e po ashtu përcaktuam edhe cilësinë e miellit për kategori të ndryshme. Ndërkohë ju kujtoj se kemi një rritje standardi për cilësinë e miellit”, u shpreh Panariti. Kreu i Bujqësisë theksoi se për të verifikuar cilësinë e miellit, janë vënë në dispozicion 6 laboratorë.
Ministri tha se kufiri i poshtëm prej 9 për qind i proteinës në miell është në përputhje me standardet e Bashkimit Europian dhe se për prodhime të ndryshme, përqindja e proteinës është e diferencuar çka do të rregullohet me akte normative./ATSH/
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.